
Nga e hëna, narrativa e Prokurorisë përballë dëshmitarëve ndërkombëtarë të historisë së Kosovës
Ky zhvillim në Hagë përbën një kthesë të rëndësishme për procesin, pasi dëshmitarët kanë pas vetes një histori të rëndësishme për të treguar – duke qenë akterë direkt në zhvillimet e viteve 1998–1999.
Të hënën nis një kthesë e rëndësishme në procesin gjyqësor kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Dëshmitarë me peshë ndërkombëtare, figura kyçe të luftës së Kosovës për liri, do të paraqiten në sallë – në anën e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi.
Interesimi për këtë fazë të re në Hagë është i madh.
Vetë Dhomat e Specializuara në Hagë kanë bërë të ditur se një numër i lartë njerëzish kanë kërkuar ta përcjellin seancën nga galeria e publikut, ngjitur me sallën e gjyqit.
Ende nuk është dhënë zyrtarisht asgjë për emrat e dëshmitarëve. Por nga ajo që dihet, ish-gjenerali i NATO-s, Wesley Clark, ish-kryeadministratori i Kosovës, Bernard Kouchner, ish-ambasadori William Walker, si dhe të tjerë – kryesisht nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania – kanë pranuar të dëshmojnë në anën e mbrojtjes.
Ky zhvillim në Hagë përbën një kthesë të rëndësishme për procesin, pasi dëshmitarët kanë pas vetes një histori të rëndësishme për të treguar – duke qenë akterë direkt në zhvillimet e viteve 1998–1999.
Ata do të dalin përballë narrativës së Prokurorisë, e cila e cilëson UÇK-në si “Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale”.
Dëshmitë e mbrojtjes pritet të zgjasin deri në mesin e nëntorit. Ndërsa deri në dhjetor, palët kanë afat të paraqesin me shkrim fjalët përmbyllëse. Pas këtij momenti, procesi hyn në fazën përfundimtare – ku paneli gjyqësor do të tërhiqet për të marrë aktgjykimin.
Para të hënës, më 14 shtator, mijëra qytetarë shqiptarë nga Kosova dhe diaspora do të mblidhen në një nga sheshet e kryeqytetit të Holandës – në një protestë përkrahëse për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Kanë kaluar gati pesë vjet që kur këto katër figura të larta të UÇK-së dhe të institucioneve të Kosovës mbahen në paraburgim. Seancat e shqyrtimit të procesit nisën më 3 prill 2023 dhe tashmë po shkojnë drejt përmbylljes.
I gjithë procesi është përcjellë me kritika të mëdha për shkelje te të drejtave të njeriut dhe për mungesë transparence.