
Nesër përpjekja e 35 për konstituimin e Kuvendit të Kosovës
Për herë të 35, deputetët do të tentojnë nesër (e shtunë) në orën 10:30 të konstituojnë Kuvendin e Kosovës. Në vazhdimet e seancës që nuk kanë zgjatur më shumë se 2-3 minuta, nuk ka pasur vota të mjaftueshme për formimin e Komisionit për votim të fshehtë, i cili do të mundësonte votimin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.
Përpjekja për konstituimin e Kuvendit ka dështuar sërish të enjten, duke e zgjatur edhe më tej ngërçin institucional në vend.
Kryesuesi Dehari ka ftuar edhe njëherë subjektet politike parlamentare që nuk i kanë propozuar deputetët për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, me votim të fshehtë, përkatësisht PDK-në, LDK-në, Listën serbe dhe AAK-NISMA-n, që ta bëjnë këtë.
Serish nuk kishte propozime për anëtarë të këtij komisioni.
Për përbërjen e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, votuan 51 deputetë, një votoi kundër ndërsa abstenime nuk pati.
Ndërkohë çdo përfundim të seancës përfaqësuesit e partive politike po hedhin akuza ndaj njëra-tjetrës për bllokim institucional.