Nga deficiti te inflacioni: Hamza thotë se ka përkeqësim të dukshëm të gjendjes ekonomike

23 shkurt 2026 | 22:58

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, në emisionin “Debat Plus” ka paralajmëruar për përkeqësim të dukshëm të gjendjes ekonomike në Kosovë, duke e lidhur atë drejtpërdrejt me rënien e standardit të jetesës së qytetarëve.

“Disa indikatorë financiarë dhe makroekonomikë janë duke u përkeqësuar,” deklaroi Hamza, duke iu referuar vlerësimeve të institucioneve ndërkombëtare.

Ai shtoi se edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, përmes misionit sipas nenit 4, ka evidentuar përkeqësim në balancat kryesore. “Nëse i referohemi edhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, mbi bazën e nenit katër që vijnë e bëjnë rishikimin, del që deficiti i llogarisë rrjedhëse u përkeqësua, deficiti tregtar u përkeqësua,” tha ai.

Hamza e lidhi ngadalësimin ekonomik me funksionimin institucional. “Rritja ekonomike, si rezultat i bllokadave institucionale, ka rënë nën 4 për qind në tremujorin e fundit të vitit të kaluar,” u shpreh ai.

Ai foli edhe për presionin e çmimeve mbi familjet kosovare. “Inflacioni ka vazhduar me u rrit dhe në janar ishte 5.8 për qind në raport me periudhën paraprake. Po vazhdon rëndimi i standardit të jetesës,” tha Hamza.

Në qendër të kritikës së tij ishte edhe politika fiskale. “Buxheti i ri nuk e ka reflektuar strukturën e ekonomisë të Kosovës,” deklaroi ai, duke lënë të kuptohet se, sipas tij, qasja aktuale buxhetore nuk po e adreson realitetin ekonomik me të cilin përballen qytetarët dhe bizneset.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
New York Times ka zbuluar mënyrën se si Irani po…