
Nesër beteja e katërt mes Trepçës dhe Bashkimit
Super finalet e “play-off”-it në ProCredit Superligën e Kosovës po vazhdojnë me sfida interesante.
Garat shtesë kanë dhuruar emocione, dramë dhe adrenalinë. Trepça dhe Bashkimi kanë dhuruar spektakël e kështu pritet edhe të mërkurën mbrëma.
“Xehetarët” po avancojnë me seri 2:1, ndërsa skuadra që shënon katër fitore, shpallet kampione e Kosovës.
Takimin e parë final e fituan prizrenasit 84:77, kurse të dytin mitrovicasit 79:72. Në sfidën e tretë në Prizren, fituan mitrovicasit bindshëm 71:88 për të pasur epërsinë e terrenit në finale.
Trepça synon fitore për të qenë më afër mbrojtjes së titullit, ndërsa Portokallezinjtë për të barazuar serinë në 2:2 dhe për të rikthyer epërsinë e terrenit.
Kujtojmë se në gjysmëfinale, Bashkimi eliminoi Pejën 3:1, ndërsa Trepça eliminoi Sigal Prishtinën po ashtu 3:1.
Trepça dhe Bashkimi ishin përballur edhe në finalen e Kupës në Prishtinë, ku fituan ‘Xehetarët’, që gjithashtu kanë fituar edhe Superkupën këtë edicion.
Orari
Të mërkurën:
19:00 Trepça – Bashkimi