Netanyahu: “Jam shumë i lidhur me Izraelin e Madh” – Rajoni shpërthen në kritika

14 gusht 2025 | 17:49

Pas deklaratave të Benjamin Netanyahu-t se është “shumë i lidhur” me vizionin e “Izraelit të Madh”, reagimet në rajon shpërthyen për të dënuar mbështetjen e kryeministrit izraelit për këtë ide ekspansioniste të shtetit hebre.

Projekti i “Izraelit të Madh” advokon për zgjerimin e shtetit izraelit në dëm të një numri të madh territoresh fqinje, përfshirë Rripin e Gazës, Bregun Perëndimor, të gjithë Libanin, Jordaninë, një pjesë të madhe të Sirisë dhe Irakut, si dhe pjesë të Arabisë Saudite, Kuvajtit, Turqisë dhe Sinait egjiptian.

Në një intervistë të martën në i24, Netanyahu deklaroi se ndihet i ngarkuar me një “mision historik dhe shpirtëror” dhe se është “shumë” i lidhur me vizionin e Izraelit të Madh.

ëto komente u bënë pak përpara se ushtria izraelite të miratonte planin e qeverisë për të marrë qytetin e Gazës, ndërsa ministri i Financave Bezalel Smotrich miratoi ndërtimin e mbi 3 mijë banesave në një vendbanim të ri që mund të ndajë më dysh Bregun Perëndimor të pushtuar dhe të izolojë Jerusalemin Lindor.

Një deklaratë nga zyra e Smotrich theksoi se ky projekt pengon rrugën drejt krijimit të një shteti palestinez, ndërkohë që shumë vende, të udhëhequra nga Franca, kanë njoftuar kohët e fundit synimin për të njohur shtetin palestinez gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator.

Rreziqe për stabilitetin në Lindjen e Mesme

Deklaratat e Benjamin Netanyahut provokuan një kor kritikash në të gjithë botën arabe.

Të mërkurën në mbrëmje, Ministria e Jashtme e Egjiptit dënoi këtë ide dhe kërkoi sqarime.

“Egjipti riafirmon angazhimin e tij për vendosjen e paqes në Lindjen e Mesme dhe dënon atë që është raportuar në disa media izraelite në lidhje me të ashtuquajturin ‘Izrael i Madh’. Kjo pasqyron nxitjen e destabilitetit, refuzimin e opsionit të paqes dhe insistimin në përshkallëzim”, thuhet në një deklaratë të ministrisë.

Arabia Saudite, nga ana e saj, përmes Ministrisë së Jashtme, hodhi poshtë “idetë dhe projektet koloniale e ekspansioniste” të autoriteteve izraelite, duke theksuar se populli palestinez ka “një të drejtë historike dhe ligjore për të krijuar një shtet të pavarur dhe sovran në tokat e tij”.

Mbretëria saudite dënoi gjithashtu shkeljet izraelite që “rrezikojnë sigurinë dhe paqen rajonale dhe globale”.

Zëdhënësi zyrtar i Ministrisë së Jashtme jordaneze, Soufiane Qudah, i cilësoi deklaratat e Netanyahu-t si “iluzione absurde”, që nuk do të vënë në diskutim “të drejtat legjitime dhe të patjetërsueshme të popullit palestinez”.

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC), Jassem al-Budaïwi, nga ana e tij, i përshkroi komentet e Benjamin Netanyahu-t si një shkelje flagrante të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të së drejtës ndërkombëtare, si dhe një sulm të qartë ndaj sovranitetit dhe unitetit të shteteve arabe.

Ai u bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të mbajë një “qëndrim të vendosur” ndaj “deklaratave provokuese” të kryeministrit izraelit.

“Libani ekzistonte përpara Izraelit”

Liga Arabe gjithashtu dënoi “mospërfilljen e rrezikshme” të Netanyahu-t ndaj “sovranitetit të kombeve arabe dhe një kërcënim serioz për sigurinë kolektive arabe”.

Duke dënuar “qëllimet ekspansioniste dhe agresive” të ushqyera nga “iluzione koloniale”, ajo u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara dhe Këshillit të Sigurimit që të veprojnë me vendosmëri.

Në Liban, pak vetë reaguan publikisht ndaj deklaratës së Netanyahu-t.

Megjithatë, kreu i Lëvizjes së Lirë Patriotike, Gebran Bassil, shkroi në platformën X: “Libani ekzistonte për mijëra vjet përpara Izraelit, dhe do të qëndrojë përjetësisht. Amen”, pa e bërë të qartë nëse kjo ishte një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj komenteve mbi “Izraelin e Madh”.

Përtej projektit të “Izraelit të Madh”, disa izraelitë të ekstremit të djathtë përkrahin kolonizimin e jugut të Libanit, siç është rasti i organizatës “Uri Tzafon”, e themeluar në qershor të vitit 2024.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se nuk do të…