“Nëntori i ftohtë” triumfon në festivalin e filmit të Cyrihut

07 tetor 2018 | 12:35

Çmimin e audiencës e rrëmbeu filmi nga Kosova “Nëntor i ftohtë” në Zurich Film Festival, ku prezent në premierë ishin regjisori, Ismet Sijarina, dhe producenti e aktori Fatmir Spahiu.

“Selektimi në konkurrencë zyrtare është verifikim për vlerën artistike të filmit, por shpërblimi i publikut është riverifikim se audienca e gjerë bashkëndjenë me rrëfimin tonë. Ndjehem i nderuar dhe i falënderoj, të gjithë ata që e pëlqyen dhe votuan filmin tonë. Përjetësisht mirënjohës!”, është shprehur regjisori Sijarina.

Ndërsa producenti Spahiu ka thënë se ky çmim është i veçantë për shumë arsye.

“E para është çmimi i parë për filmin, i pari për mua si producent, dhe krejt në fund vjen nga një audiencë e kombinuar shqiptaro-zvicerane të cilët në mënyrë të barabartë e bashkëndjenë filmin. Faleminderit të gjithëve që votuat”, ka theksuar ai.

Filmi përcjell Fadilin, i cili punon si arkivist në një ndërmarrje shtetërore, në Kosovën e fillim viteve ’90-ta, dhe duhet të zgjedhë mes dy opsione të gabuara! Në këtë mënyrë ai, jashtë vullnetit dhe dëshirës së tij, “gëlltit” turpin, ballafaqohet me imazhin e keq dhe duron presionin nga të gjitha palët.

Projekti filmik “Nëntor i ftohtë” është produksion i shtëpive filmike Thumbs Up dhe Buka në bashkëprodhim me Albasky Film, AUDIOHAUS dhe Ikone dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë.

Në rolet kryesore paraqiten aktorët; Kushtrim Hoxha, Adriana Matoshi, Fatmir Spahiu Bufi, Emir Hadzihafizbegovic, Gordana Boban, May-Linda Kosumovic dhe Lum Veseli, ndërsa skenari i shkruar nga: Arian Krasniqie Ismet Sijarina. Drejtor fotografie Sevdije Kastrati, montazher Vladimir Pavlovski, muzika Jericho, producent Fatmir Spahiu, Arian Krasniqi, bashkëproducent Paskal Semini, Valon Bajgora, regjia Ismet Sijarina.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) përmes një komunikate për…