
Nëse Dhomat Speciale kanë humbur legjitimitetin – atëherë është koha për veprim shtetëror
Shkruan: Hisen Berisha
Deklarata e Ministres së Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu, se Gjykata Speciale e ka humbur legjitimitetin, është një akt që s’mund të kalojë pa impakt politik e institucional.
Nëse ky qëndrim është i sinqertë dhe në frymën e kushtetutshmërisë, atëherë ai përbën pranimin zyrtar se institucioni i Dhomave Speciale ka dështuar të përmbushë standardet e drejtësisë dhe është delegjitimuar, veçanërisht tani kur po pranohen në mënyrë të heshtur raportet e shërbimeve sekrete serbe dhe dosjet e Prokurorisë serbe si burime të vlefshme për aktakuza.
Por nëse kjo deklaratë është thjesht një përpjekje për spastrim të ndërgjegjes, si pasojë e qëndrimeve të mëhershme mohues, etiketuese dhe kufizuese ndaj mbrojtjes së të akuzuarve shqiptarë në Hagë – përfshirë redukimin e fondeve të mbrojtjes, atëherë kemi të bëjmë me hipokrizi politike dhe me tentim për të zhvendosur përgjegjësinë nga vetja.
Në të dy rastet, shteti është i detyruar të veprojë:
– Nëse qëndrimi i Ministres për delegjitimimin e Speciales është korrekt dhe përfaqësues i qeverisë, atëherë do ishte radha e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të trajtojë këtë deklaratë në mënyrë formale dhe të nisë procedurat për shuarjen e këtij institucioni të kontestuar.
– Presidentja e Republikës, si garantuese e rendit kushtetues, duhet të sqarojë menjëherë nëse mbështet apo kundërshton këtë deklaratë. Nëse ajo qëndron pas qëndrimit të Ministres së Drejtësisë, atëherë duhet të iniciojë procedurat për zhbërjen e Dhomave të Specializuara, të cilat po akuzohen publikisht nga qeveria për mungesë legjitimiteti dhe përdorim të burimeve të fabrikuara nga Serbia.
Ky nuk është moment për deklarata personale. Ky është moment për qëndrim shtetëror. Drejtësia nuk mund të delegjitimohet në fjalë dhe të mbrohet në letra. E as të përdoret si armë politike – herë për hakmarrje, herë për alibi.
Nëse ky është fundi i Gjykatës Speciale, atëherë duhet të thuhet hapur dhe të veprohet me guxim politik dhe përgjegjësi kushtetuese. Në të kundërtën, kemi të bëjmë me një tjetër dramë të njollosur të drejtësisë – e prodhuar në emër të drejtësisë.