
Nesër shënohet Dita Botërore Kundër Duhanit
Me rastin e shënimit të Ditës Botërore Kundër Duhanit, Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, do të mbajë konferencë për medie.
Nesër, më 31 maj, është Dita Botërore Kundër Duhanit, ditë kjo që i kushtohet luftës kundër duhanit. Tema e Ditës Botërore Kundër Duhanit për vitin 2025 është: “Produkte të ndritshme. Qëllime të errëta. Zbulimi i tërheqjes”.
Kjo fushatë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) synon të ekspozojë taktikat mashtruese që industria e duhanit dhe produkteve të nikotinës përdor për të bërë produktet e saj tërheqëse, veçanërisht për të rinjtë.
Fushata e këtij viti thekson nevojën për rregullore më të rrepta, përfshirë ndalimin e aromave, paketimin e thjeshtë dhe ndalimin e reklamimit, promovimit dhe sponsorizimit të produkteve të duhanit dhe nikotinës.
Qëllimi është të mbrohen brezat e tanishëm dhe të ardhshëm nga dëmet e shkaktuara nga këto produkte duke zbuluar dhe kundërshtuar taktikat manipuluese të industrisë.