Nëse Kurti e ka përnjëmend, e ka vetëm një mundësi reale për zgjedhjen e presidentit

26 mars 2026 | 11:42

Shkruan: Hajdin Abazi

Kushtetuesja, më në fund, e tha fjalën e vet: 34 ditë afat për zgjedhjen e presidentit, ose zgjedhje parlamentare.
Partia në pushtet përmes kryeparlamentares doli me prononcime se “do të bëjmë çmos” që të arrihet zgjidhja e jo zgjedhjet.
Dy janë mundësitë për të evituar zgjedhjet e reja.
Njëra është LVV (57)+LDK (15)+minoritetet (11), që arrihet numri prej 83 deputetësh.
Mundësia tjetër është LVV (57)+PDK (22)+minoritetet (11), që arrihet numri prej 90 deputetësh.
Mundësia e parë duket pak e gjasshme, pasi që tashmë po dihet se V. Osmani po filtron me LDK për rikthimin e saj aty. Marrëveshja mund të bëhet nëse Kurti e pranon V. Osmanin për rikandidim për presidente, gjë që duket e pabesueshme, e kjo e bën të pagjasshme një marrëveshje LVV dhe LDK. Aq më tepër që LDK me rikthimin e V. Osmanit llogarit ta rikthejë një pjesë të elektoratit e kështu ta shtojë numrin e deputetëve, ndaj ajo duket e prirur për zgjedhje.
AAK, me gjithë konstruktivitetin politik për konsensus, e vetme nuk mundet të jetë ajo që ofron zgjidhje për zgjedhjen e presidentit.
Mbetet mundësia e dytë. PDK realisht mundet të ofrojë daljen nga kriza. PDK +LVV+minoritetet mund ta zgjedhin presidentin dhe do të shmangeshin zgjedhjet.
Se a do të bëhet kjo apo jo varet para së gjithash prej LVV, në kuptimin se a e ka me gjithë mend mos shkuarjen në zgjedhje të reja nacionale apo jo. Nëse e ka, duhet të jetë e gatshme për kompromis. Nëse nuk e ka, e luan lojën e imponimit, dhe nuk gjendet gjuha e përbashkët.
Por po ashtu varet edhe nga PDK, në kuptimin se PDK a synon postin e presidentit apo ndarjen e pushtetit ekzekutiv. Këtu do të jetë fusha e manovrare për negociata.
Në interes të PDK mund të jenë postet ministrore, por ne interes të shtetit është posti i presidentit. Për mendimin tim, PDK duhet të prioritojë te presidenti. Kësisoj rikthehet praktika e mirë e kultivuar në Kosovën e pas luftës çlirimtare që një parti e vetme të mos i ketë kryeministrin, kryeparlamentarin dhe presidentin. Me këtë do të mbrohej sado pak demokracia.
Nuk duhet të refuzohet apriori kompromisi nga partite opozitare, edhe se kjo nuk është kulturë demokratike, po edhe për mos t’ia krijuar LVV adutin e bllokadës nga opozita.
Opozita duhet të tregojë se nuk është për bllokadë, por për zgjidhje. Dhe zgjidhja duhet të vijë nga Kurti dhe LVV përmes ndarjes së pushtetit me partinë që i ofron zgjedhjen e presidentit, natyrisht të një të pranueshëm edhe nga LVV.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Brikena Selmani dhe Mateo Borri kanë pasur një përplasje me…