Nënshkruhet marrëveshja për ‘Ndërtimin e pikës së vetme të kontaktit ONE STOP SHOP’ në Prizren

19 mars 2019 | 11:49

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe ministri i Ministrisë së Administratës Publike, Mahir Yagcilar, kanë nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi për realizimin e projektit kapital për ‘Ndërtimin e pikës së vetme të kontaktit ONE STOP SHOP’ në Prizren.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, kryetari Haskuka ka thënë se Prizreni është komuna e parë me një projekt të tillë, me të cilin do të rregullohet ambienti në hyrje të administratës komunale dhe do të mundësohet që shërbimet që jepen nga komuna të jenë sa më të lehta dhe të qasshme për qytetarët.

“Këtu faktikisht do të jenë të gjitha shërbimet, nga certifikatat më të lehta, deri te aplikimi për leje ndërtimore, apo procedurat tjera më të komplikuara, ku qytetarëve s’do të kërkohet që të enden zyrave të komunës lartë e poshtë, por do të jenë të gjitha në një vend”, ka thënë Haskuka.

Kurse ministri Yagcilar ka thënë se me këtë projekt të rëndësishëm po krijohet një vazhdimësi e reformave dhe të modernizimit të administratës publike edhe në nivelin qendror por edhe në atë lokal, nëpërmjet të cilit qytetarët do të kenë mundësi të marrin shërbime të ndryshme në një vend.

Ky projekt, i cili po realizohet nga Ministria e Administratës Publike (MAP), Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe Komuna e Prizrenit, ka për qëllim përmirësimin e cilësisë së shërbimit për qytetarët dhe konsumatorët.

Vlera e projektit parashihet të jetë rreth 1 milion euro, për të cilin Komuna e Prizrenit do të financojë 50 mijë euro, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal deri në 200 mijë euro, kurse Ministria e Administratës Publike do të financojë pjesën tjetër të projektit deri në finalizim.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ushtruesi i shefit…