Nga 1 qershori Shqipëria hap kufijtë tokësorë me fqinjët dhe plazhet për hotelet

26 maj 2020 | 08:40

Shqipëria ka hyrë në javën e fundit të izolimit. Nga 1 qershori do t’i hapë kufijtë tokësorë me fqinjët dhe plazhet për hotelet. Kështu ka bërë me dije kryeministri Edi Rama në një komunikim në rrjetet sociale.

“Duke nisur nga e hëna e 1 qershorit do t’i hapim kufijtë tokësorë me fqinjët për të gjithë shqiptarët, qofshin me pasaportë të Shqipërisë, Kosovës apo Maqedonisë së Veriut. Atyre u bëjmë thirrje për kujdes”, ka thënë Rama.

Sipas kreut të ekzekutivit, nga data 10 qershor plazhet do të hapen për të gjithë, raporton Koha.

“Këtë javë mbyllim sistemin e administrimit të plazheve. Parimin e ‘rërës së nxanun’ me çadra dhe shezllone do ta ndëshkojmë pa asnjë kompromis. Greqia ka vendosur t’i hapë plazhet në korrik, të tjerët ende. Nga 1 qershori do t’i hapim plazhet vetëm për hotelet dhe pas 10 qershorit për të gjithë”, ka thënë Rama.

Operatorët turistikë e konsiderojnë të paqartë vendimmarrjen e qeverisë.

Kliton Gërxhani, kryetar i Shoqatës së Operatorëve Turistikë, shprehet se është e pakuptimtë hapja e plazheve, ndërkohë që ende nuk dihet si do të veprohet në fundjava. Sipas Gërxhanit, qeveria duhet ta stimulojë turizmin vendës dhe nuk mund t’i ndalojë qytetarët të shkëputen nga qytetet gjatë së shtunës dhe së dielës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Disa vende evropiane kanë filluar rihapjen e shkollave pas lehtësimit…