
Nesër mblidhen ministrat e KiE-së, anëtarësimi i Kosovës nuk figuron në agjendë
Kosova edhe këtë vit e ka humbur mundësinë për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Kjo, pasi aplikacioni i saj për anëtarësim në këtë organizatë nuk është përfshirë në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE-së, i cili do të mblidhet më 13-14 maj.
Sipas njohësve të këtij procesi, mostrajtimi i çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe mosformimi i institucioneve të reja ka ndikuar në mospërfshirjen e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave.
Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk komentoi për KosovaPress rreth mospërfshirjes së anëtarësimit të Kosovës në agjendën e ministrave të Punëve të Jashtme të KiE-së, trupë kjo vendimmarrëse për anëtarësim, e cila mblidhet vetëm një herë në vit.
Profesori i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi thotë për KosovaPress se Kosovës “i ka ikur treni” për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Në prill të vitit të kaluar, Kosova mori dritën jeshile nga Asambleja Parlamentare për anëtarësim në Këshillin e Evropës, mirëpo nuk e kaloi hapin final, pasi nuk u përfshi në agjendën e Komitetit të Ministrave për shkak të mosdërgimit të draft-statutit të BE-së për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese.
Mosdërgimi i këtij draft-statuti në Kushtetuese, sipas Arifit, ka ndikuar që as këtë vit aleatët e Kosovës të mos e shtyjnë përpara agjendën për anëtarësimin e Kosovës në KiE, derisa nuk zbatohen kushtet e paraqitura.
“Për Këshillin e Evropës, ajo agjendë është tejkaluar. Ne nuk jemi në agjendë, ndoshta, po të kishim pasur qeveri, do të kishim pasur një shpresë se mund të ishte lëvizur diçka. Ne jemi duke humbur botëkuptimin tonë për politikën e jashtme. Duke iu referuar Ambasadës gjermane në Prishtinë, e cila ka thënë publikisht që kushtet e paraqitura më herët mbesin valide, ata nuk mund të shtyjnë asnjë agjendë për anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm derisa të zbatohen ato kushte. Ata s’kanë kërkuar që Kosova të themelojë Asociacionin, por vetëm të dërgojë draft-statutin për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Më pas, themelimi i tij mbetet ende çështje politike”, thekson Arifi.
Në anën tjetër, profesori i të drejtës kushtetuese, Kadri Kryeziu thotë për KosovaPress se edhe mosformimi i institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit ka ndikuar që të mos ketë vendimmarrje në Kosovë në lidhje me kërkesën e aleatëve për dërgimin e draft-statutit të Asociacionit në Kushtetuese.
Sipas tij, sa më shumë që zgjat kriza politike në Kosovë, aq më të mëdha do të jenë ndikimet negative në faktorin e jashtëm.
“Kjo formë e procesit është tepër negative, si për faktorin e brendshëm ashtu edhe për atë të jashtëm. Kam propozuar që sa më shpejt të krijohet qeveria, pasi këtë vit na presin punë të jashtëzakonshme. Duhet të kemi parasysh ndryshimin e administratës amerikane, i cili është ndryshim radikal dhe i paparashikueshëm. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të ndërgjegjshëm për formimin e një qeverie sa më parë”, thekson Kryeziu.
Pengesë për t’u përfshirë në agjendë vitin e kaluar u bë përcaktimi i Kosovës për të mos përmbushur kërkesën e tri prej shteteve kryesore të Bashkimit Evropian – Gjermanisë, Francës dhe Italisë – për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e propozuar nga BE-ja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Institucionet në Kosovë nuk e kanë pranuar draft-statutin e hartuar nga Bashkimi Evropian për Asociacionin, derisa janë shprehur kundër dërgimit të tij për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës në vitin 2022.