Nënshkruhet kredia 80 milionë euro për reformat në sektorin e energjisë

18 mars 2026 | 15:02

Kosova ka nënshkruar me Bankën Zhvillimore Gjermane (KfW) kredinë në vlerë prej 80 milionë eurosh për të mbështetur reformat në sektorin e energjisë dhe politikave klimatike.

Kjo kredi është firmosur nga ministri i Financave, Hekuran Murati dhe përfaqësuesi i KfW-së, Pablo Obrador Alvarez.

Ministri Murati ka thënë se kjo kredi do të shërbejë si mbështetje buxhetore për reformat e parashikuara në kuadër të integrimit energjetik me rajonin dhe shtetet e tjera të Bashkimit Evropian

“Bëhet fjalë për një mbështetje financiare në vlerën prej 80 milionë eurosh, e cila do të shërbejë si mbështetje buxhetore për reformat e parashikuara në kuadër të integrimit energjetik me rajonin dhe shtetet e tjera të Bashkimit Evropian. Këto reforma na afrojnë më shumë drejt konvergjimit, si në politika, ashtu edhe në përgatitjen e sistemit tonë energjetik, për të garantuar të drejta të plota në ENTSO-E dhe për integrimin në të gjithë sistemin energjetik rajonal e më gjerë. Kjo është një mbështetje e jashtëzakonshme për të cilën i jemi falënderues shtetit gjerman dhe bankës KfW. Besoj se bashkëpunimi ynë do të vazhdojë edhe më tutje, sidomos në fushën e energjisë, por edhe në fusha të tjera”, ka thënë Murati.

Ndërsa Pablo Obrador Alvarez  nga KfW-ja ka thënë se kjo është kredia e parë e bazuar në politika që nënshkruhet me Kosovën. Ai ka theksuar se instrumenti synon të plotësojë financimin e projekteve të mëdha infrastrukturore në sektorin e energjisë, duke mbështetur qeverinë në zbatimin e reformave të nevojshme për tranzicionin energjetik.

“Shpresojmë që në vitet e ardhshme të realizojmë së bashku reformat e parashikuara në këtë program”, ka thënë Alvarez.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Ramush Haradinaj Që nga viti 2019, Albin Kurti ka…