Nga 26 maji deri më 9 qershor Kosova do jetë nikoqire ‘Defender Europe 2025’

23 maj 2025 | 16:14

Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije se 26 maji deri më 9 qershor të këtij viti Kosova do jetë nikoqire e ushtrimit më të madh ndërkombëtar, të drejtuar nga ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) për Evropë dhe Afrikë “Defender Europe 2025”.

Gjatë kësaj periudhe kohore, siç ka njoftuar kjo ministri, do ketë lëvizje të konvojeve nga vendbanimet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në drejtim të rajonit të Gjakovës, saktësisht Aeroportit të Gjakovës dhe poligonit ushtarak në Babaj të Bokës.

“Kjo lëvizje do të realizohet me qëllim të ekzekutimit të ushtrimit ndërkombëtar ‘Defender Europe 25’, prandaj kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve gjatë periudhës së zhvillimit të ushtrimit”.

“Forca e Sigurisë së Kosovës përmes ekzekutimit të këtij ushtrimi do të tregojë gatishmërinë operacionale dhe shkallën e ndërveprueshmërisë luftarake me vendet partnere dhe të rajonit, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipërinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë”, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes.

Kosova në vitin 2023 ishte përjashtuar nga ushtrimi “Defender Europe 2023” si masë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas tensioneve në veri të vendit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkimi Evropian (BE) mbetet mbështetës i fuqishëm i rrugëtimit të…