
Nga 1 752 persona që mbahen në burgje, vetëm katër janë të dënuar për fajde
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shprehur shqetësim të thellë për numrin tepër të ulët të personave të dënuar për veprën penale të fajdes në Kosovë.
Në një reagim në Facebook, ajo ka bërë të ditur se aktualisht, nga 1,752 persona që mbahen në institucionet korrektuese, vetëm 4 janë të dënuar për fajde, ndërsa 8 të tjerë ndodhen në paraburgim.
“Ky realitet është alarmues dhe tregon që, pavarësisht ndikimit të madh që këto vepra kanë mbi jetën e qytetarëve dhe pasojave të tyre sociale e shpesh tragjike, sistemi ynë i drejtësisë nuk po i trajton me seriozitetin dhe vendosmërinë që kërkohet”, ka theksuar Haxhiu.
Ajo ka paralajmëruar se fajdeja nuk është thjesht një vepër e izoluar, por pjesë e një zinxhiri kriminal që prek më të pambrojturit dhe krijon një ndjenjë të thellë padrejtësie në shoqëri. Sipas saj, rastet e fundit tragjike tregojnë qartë pasojat e neglizhencës institucionale ndaj këtij fenomeni.
Ministrja ka bërë thirrje për rishikimin urgjent të politikave ndëshkimore dhe forcimin e hetimeve e ndjekjes penale për fajden.
“Nuk mund të flasim për një shtet të së drejtës derisa kriminelët ecin të lirë, ndërsa viktimat jetojnë në frikë dhe pasiguri”, ka shkruar Haxhiu.