
Nesër tentativa e 16 për konstituimin e Kuvendit
Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen nesër (e enjte) sërish në orën 10:30 për ta konstituuar përbërjen e nëntë parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Gjithashtu, presidentja Vjosa Osmani po nesër i ka thirrur në një takim liderët e partive politike.
Ligjbërësit refuzuan për të shtatën herë rresht që ta formonin një komision për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës – sipas një propozimi të bërë më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pasi e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje (LV) për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti në disa votime t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u konfirmuar në pozitë.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës çështjen e votimit të fshehtë për kryetarin e Kuvendit të Kosovës.
Kërkesa për “interpretim të ndryshimit të votimit në mes të procedurave për zgjedhjen e kryeparlamentarit”, e paraqitur nga deputetë nga radhët e AAK-së, ka marrë mbështetjen edhe nga deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Pas dështimit të seancës së 15-të, e cila u mbajt të martën, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK)), njëherësh edhe deputet, Memli Krasniqi, e ka quajtur të pakuptimtë insistimin e Lëvizjes Vetëvendosje që Albulena Haxhiu të jetë kandidate për kryetare të Kuvendit. “Fatkeqësisht edhe sot, për të 15-n herë me radhë, pamë skenarin e njëjtë, këmbënguljen e njëjtë për mbajtjen e kësaj bllokade. Insistimin për skemë kundërligjore dhe kundërkushtetuese për votimin e fshehtë. Një qasje e tepërt dhe po e pengon ecjen tutje. Shpreh keqardhjen time dhe të PDK-së për situatën ku gjithë vendi, institucionet dhe qytetarët kanë mbetur peng nga Vetëvendosja, e cila, përkundër kërkesës, propozimit për ndërrim të kandidates, nuk po e bën këtë veprim”, ka thënë Krasniqi.
Ndërkaq deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë se situata e krijuar është seriali më i padëshirueshëm në vend. “Në fakt, herën e kaluar nuk u prononcova për shkak se s’po kemi më as çfarë të themi. Është e 15 herë. Na vjen shumë keq që, pa dashjen tonë, jemi bërë aktorë të serialit më të padëshirueshëm politik në Kosovë’’, ka thënë ajo.
Bajrami ka thënë se shpreson që partitë e tjera të marrin pjesë në takimin e thirrur nga presidentja Vjosa Osmani. Ajo ka thënë se LV-ja i ka edhe 13 parti parlamentare të cilave nuk u ka bërë ftesë si LDK-së, kështu që ajo i ka alternativat në dorë. “Nuk kemi propozim tjetër. Në fakt, siç duket, situata politike në Kosovë nuk ka një alternativë tjetër për të dalë prej kësaj situate, për arsyen e thjeshtë që as LV-ja e koalicioni i tyre nuk i kanë votat, dhe ne kemi pranuar me sinqeritet që as partitë e deridjeshme opozitare nuk i kanë numrat. Kështu që për të ecur përpara, kjo është alternativa të cilën e kemi vendosur në tavolinë. Shpresojmë që partitë politike të jenë në takimin e ftuar nga presidentja. Në qoftë se janë kundër propozimit tonë, atëherë po besoj që janë ata të cilët duhen të lëvizin. E kemi thënë sa herë që LV i ka edhe 13 parti të tjera parlamentare të cilave nuk u ka bërë ofertë siç i ka bërë LDK-së, andaj i ka alternativat në dorë”, ka thënë deputetja Bajrami.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, njëherësh deputet, Fatmir Limaj, ka përsëritur qëndrimin e tij për bisedime për krijimin e shumicës parlamentare nga e cila do të ndërtoheshin institucionet. “Në politikë duhet të bisedohet dhe duhet të takohesh. Duhen njerëz përgjegjës që kanë marrë përgjegjësi dhe janë persona publikë e drejtojnë parti politike apo institucione. E kanë për obligim që përtej unit të tyre dhe atyre politikave të mëhallëve primitive, t’i ikin dhe të ulen e të bisedojnë. Zakonisht bisedohet me ata që ki dallime ose mospajtime, që të tentohet të gjendet një marrëveshje”, është shprehur ai.
Limaj ka theksuar se duhet të vihet deri te një shumicë parlamentare pasi, sipas tij, kjo është rruga e shëndetshme demokratike. “Ajo shumicë parlamentare identifikohet ose etablohet tani në përzgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Sepse për çka quhet shumicë parlamentare. Ajo prej së cilës kanë me dalë institucionet prej saj, kryetari i Kuvendit dhe qeveria, pastaj ajo shumicë parlamentare mbështet qeverisjen me ligjet e saj”, ka deklaruar Limaj.
Ndërkaq kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka konfirmuar se do të shkojë të enjten në takim te presidentja. Ai ka thënë se po presin edhe vendimin nga Gjykata Kushtetuese. “Do ta dëgjojmë presidenten për të parë se çfarë qëndrimesh ka dhe çfarë sugjeron. Nëse kemi ndonjë sugjerim do ta japim. Ne jemi në pritje të vlerësimit nga Gjykata Kushtetuese për vendimet që kanë ndodhur në seanca. Unë e kam konfirmuar ftesën te presidentja”, ka thënë Haradinaj.
Qytetarët më 9 shkurt u janë drejtuar kutive të votimit për zgjedhjet parlamentare, ndërsa vendi ka hyrë në muajin e katërt pa konstituimin e institucioneve.