
Nënshkruhen kontratat me 78 përfituesit e skemës së granteve ‘Programi për zhvillim rajonal të balancuar – PZHRB 2025’
Ministria e Zhvillimit Rajonal ka organizuar ceremoninë e nënshkrimit të kontratave me 78 përfituesit e Skemës së Granteve në kuadër të Programit për Zhvillim Rajonal të Balancuar – PZHRB 2025.
Ceremonia u hap nga zëvendësministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal, Elldin Uglari, i cili në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se është kënaqësi e veçantë që në emër të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal të nënshkruajnë kontratat me përfituesit e Programit për Zhvillim Rajonal të Balancuar 2025.
“Kjo skemë grantesh për vitin 2025 do të mbështesë gjithsej 78 përfitues, me synim krijimin e vendeve të reja të punës, nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe ngritjen e kapaciteteve prodhuese në vend”, ka thënë ai.
Në fund të fjalës së tij, Uglari uroi përfituesit për zbatimin me sukses të projekteve të tyre, duke theksuar se investimi në sektorin e prodhimit mbetet prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës si një nga fushat më të rëndësishme për zhvillimin e vendit.
Ndërsa zëvendësekretarja e Përgjithshme e MZHR-së, Refike Sulçevsi, i uroi përfituesit për punë të mbarë dhe suksese gjatë implementimit të projekteve, duke falënderuar njëkohësisht stafin e Ministrisë për angazhimin e tyre të palodhur.
“Ne presim që makineritë, pajisjet dhe projektet e mbështetura nga kjo skemë të shërbejnë si modele suksesi dhe frymëzim për të tjerët, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik e social të vendit. Ministria do të mbetet partnere e juaja gjatë gjithë periudhës së zbatimit,” ka thënë Sulçevsi.
Pas përfundimit të fjalimeve, u realizua nënshkrimi i kontratave ndërmjet MZHR-së dhe përfituesve të Skemës së Granteve PZHRB 2025, i cili u zhvillua në grupe.