Nënshkruhet marrëveshja për ristrukturimin e Telekomit të Kosovës

22 qershor 2019 | 11:08

Me iniciativën e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, sot është nënshkruar marrëveshja në mes Bankës Europiane për Ristrukturimin dhe Zhvilim (BERZH) dhe Telekomit të Kosovës.

Marrëveshja është nënshkruar nga shefi i zyrës së BERZH-it në Kosovë, Neil Taylor dhe kryeshefi i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi.

“Marrëveshja ka të bëjë me ofrimin e shërbimeve konsultative përmes këshilltarëve të cilët do të ndihmojnë në ristrukturimin e Telekomit të Kosovës, e cila mund të krijojë rrugën për një privatizim të saj”, ka shkruar ministri Lluka në llogarinë e vet në “Facebook”.

“Duke u gjetur në situatë të vështirë në aspektin operativ, Bordit i Drejtorëve në muajin Maj të vitit të kaluar ka nxjerrë vendim për hapjen e fazës së ristrukturimit të kompanisë së bashku me implementimin e një plani për investime”, ka shkruar ai.

Ministri Lluka ka theksuar se në bashkëpunim me Bordin e Drejtorëve, si ministër përgjegjës për Ndërmarrjet Publike, ka kërkuar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) që të ofrojë asistencë teknike (në formë të grantit) për këshilltarë të cilët këshillojnë ministrinë rreth ristrukturimit dhe ripozicionimit të kësaj ndërmarrje.

“Në kërkesë, kam potencuar faktin se Qeveria e Kosovës, në bazë të planit të saj qeverisës, parasheh privatizimin e kësaj ndërmarrje. Gjithashtu, kam bërë të qartë se para gjithsecilit vendim të privatizimit, përmirësimi i përformancës së ndërmarrjes si dhe praktikave brenda saj është prioritare dhe do i paraprije çfarëdo procesi tjetër”, ka thënë ministri Lluka.

Ai ka falënderuar BERZH-in që i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Qeverisë së Kosovës për pranimin e dhënies së asistencës në aspektin e prokurimit të ofrimit të këshilltarëve për të dhënë asistencë teknike në fazën e ristrukturimit si dhe ofirmin e këshilltarëve të jashtëm të cilët ofrojnë ekspertizën e tyre në hartimin e një udhërrëfyesi rreth privatazimit, e cila do t’i vendos hapat që duhet të ndjekë Qeveria e Kosovës në mënyrë që të privatizojë Telekomin e Kosovës.

Ministri Lluka ka falënderuar kryesuesen e Bordit, Besa Shatri, dhe kryeshefin e Telekomit, Bedri Istrefi, për bashkëpunimin e treguar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Interi nën drejtimin e Conte po bën një sulm shumë…