Nesër vendoset gurthemeli i Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë
Federata e Xhudos së Kosovës, nesër (e mërkurë) përmes një ceremonie zyrtare dhe me prani të udhëheqësve të lartë shtetërorë do të bëjë vënien e gurthemelit të Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë, duke filluar nga ora 09:00.
Kjo ngjarje shënon një moment të rëndësishëm për sportin e xhudos dhe për zhvillimin e mëtejshëm të tij. Qendra Nacionale e Xhudos do të shërbejë si një hapësirë për përgatitjen profesionale të sportistëve tanë, zhvillimin e gjeneratave të reja dhe avancimin e mëtejshëm të sukseseve që Kosova ka arritur në arenën ndërkombëtare.
“Krahas pranisë së kryeministrit së Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, dhe Ministrit të Rinisë dhe Sportit, z. Blerim Gashani, në këtë ngjarje do të marrin pjesë përfaqësues institucionalë, sportistë dhe komuniteti sportiv, duke shënuar kështu një moment të veçantë për sportin dhe bashkëpunimin ndërinstitucional”, ka shkruar Federata e Xhudos së Kosovës në njoftimin për këtë ngjarje të madhe për sportin e xhudos.



