
Nga fiskalizimi tek urat: Vendimet e qeverisë në detyrë vihen në pikëpyetje
REL | Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar rreth 12 vendime pas datës 27 mars, kur janë shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare.
Një nga vendimet e fundit, që është publikuar më 9 korrik në Gazetën Zyrtare të Kosovës, ka të bëjë me ndërtimin e një shkolle të muzikës dhe të një muzeu në Luginën e Preshevës, për çka janë ndarë rreth gjysmë milioni euro.
Aty ka edhe vendime për shqyrtimin e shpronësimit të tokës në rajonin e Gjilanit, emërimin e drejtorit të Bordit udhëheqës për ndërmarrje publike, rritjen e përfitimeve për nënat e të tjera.
Ministrat në qeverinë në detyrë kanë miratuar edhe udhëzime administrative – në mesin e tyre ai për përdorimin e pajisjeve fiskale elektronike, të cilin Gjykata Supreme, më 15 korrik, e ka shpallur të paligjshëm dhe e ka anuluar.
Gjykata ka konstatuar se një qeveri në detyrë mund të kryejë vetëm aktivitete të domosdoshme dhe ato të planifikuara në planin vjetor të punës së qeverisë, dhe se nuk ka të drejtë të miratojë akte të reja nënligjore.
Ky udhëzim ishte botuar në Gazetën Zyrtare më 16 prill dhe ishte lëshuar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, deputet në Kuvendin e Kosovës.
Përndryshe, shumica e ministrave në qeverinë në detyrë të Kosovës janë deputetë në institucionin ligjvënës, i cili nuk është konstituuar ende, për shkak të mosmarrëveshjeve politike midis partive parlamentare.
Qeveria në detyrë, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, dhe vetë ministri në detyrë, Murati, e kanë kritikuar vendimin e Gjykatës Supreme, duke e quajtur “arbitrar” dhe të pabazuar në ligj.
Ndërsa ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav dhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde, kanë reaguar gjithashtu, duke vlerësuar se ndërhyrja politike në gjyqësor është “e papranueshme”.
Çfarë do të ndodhë me vendimet e marra nga qeveria në detyrë?
Profesori Kadri Kryeziu, ish-nënkryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se qeveria në detyrë, sipas vendimit të Gjykatës Supreme, është e detyruar t’i tërheqë vendimet e marra pas 27 marsit, datë kur janë konfirmuar mandatet e deputetëve në Kuvendin e Kosovës. “Vendimet e Gjykatës Supreme janë finale për aq sa i përket interpretimit të ligjit, përfshirë edhe atë për Qeverinë”, ka thënë ai, duke shtuar se në vendimin e 15 korrikut, Gjykata Supreme “ka bërë referenca kushtetuese që lënë hapësirë për përfshirjen e mundshme të Gjykatës Kushtetuese”, nëse palët vendosin të ndjekin një rrugë të tillë.
“Sipas mendimit tim, Ligji për qeverinë është i hartuar dobët dhe keq, ka shumë dykuptimësi, por edhe kontradikta. Kjo lë hapësirë që çështja të politizohet dhe kjo nuk është gjë e mirë”, ka thënë Kryeziu.
Kurse Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka vlerësuar se vendimi i Gjykatës Supreme e ka bërë të qartë se qeveria në detyrë ka shkelur Kushtetutën dhe ligjet, duke i lënë deputetët të kryejnë funksionin e ministrave.
“Prandaj, të tetë ministrat, përfshirë kryeministrin, të cilët mbajnë dy poste, po e shkelin ligjin”, ka thënë Miftaraj për “Radion Evropa e Lirë”.
Sipas tij, të gjitha vendimet e marra nga ministrat në qeverinë në detyrë mund të kundërshtohen në gjykatë dhe të përmbysen. “Qeveria është e detyruar ta respektojë dhe zbatojë vendimin e Gjykatës Supreme”, ka thënë Miftaraj.
Çfarë vendimesh mori qeveria në detyrë?
Të gjitha vendimet e Qeverisë së Kosovës hyjnë në fuqi kur publikohen në Gazetën Zyrtare të Kosovës, dhe kështu shihet se më 28 mars është publikuar vendimi për shqyrtimin e kërkesave për shpronësime në interesin publik në rajonin e Gjilanit.
Pastaj, më 14 prill është publikuar vendimi për zgjatjen e mandatit të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Përdhunuar gjatë Luftës në Kosovë, ndërsa më 16 prill është publikuar vendimi për emërimin e drejtorit të Bordit udhëheqës të ndërmarrjes publike rajonale për furnizim me ujë në rajonin e Prizrenit, me mandat trevjeçar.
Vendimi për emërimin e drejtorit ekzekutiv të Agjencisë për Arsim dhe Trajnim Profesional dhe Arsim për të Rritur për një mandat katërvjeçar është botuar në Gazetën Zyrtare më 29 maj, ndërsa vendimi për rritjen e përfitimeve në para për nënat u botua më 5 qershor.
Ndërsa më 27 qershor hyri në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës për të miratuar ndarjet financiare – në vlerë prej 4 milionë eurosh – për zbatimin e masës “Mbështetje për Diasporën” nga Paketa e Rimëkëmbjes Ekonomike.
Në Gazetën Zyrtare të Kosovës mund të shihet, po ashtu, se ministritë në detyrë kanë nxjerrë edhe rregullore e vendime administrative.
Për shembull, Udhëzimi Administrativ, NR. 01/2025 për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve fiskale dhe softuerëve elektronikë fiskalë, i lëshuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve është botuar në Gazetën Zyrtare më 16 prill.
Udhëzimi Administrativ për ndryshimet dhe plotësimet e Udhëzimit Administrativ për lejet mjedisore, i lëshuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës është publikuar më 28 maj.
Udhëzimi Administrativ për ndryshimet në listën e organizmave të dëmshëm për bimët dhe produktet bimore, i lëshuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural është botuar në Gazetën Zyrtare më 20 qershor.
Edhe Prokuroria heton kontratat e qeverisë
Prokuroria Speciale e Kosovës, ka njoftuar më 10 korrik se ka nisur hetimet lidhur me ligjshmërinë e kontratës për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë, e cila është lidhur nga Qeveria në detyrë e Kosovës.
Në deklaratë ishte thënë se hetimi i Prokurorisë nuk kundërshton ndërtimin e vetë urave, por fokusohet në “përmbushjen e detyrimeve ligjore” që lidhen me kontratën për ndërtimin e tyre.
Këto dy ura parashihet të ndërtohen në kuadër të një projekti të bazuar në një memorandum bashkëpunimi midis Ministrisë së Infrastrukturës së Qeverisë së Kosovës, përgjegjëse për komunat e Mitrovicës së Veriut dhe të Jugut.
Qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë rreth 3 milionë euro për ndërtimin e tyre, ndërsa punimet pritet të përfundojnë në vjeshtë.
Zyra e Prokurorit ka thënë se nuk është në juridiksionin e saj të vlerësojë ose miratojë projekte infrastrukturore, por se “roli i Zyrës së Prokurorit Special është të veprojë në përputhje me ligjet në fuqi, në rastet kur ka dyshime për keqpërdorim të fondeve publike”. Pesë prokurorë është thënë se janë angazhuar për të shqyrtuar dy mijë kontrata të lidhura nga qeveria.