Nesër përurohet libri ‘Magjia e Ligjërimit – intervistë me poetin dhe profesorin Agim Vinca’

20 qershor 2019 | 13:39

Nesër (e premte), në orën 12:00, në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, bëhet përurimi i librit të Mr. Miftar Kurtit “MAGJIA E LIGJËRIMIT (Intervistë me poetin dhe profesorin Agim Vinca)”.

“Libri Magjia e ligjërimit i autorit Miftar Kurti është një intervistë e gjatë me Prof. dr. Agim Vincën.  Të pyesësh është shpeshherë më vështirë se të përgjigjesh, sepse duhet të kesh njohuri për atë që pyet. Kurti i ka ngritur në art pyetjet e tij. Artin e vet brilant Agim Vinca e ka kultivuar kryesisht në kushte robërie. I lindur në Veleshtë të Strugës dhe i zhvendosur në Prishtinë, ai vuante njësoj, herë “çizmen serbe” dhe herë “opingën maqedonase”. Sikur edhe shkrimtarë të tjerë të mëdhenj, Agim Vinca ka dëshmuar se talenti përveç në paqe e qetësi, mund të zhvillohet edhe në kohë të rënda robërie. Leximi i këtij libri-intervistë të autorit Miftar Kurti është i lehtë, por hartimi i tij ka qenë i vështirë.  Me të mbaruar leximin, intervista na duket tepër e shkurtër, sepse na bën të mendojmë se e kemi parë vetëm ajsbergun, historinë e patreguar në tërësinë e saj” / Mehmet Hajrizi

“Sado që në kohë të fundit, si pasojë e sëmundjes, nuk po i besoj shumë kujtesës sime, megjithatë e di që kam thënë diku, bukur moti, se Agim Vinca është intelektuali më i kompletuar i ditëve tona dhe se për këtë kam argumente bindëse, të cilat, me kalimin e kohës, vetëm sa janë shtuar, andaj u gëzova shumë kur mora vesh se miku im i dashur, Miftar Kurti, e kishte përfunduar intervistën e tij të gjatë me profesorin e nderuar, për të cilën qysh moti kam qenë në dijeni se po e realizonte dhe mendonte ta botonte si libër. Një libër i tillë u duhet bibliotekave tona për shumë arsye. Unë po jap vetëm një dhe ju betohem në gjithçka që dua në këtë jetë se nuk po ju gënjej. Derisa po e lexoja dorëshkrimin, në dhomën time të punës kishte hyrë mbesa ime 3 vjeçe, Yllka. Aq shumë isha thelluar në lexim sa që, kur e vërejta, thirra në kupë të kresë: Yllkaaaa! U deshën disa sekonda që ta merrja vesh të vërtetën: kisha harruar se po bëheshin gati dy vjet që kisha humbur zërin!” / Sabit Idrizi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbështetësit e fushatës kundër tregtisë së armëve, kanë fituar një…