‘Nesër, ditë pushimi!’, reagimi i presidentit pas suksesit të Ekuadorit në Botëror

26 qershor 2026 | 12:03

Presidenti i Ekuadorit, Daniel Noboa, ka shpallur të premten ditë pushimi kombëtar, pasi kombëtarja e futbollit e vendit siguroi kualifikimin në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës, falë fitores befasuese 2:1 ndaj Gjermanisë.

“Faleminderit lojtarëve dhe trajnerit, të cilët, pavarësisht kritikave, fyerjeve dhe momenteve të vështira që kaluan, arritën të rikthehen dhe t’i dhurojnë këtë gëzim të jashtëzakonshëm gjithë vendit. Nesër, ditë pushimi!”, ka shkruar Noboa në platformën “X”.

Ekuadorit i nevojitej patjetër fitorja në ndeshjen e fundit të Grupit E, pasi më herët kishte humbur ndaj Bregut të Fildishtë dhe kishte barazuar me Curaçaon.

Skuadra amerikano-jugore pësoi gol në fillim të ndeshjes ndaj Gjermanisë, por reagoi fuqishëm dhe përmbysi rezultatin për të fituar 2:1, duke nxitur festë të madhe te tifozët në stadiumin e mbushur plot në Nju-Jork/Nju-Jersey.

Gjermania e kishte siguruar tashmë kualifikimin si fituese e grupit, ndërsa Bregu i Fildishtë përfundoi në vendin e dytë pas fitores 2:0 ndaj Curaçaos.

Ekuadori u kualifikua si njëra nga tetë kombëtaret më të mira të vendeve të treta, duke arritur për herë të dytë në histori në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës. Herën e parë e kishte arritur këtë sukses në Botërorin e vitit 2006 në Gjermani, kur u kualifikua në fazën e 1/8 së finales.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Abuzimit me Droga dhe Trafikimit të…