Nesër përfundon afati për subjektet e reja politike për aplikim për certifikim në zgjedhjet e 7 qershorit
Listës së 22 partive politike dhe 3 koalicioneve që deri më 7 maj njoftuan pjesëmarrjen në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, mund t’i shtohen edhe subjektet e reja politike.
Më 10 maj në orën 24:00, KQZ do të përmbyllë afatin për subjektet e reja politike, si nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, për të aplikuar për certifikim të pjesëmarrjes në zgjedhjet parlamentare të radhës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për Ekonomia Online se certifikimit do t’i nënshtrohen vetëm subjektet e reja politike, siç janë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, por jo edhe partitë politike, që ligji për zgjedhjet e përgjithshme i konsideron të certifikuara automatikisht.
“Deri më 10 maj, subjektet e reja politike (koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë online në KQZ, respektivisht në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar, aplikimin për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partia politike konsiderohet automatikisht e certifikuar, andaj ky proces do të vlejë vetëm për subjektet e reja politike, që në këtë rast janë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur”, tha Elezi.
Ndërkaq, dy ditë më pas, deri më 12 maj, të gjitha subjektet politike kanë kohë për të dorëzuar online në KQZ listën me emrat e kandidatëve me të cilët do të garojnë në zgjedhjet për Kuvend.
“Më 12 maj përmbyllet afati 11-ditor për subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) për të dorëzuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. Dorëzimi i listës me emrat e kandidatëve për deputetë, duhet të bëhet përmes platformës elektronike dhe procedura është e ngjashme me zgjedhjet e fundit që u mbajtën në dhjetor të vitit të kaluar”, tha ai.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura më 28 dhjetor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi 1,180 kandidatë për deputetë nga 24 subjekte politike. Nga këto, 18 ishin parti politike, 3 koalicione, 2 nisma qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.
Deri më tani, nga 53 parti politike të regjistruara në Kosovë, 22 prej tyre kanë njoftuar KQZ-në se do të marrin pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit, 9 të tjera për mospjesëmarrje dhe janë formuar 3 koalicione të ndryshme.
Partitë politike që kanë njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje janë: 1. Partia Socialdemokrate; 2. Kosovaki Nevi Romani Partia; 3. Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve; 4. Za Slobodu Pravdu i Opstanak; 5. Srpska Lista; 6. Yenilikçi Türk Hareket Partisi; 7. Lidhja Demokratike e Kosovës; 8. Fjala; 9. Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës; 10. Partia Rome e Bashkuar e Kosovës – PREBK; 11. Socialdemokratska Unija; 12. Jedinstvena Goranska Partija; 13. Kosova Demokratik Türk Partisi; 14. Nova Demokratska Stranka; 15. Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës; 16. Kosovski Savez; 17. Partia Balliste; 18. Partia Qytetare për Mirëqenie Sociale; 19. Partia Liberale Egjiptiane; 20. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës; 21. Stranka Demokratske Akcije; dhe 22. Partia Demokratike e Kosovës.
Partitë politike që kanë njoftuar mospjesëmarrjen në zgjedhje janë: 1. Partia Demokratike e Unitetit; 2. Balli Kombëtar i Kosovës; 3. Lëvizja Qytetare Vatra; 4. Bashkimi për Ndryshim Anamorava; 5. Partia e Drejtësisë; 6. Srpski Narodni Pokret; 7. Partia Reforma Demokratike; 8. Aleanca Kosova e Re; dhe 9. Nisma Socialdemokrate.
Partitë politike që kanë njoftuar formimin e koalicionit: 1. Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan (Koalicija VAKAT); (2). Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim (Ashkalitë e Bashkuar) dhe 3. Lëvizja Vetëvendosje, Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane (Lëvizja VETËVENDOSJE!)./Ekonomia Online



