Nga Berlini në Kopenhagë për 4 orë? KE synon rrjetin hekurudhor me shpejtësi të lartë deri në 2040

05 nëntor 2025 | 20:43

Nëse gjithçka shkon sipas vizionit të Komisionit Evropian, europianët mund të jenë në mëngjes në Berlin dhe të hanë drekë në Kopenhagë, të udhëtojnë nga një kryeqytet në tjetrin përmes një treni super të shpejtë që kalon kontinentin si një linjë arteriale moderne.

Sipas The Guardian, Komisioni Evropian publikoi planet për ndërtimin e një rrjeti hekurudhor “me të vërtetë evropian” me shpejtësi të lartë deri në vitin 2040, që do të ulë ndjeshëm kohën e udhëtimit mes qyteteve kryesore të kontinentit. Trenet pritet të arrijnë shpejtësi mbi 250 km/h, duke konkurruar drejtpërdrejt me fluturimet e shkurtra brenda BE-së.

Nëse projekti realizohet, udhëtimi midis Berlinit dhe Kopenhagës mund të zgjasë vetëm katër orë deri në vitin 2030, nga shtatë që duhen sot. Po ashtu, rruga midis Sofies dhe Athinës do të shkurtohet në gjashtë orë, nga pothuajse 14 aktualisht. Ndërkohë, një udhëtim midis Talinit dhe Rigës do të zgjasë vetëm 1 orë e 45 minuta (krahasuar me mbi 6 orë tani), dhe rruga Lisbonë–Madrid do të reduktohet nga nëntë në tre orë.

Komisioneri për Transportin, Apostolos Tzitzikostas, e quajti këtë një hap drejt “një rrjeti më të shpejtë dhe vërtet evropian”, duke theksuar se objektivi është ta bëjë trenin alternativën më tërheqëse ndaj avionëve, sidomos për distancat e shkurtra dhe mesatare.

Megjithatë, sfidat janë të mëdha: infrastrukturë e pamjaftueshme, sisteme të papërputhshme, rregullore që bien ndesh dhe një sistem biletimi që sot konsiderohet “një labirint burokratik”.

Aktualisht, rreth 12,128 kilometra linja hekurudhore me shpejtësi të lartë ndodhen kryesisht në Francë, Gjermani, Itali dhe Spanjë, ndërsa Evropa Qendrore dhe Lindore mbeten “dobët të lidhura”.

Ekspertët llogarisin se 546 miliardë euro do të nevojiten për të trefishuar rrjetin ekzistues, duke përfshirë ndërtimin e infrastrukturës, blerjen e trenave të rinj dhe zhvillimin e teknologjisë së përbashkët të sinjalizimit dhe biletimit në nivel kontinental.

Një nga qëllimet ambicioze të Komisionit është krijimi i një platforme unike për biletat ndërkufitare, që do t’u mundësonte pasagjerëve të blejnë një biletë të vetme për udhëtime në disa shtete, madje edhe kombinimin e trenit me avionin në një itinerar të vetëm. Propozimet ligjore për këtë pritet të publikohen në fillim të vitit 2026.

Organizatat e konsumatorëve dhe industrisë e kanë pritur planin me optimizëm. Robin Loos nga Organizata Evropiane e Konsumatorëve (BEUC) e përshkroi si “një hap përpara për udhëtimet e qëndrueshme”, ndërsa Community of Railway and Infrastructure Companies (CER) e cilësoi objektivin e 250 km/h si një “standard të ri konkurrues me udhëtimet ajrore”.

Megjithatë, jo të gjithë janë bindur. Eksperti i pavarur, Jon Worth, vuri në dyshim realizimin e projekteve konkrete, duke e quajtur dokumentin e Komisionit “më shumë aspiratë sesa plan real”. Ai theksoi se projektet e mëparshme të BE-së për rrjetet hekurudhore kanë qenë “jashtëzakonisht të ngadalta” në zbatim, duke pyetur pse këtë herë gjërat do të jenë ndryshe.

Nëse Evropa arrin ta përmbushë këtë vizion, do të ishte një revolucion transporti, një mënyrë për të lidhur kontinentin më ngushtë, për të ulur ndotjen dhe për t’i dhënë fund epokës së fluturimeve të shkurtra. Por deri në atëherë, mbetet një “premtim në shina”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Japonia dërgoi trupa në veriun e vendit të mërkurën për…