
Nesër ‘Dita D’ për liderët e UÇK-së
Procesi gjyqësor në rastin e liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është duke shkuar drejt fundit. Nesër (e mërkurë) pritet të merret njëri prej vendimeve më të rëndësishme deri në këtë fazë në rastin e katërshes së UÇK-së. Fjala është për mocionin e avokatëve për rrëzimin e disa prej akuzave ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit. Mbrojtja e liderëve të UÇK-së ka vlerësuar se disa prej akuzave të Zyrës së Prokurorit të Specializuar nuk janë vërtetuar as përtej dyshimit të bazuar, andaj kanë kërkuar hedhjen e tyre, raporton “Epoka e re”
Në fakt, mocioni dhe kërkesa e tyre ende nuk është bërë publike. Megjithatë, vendimi do të shpallet në seancën e sotme. Po nesër, avokati i viktimave do ta paraqes rastin e tij, me dy dëshmitarë-ekspertë që pritet të dëshmojnë.
Procesi gjyqësor në rastin e krerëve të UÇK-së tashmë ka hyrë në fazën e fundit, cilido që është vendimi për rrëzimin ose jo të akuzave.
Krerët e UÇK-së kanë pasur kohë ta dorëzojnë mocionin për rrëzimin e akuzave deri më 12 qershor. Prokuroria e Specializuar e Hagës kishte kohë të përgjigjet në mocionin e mbrojtjes deri më 7 korrik. Gjyqtarët pritet ta shpallin vendimin nesër (e mërkurë), më 16 korrik. Varësisht se cili do të jetë vendimi lidhur me mocionin, pritet të vazhdojë edhe procesi gjyqësor. Megjithatë, deri atëherë, janë caktuar edhe disa data të tjera me rëndësi. Një konferencë për ecurinë e çështjes do të mbahet të martën, më 22 korrik, në orën 14:00.
Avokati i viktimave është urdhëruar të përgatitet që t’i ftojë dëshmitarët e tij më 16 korrik. Mbrojtja e liderëve të UÇK-së duhet ta njoftojë Gjykatën Speciale deri më sot, 16 korrik nëse synon t’i dorëzojë provat e veta. Mbrojtja duhet të dorëzoje provat dhe listat e dëshmitarëve deri më 21 korrik. Gjyqtarët kanë vendosur që konferencën për statusore për rastin e mbrojtjes ta shtyjnë deri më datën 19 gusht. Rasti i mbrojtjes pritet të fillojë menjëherë pas 18 gushtit, varësisht se si përcaktohen afatet. Konferenca përgatitore për rastin e mbrojtjes mbahet më 19 gusht. 20 deri në 25 dëshmitarë pritet t’i ketë mbrojtja e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare në Gjykatën Speciale të Hagës. Prej tyre, rreth 15 mund të ftohen për të dëshmuar “live” në gjykatë.
Është raportuar në medie se mbrojtja e Thaçit mund të thërrasë deri në 12 dëshmitarë që do të dëshmojnë në gjykatë, por që edhe ky numër mund të reduktohet. Kurse, mbrojtja e Jakup Krasniqit do t’i ketë 10 dëshmitarë, prej të cilëve maksimalisht pesë do të dëshmojë në Gjykatën Speciale. Aktualisht, mbrojtja e Veselit dhe Selimit nuk kanë planifikuar të ftojnë dëshmitarë. Procesi gjyqësor maratonik ndaj liderëve të UÇK-së, ka nisur më 3 prill të vitit 2023. Në këtë proces gjyqësor kanë dhënë dëshmitë e tyre një numër i madh i dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) ku shumica e tyre kanë dëshmuar nën masat mbrojtëse. Ndërsa ata që kanë dëshmuar në publik, dëshmitë e tyre sipas njohësve të drejtësisë kanë qenë të zbehta.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ndodhën në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ata kanë bërë disa herë kërkesa për lirim me kusht, por nuk janë marrë parasysh nga Gjykata Speciale.
Që nga fillimi i procesit gjyqësor janë larguar disa nga avokatët kryesorë për shkak të çështjeve financiare. Për këtë çështje janë kritikuar ashpër institucionet e Kosovës të cilat që nga fillimi i këtij procesi gjyqësor janë duke u drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Së fundmi, akademik Arsim Bajrami, ka thënë se shteti i Kosovës ka dështuar t’i mbrojë liderët e UÇK-së që janë duke u gjykuar në Hagë.
Specialja, ka thënë ai nuk është duke i gjykuar ata individualisht. “Kosova nuk e ka ndjekur shembullin kroat”, ka thënë Bajrami.
Në rastin e Kroacisë, ai ka thënë se “komplet shteti ka qenë i mobilizuar”. “Ka pasur zyre të konsulencës, ka pasur shoqata, është financuar Akademia, është financuar Universiteti, shoqëria civile dhe mediet për ta mbrojtur luftën”, ka thënë Bajrami. /Epoka e re/