Neymar reagon pasi s’u ftua në Kombëtaren e Brazilit

17 mars 2026 | 12:36

Neymar e ka shprehur zhgënjimin e tij të madh pasi u la jashtë listës së fundit të Kombëtares së Brazilit nga trajneri Carlo Ancelotti.

Sulmuesi i Santosit ka vendosur të flasë hapur, duke e dërguar një mesazh të qartë për situatën e tij.

“Jam i mërzitur dhe i zhgënjyer”, ka thënë fillimisht ish-futbollisti i Barcelonës dhe Paris Saint-Germainit.

Ylli brazilian nuk e fshehu aspak zhgënjimin pas vendimit të trajnerit italian.

“Do të flas, sepse nuk mund ta mbaj këtë të heshtur. Natyrisht që jam i zhgënjyer dhe i mërzitur që nuk jam ftuar”, ka thënë ai.

Megjithatë, Neymar ka treguar edhe vendosmëri për të mos u dorëzuar, duke theksuar se mbetet i fokusuar te objektivat e tij dhe se do të vazhdojë të punojë çdo ditë për t’u rikthyer në nivelin më të lartë.

Vendimi i Ancelottit lidhet me gjendjen fizike

Pavarësisht se ka treguar sinjale rikthimi me Santosin, duke kontribuar me gola dhe asistime në ndeshjet e fundit, Neymar nuk arriti ta bindë stafin teknik për gjendjen e tij fizike.

Vendimi i Carlo Ancelottit lidhet kryesisht me faktin që lojtari nuk është ende në 100 për qind të formës, pas problemeve të shumta fizike dhe rikuperimit të gjatë nga dëmtimi serioz në gju.

Gara me kohën për Kupën e Botës

Për Neymarin, kjo është një garë kundër kohës për ta siguruar një vend në Kupën e Botës 2026.

Edhe pse mungon në këtë grumbullim, dera nuk është mbyllur plotësisht për të.

Vetë lojtari e ka bërë të qartë se objektivi i tij mbetet i njëjtë: të rikthehet në formën më të mirë dhe të jetë pjesë e listës finale të Brazilit.

“Do të vazhdoj i fokusuar, ditë pas dite, stërvitje pas stërvitjeje, ndeshje pas ndeshjeje. Do ta arrijmë qëllimin”, ishte mesazhi i tij.

E ardhmja mbetet e hapur

Pavarësisht zhgënjimit aktual, Neymar vazhdon të besojë te rikthimi i tij në nivelin më të lartë ndërkombëtar. Vendimi përfundimtar për Kupën e Botës do të varet nga forma e tij në muajt në vijim, në një moment delikat të karrierës së tij.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi i kombëtares shqiptare, Rey Manaj, nuk do të jetë…