Nevzad Lutfiu thotë se 200 adresa të shqiptarëve janë pasivizuar në Luginë këtë vit

14 gusht 2025 | 12:23

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSh) në Luginën e Preshevës, Nevzad Lutfiu, ka thënë të enjten se autoritetet serbe i kanë pasivizuar 200 adresa të shqiptarëve në jug të Serbisë deri tani këtë vit.

Ai ka thënë se këto të dhëna i mori nga stacionet policore në Bujanoc dhe Preshevë për periudhën janar-korrik 2025.

“Përgjigjen me shkrim e mora dje: gjatë periudhës së lartpërmendur, në Komunën e Preshevës janë pasivizuar 174 adresa, ndërsa në Komunën e Bujanocit 26 adresa”, ka shkruar Lutfiu në “Facebook”.

Ai ka theksuar se ka “dyshime për dhënat në komunën e Bujanocit dhe se është në pritje “të një përgjigje tjetër për ta vërtetuar këtë”.

Lutfiu ka thënë se “ajo që po ndodh është racizëm, një spastrim i pastër etnik”.

Pasivizimi i adresave është një çështje për të cilën shqiptarët në jug të Serbisë janë ankuar vazhdimisht dhe kanë dalë në rrugë për të protestuar.

Pasivizimi nënkupton fshirjen e qytetarëve prej adresave ku kanë qenë të regjistruar. Ky hap rezulton me humbjen e shtetësisë serbe, e rrjedhimisht të të gjitha të drejtave civile – përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, për të pasur sigurim shëndetësor e pension dhe për t’u punësuar.

Kjo çështje është përmendur edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në Serbi, për vitin 2023.

Në të është thënë se pasivizimi i adresave duket se është kryer në mënyrë joproporcionale ndaj shqiptarëve, sidomos në Medvegjë.

Nëntorin e kaluar, Bashkimi Evropian ka thënë se ishte në dijeni për shqetësimet e shqiptarëve në jug të Serbisë në lidhje me pasivizimit të adresave të tyre, dhe i bëri thirrje përsëri Beogradit zyrtar ta sqarojë këtë çështje.

Në Serbi jetojnë më shumë se 60 mijë shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe atje, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022.

Në raportet ndërkombëtare, Lugina e Preshevës – term që përdoret për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, komuna të banuara me shumicë shqiptare në jug të Serbisë – konsiderohet tërësisht e izoluar dhe thuhet se merr vëmendje vetëm në kohë zgjedhjesh.

Njoftimi i Lutfiut vjen një ditë pasi zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se mbrojtja dhe avancimi i të drejtave të shqiptarëve në Serbi nuk është vetëm nevojë, por “edhe domosdoshmëri”.

Ai më 13 gusht është takuar me deputetin e vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi.

Në takim, sipas njoftimit të lëshuar nga Qeveria e Kosovës, u diskutua për “politikat diskriminuese e shtypëse të Serbisë” ndaj shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet.

Muajin e kaluar, Kamberi e ka dorëzuar një draft-rezolutë në Kuvendin e Serbisë lidhur me situatën e shqiptarëve në jug të Serbisë, dhe ka propozuar që kjo temë të jetë pjesë e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

Në draft-rezolutën e Kamberit kërkohet që Kuvendi i Serbisë “të pranojë qasjen diskriminuese dhe të shprehë përkushtim institucional për të përmirësuar pozicionin e komunitetit shqiptar në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës”.

Dokumenti bën thirrje për zbatim të marrëveshjeve të viteve 2001, 2009 dhe 2013, dhe për pezullim të menjëhershëm të masave administrative për pasivizim të adresave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetarja e Alternativës, deputetja, Mimoza Kusari, ka bërë me dije…