
Netanyahu: Irani do të paguajë çmim të rëndë, fitorja është afër
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, vizitoi të dielën zonën e goditur nga raketat iraniane në Bat Yam, ku u zotua për një përgjigje të ashpër ndaj sulmeve. Ai theksoi se Irani do të paguajë një “çmim shumë të rëndë” për vrasjen e civilëve izraelitë.
“Jemi në një betejë ekzistenciale dhe çdo qytetar i Izraelit e kupton këtë sot”, deklaroi Netanyahu. Ai theksoi se nëse Irani do të kishte në dispozicion dhjetëra mijëra raketa të ngjashme, rreziku për Izraelin do të ishte shkatërrues.
“Prandaj kemi nisur një luftë shpëtimi kundër një kërcënimi të dyfishtë shfarosjeje. Dhe po e bëjmë këtë me forcë”, u shpreh ai, duke shtuar se Izraeli është “pranë një fitoreje” ndaj Republikës Islamike të Iranit.
Në të njëjtën kohë, Izraeli ka ndërmarrë një valë të re sulmesh ajrore, duke synuar qytetet iraniane Isfahan dhe Shiraz. Sipas agjencisë iraniane ISNA, një strukturë e lidhur me Ministrinë iraniane të Mbrojtjes është goditur në Isfahan. Mediat raportojnë për tym të dendur në Shiraz, ndërsa detaje të tjera mbi objektivat e sulmit ende mungojnë.