Nga burgu në liri, 21 vjet më parë

09 mars 2022 | 22:10

Sadik Zeqiri

21 vjet më parë, më 8 mars, isha i burgosur në burgun e Nishit. Disa ditë para kësaj date më kishte ardhur ftesa për gjykim. Ishte vendosur: gjykimi mbahej në gjykatën e Leskovcit. Mbahej aty sepse ne që ishim të akuzuar nga Prokuroria e Pejës, Gjykata e Qarkut e Pejës pas luftës kishte kaluar në Leskovc. Unë kisha marrë disa ftesa për gjykim, por ato shtyheshin pa arsye. Kisha bërë rreth dy vjet e gjysmë burg dhe ende mbahesha i pagjykuar. Në të njëjtën vepër me mua ishte edhe baca Ramë (i vrarë në Dubravë), por edhe Gëzimi dhe Arbeni. Të gjithë akuzoheshim për veprimtari armiqësore, sipas nenit 136, alineve 1 dhe 2, nenit 139, nenit 125 që përfshinte veprën për terrorizëm sipas kodit penal të Jugosllavisë që nuk ekzistonte më.

Ftesën e kishim marrë më 9 mars për paraqitje në Gjykatën e Leskovcit. Seanca pritej të mbahej me fillim nga ora 9:30. Gardianët na njoftuan në mbrëmje që në orën 5.00 të mëngjesit të bëheshim gati për t’u nisur për në Leskovc. Atë ditë gjykoheshin edhe disa të burgosur të tjerë. Ne në burgun e Nishit bënim nganjëherë edhe kujdestari, pastronim gjithë natën korridoret e gjatë të pavijonit. Unë isha i burgosur në katin e tretë, në dhomën numër 13. Kati i tretë kishte shtatë dhoma me nga 50 të burgosur. Pasi të nesërmen, më 9 mars, kisha gjykimin, një nga shokët e dhomës, Agron Syla, më zëvendësoi. Më tha shko bëj gjumë. Por gjithë natën nuk fjeta nga meraku se çfarë do të ndodhte të nesërmen në seancë.

Zbardhi mëngjesi i 9 marsit. Gardianët erdhën te grilat dhe thirrën emrin tim. Më kërkuan të çohem, të dal nga dhoma dhe të nisem për Leskovc. Unë veçse isha gati. Dolëm nga pavijoni, nga oborri i burgut dhe u nisëm për tek automjetet e burgut. Aty na i lidhën duart pas shpine dhe na futën në automjete. Nga Nishi për në Leskovc bëmë disa orë rrugë. Më në fund mbërritëm në oborrin e gjykatës. Në korridoret e Gjykatës së Qarkut të Leskovcit pritëm disa orë sepse nuk kishte salla të lira për gjykim. Pas një pritjeje të gjatë filloi seanca ndaj ne të treve, që vazhdonin të na mbanin me duar lidhur. Gjykatësi na pyeti a e ndienim veten fajtorë dhe a ishim pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përgjigjja jonë ishte: Nuk e ndiejmë veten fajtorë, ndërsa pranuam se ishim pjesëtarë të UÇK-së. Këtë udhëzim, për tu përgjigjur kështu në Gjykatë, e morëm nga shokët tanë më të vjetër që i kishim në burgun e Nishit. Pasi dëgjuan mendimin tonë dhe të prokurorëve, gjyqtarët na udhëzuan të dalim në korridor për ta pritur vendimin. Meqë ishte bërë një kohë e gjatë pas luftës, gjyqtarët kishin bërë ndryshime në aktakuzë. Në seancë na hoqën nenin 139 nga aktakuza. Me atë nen dënimi ishte mbi 10 vjet burg. Na kishte mbetur vetëm neni 136 në ndërlidhje me nenin 125.

Pas 30 minutash pauzë na ftuan të futemi në sallën e gjyqit për ta dëgjuar vendimin e gjykatësit dhe porotëve. Fillimisht kërkuan të çohemi në këmbë. U çuam. Gjyqtari serb, në emër të popullit, shpalli aktgjykimin. U dënuam me nga 28 muaj burg, aq sa kishim mbajtur deri atë ditë. Më pas mori vendim të na lirojë. Gardianët na i hoqën prangat. U gëzuam shumë. Dolëm nga salla e gjyqit dhe së bashku me gardianët u nisëm të dalim jashtë objektit të gjykatës. Kur dolëm në oborr ata nuk kishin vetura të na kthenin në Nish. Na thanë të flemë një natë në burgun e Leskovcit. Kur na dërguan te burgu ata nuk na pranuan, me arsyetimin se tashmë ishim liruar nga gjykata. Mbetëm duke u sjellë nga burgu te gjykata. Pas dy orësh erdhi një veturë tjetër me disa të burgosur të burgut të Leskovcit. Na futën në të e na sollën në Nish. Ora kishte shkuar tre pasdite. Në oborrin e burgut të Nishit shokët ishin ende aty. Gardianët na urdhëruan që para orës 16.00 të bëheshim gati dhe ta lëshonim burgun.

I bëmë gati ato pak rroba që i kishim dhe dolëm në oborr. Aty na pritnin mbi 600 të burgosur shqiptarë për t’u përshëndetur me ne. Filluam të ndaheshim me shokët që kishim kaluar kohë të gjatë në këtë burg. Disa na jepnin nga një letër për t’ua dërguar familjarëve në Kosovë, disa na porositnin t’i vizitonim familjet e tyre. Derdhnin lot të gjithë, edhe ne me ta. Lotët tanë nuk ishin lot gëzimi, por lot mërzie që ne po dilnim e ata po i linim aty. Na hapën dyert e burgut dhe dolëm në rrugë. Ishim të lirë, por nuk dinim kah të shkonim. Nuk dinim as nga është Kosova, as nga cila anë është qyteti i Nishit. Rreth orës 17.00, pas një ore qëndrim në rrugë, erdhi drejtori i burgut të Nishit, e ndali veturën para nesh dhe na pyeti pse po qëndrojmë aty. I thamë që s’ka ardhur askush të na marrë e të na dërgojë në Kosovë.

Ai e njoftoi Kryqin e Kuq në Nish. Pas një kohe erdhën dy vajza. Na thanë të shkojmë në qytet, në zyrat e Kryqit të Kuq, për të fjetur aty deri nesër, sepse Kryqi i Kuq ishte njoftuar se ne do të lëshohemi nesër dhe se, po ashtu, nesër i sjellin edhe disa të burgosur nga burgu i Sremit të cilët ishin liruar dhe që të gjithëve na dërgojnë në Kosovë. Kjo ishte arsyeja që s’kishin ardhur të na pritnin. Ne insistuam të niseshim për Kosovë, jo për Nish. Më të sigurt e ndienim veten në burg sesa në Nish. Vajzat e Kryqit të Kuq e thirrën prapë drejtorin e burgut, e lutën të na linte të flinim deri nesër, por drejtori u tha. “Ne e respektojmë vendimin e gjykatës. Ata tashmë janë të lirë dhe nuk guxojmë t’i lejojmë brenda”, u kishte thënë drejtori.

I bindëm, me shumë këmbëngulësi, të na nisnin për Kosovë. Vajzat gjatë rrugës folën me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar, me mision në Kosovë, me një djalë të nacionalitetit francez. Sebastian e kishte emrin. Sebastiani na kishte vizituar disa herë në Nish. E njihnim dhe i besonim. Rreth orës 10.00 të natës arritëm në Merdar, në kufirin e Kosovës. Policia serbe e ndali veturën në të cilën ishim dhe na zbriti në tokë. Na kërkoi dokumentet e udhëtimit. Ne, përpos vendimit për lirim nga burgu, nuk kishim ndonjë dokument tjetër. Na i mori të gjitha dokumentet, edhe letrat që na kishin dhënë të burgosurit për t’ua dërguar familjarëve të tyre. Pas shumë presioneve që na bënë milicët, na thanë të nisemi këmbë për ta kaluar kufirin.

Në territorin e Kosovës na dolën përpara disa ushtarë dhe një përkthyese. Ne mendonim se ende jemi në territorin e Serbisë e se ata përballë nesh janë ushtarë serbë. Ata na ndaluan në një distancë prej 20 metrash sepse nuk e dinin kush jemi dhe nga vinim. Në gjuhën shqipe u thamë që jemi ish të-burgosur dhe që jemi liruar nga burgu. Vajza, përkthyese shqiptare, ka vrapuar në drejtimin tonë dhe na ka përqafuar nga gëzimi dhe na ka uruar mirëseardhje në shtëpinë tonë, në shtetin tonë – Kosovë.


Më pas kemi hyrë në barakat e KFOR-it në kufi dhe aty na kanë shërbyer kafe espresso. Nuk kishim pirë kafe që me rastin e arrestimit. Ishte bërë kohë e gjatë. Pas një ore qëndrim aty ka ardhur Kryqi i Kuq në krye me Sebastianin. Kryqi i Kuq e kishte kontaktuar edhe vëllanë tim, Nekiun. Edhe ai ishte nisur bashkë me babanë tim për në Merdar. Derisa hipnim në veturat e Kryqit të Kuq, kanë ardhur babai dhe vëllai im. Jemi përshëndetur me Sebastianin dhe kemi hyrë në veturën e familjes sonë. Jemi nisur për Gjakovë. Në shtëpi kemi mbërritur rreth orës tre të mëngjesit.

U vonuam pak kohë pasi që së pari Gëzimin dhe Arbenin i dërguam në shtëpinë e tyre, më pas shkuam në shtëpinë time, ku më pritnin nëna dhe familjarët e tjerë. Mëngjesin e pritëm zgjuar, duke u çmallur me njëri-tjetrin. Lajmi për lirimin tonë kishte marrë dhenë. Filluan të vijnë për vizitë qytetarë nga të gjitha viset e Kosovës. Vinin të njohur dhe të panjohur të cilët kishin familjarë të vet në burgje dhe të zhdukur për të marrë ndonjë informacion për ta. Vizitat kanë zgjatur për ditë të tëra. Edhe pse ndodhesha në liri, gëzimin nuk e kisha të plotë. Më kishin mbetur në burgje shokët e ngushtë. Shokët e mirë. Përjetuesit e masakrës së burgut të Dubravës. Kisha përjetuar shumë vuajtje e tortura me ta në kohë të ndryshme, qysh në burgun e Pejës, të Dubravës, të Lipjanit, të Nishit e të Leskovcit.

Për koincidencë, 9 marsi i lirimit tim përkoi me ditëlindjen e gruas sime, të Naimes, datë që s’e harroj kurrë dhe që e festojmë bashkë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Disa nga komandantët e UÇK-së janë mbledhur për qejfi në…