
Nesër finalja e gjashtë mes Trepçës dhe Bashkimit
Finalet e “play-off”-it të ProCredit Superligës po dhurojnë emocione të jashtëzakonshme, me atmosferë fantastike dhe ndeshje të bukura në parket. Çdo ndeshje është shumë e rëndësishme dhe luftohet deri në sekondën e fundit për çdo top. Seria finale e “play-off”-it zhvendoset në Mitrovicë, ku përballen Trepça dhe Bashkimi, dy skuadrat që ishin renditur në dy pozitat e para në garat e rregullta. Seria finale është 3:2 për “Xehetarët”.
Nëse fiton Trepça, atëherë do të mbrojë titullin e kampionit, ndërsa “Portokallezinjtë” luftojnë për fitore për të barazuar serinë finale në 3:3, në mënyrë që finalja vendimtare të jetë të dielën në Prizren. Ndeshjen e parë e fituan prizrenasit 84:77, e më pas fituan tri takime radhazi mitrovicasit 79:72, 71:88 dhe 80:74, ndërsa sfidën e fundit “Portokallezinjtë” 85:77.
Këto dy skuadra u përballën katër herë në edicionin e rregullt me nga dy fitore secila skuadër, e po ashtu ishin përballen edhe në finalen e Kupës, ku triumfuan “Xehetarët”. Ndeshja zhvillohet të mërkurën në Palestrën “Minatori” nga ora 19:00 dhe transmetohet në Art Motion dhe Kujtesa.
Orari
19:00 Trepça – Bashkimi