Nga izolimi si heroizëm tek dështimi shtetëror

21 tetor 2025 | 20:22

Shkruan: Hisen Berisha

(Kërkesa e vonuar, por me shumë peshë politike)

Thirrja e organizatave të shoqërisë civile që Bashkimi Evropian t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës është një reflektim i drejtpërdrejtë i krizës së zgjatur politike e diplomatike që ka prodhuar vetë qeveria Kurti, dhe që tashmë po rëndon mbi qytetarët dhe kredibilitetin ndërkombëtar të shtetit.

Në thelb, kërkesa e këtyre organizatave është e drejtë dhe e arsyeshme: Kosova nuk mund të mbahet pafundësisht nën masa që kishin karakter politik dhe synonin të nxisnin përgjegjësi nga qeveria pas përshkallëzimit të situatës në veri. Mirëpo, ajo që duhet theksuar është se masat ishin pasojë, jo shkak, dhe se rrënja e problemit nuk qëndron në Bruksel, por në Prishtinë. Prandaj, edhe parashtresa të tilla duhen adresuar në vet institucionet e Kosovës.

Po ashtu, reagimi i shoqërisë civile është dashur të ndodhë në kohë, në mënyrë parandaluese, pra atëherë kur u krijuan shkaqet për vendosjen e masave, jo pasi pasojat u bënë të prekshme.

Në fakt, mekanizmat e mbrojtjes së demokracisë — si ZAGJ, KMLDNJ, institucioni i Avokatit të Popullit dhe vetë shoqëria civile, kishin përgjegjësi që të sinjalizonin rrezikun e devijimeve të pushtetit në kohë.
Shoqëria civile në Kosovë ka pasur historikisht rol të veçantë si promotor i lëvizjeve të mëdha kombëtare, por në këtë rast ajo u tregua e vonuar dhe anemike.
Gjatë pothuaj pesë viteve të politikave të gabuara që çuan në izolimin e vendit dhe në vendosjen e sanksioneve nga BE dhe SHBA, reagimi i saj ishte fragmentar, shpesh i hendikepuar nga varësia ndaj financimeve qeveritare apo projekteve të kontrolluara politikisht.
Edhe gjatë bllokadës së plotë njëvjeçare, shoqëria civile prodhoi vetëm disa “shkëndija” simbolike, me disa karrike dhe parulla në sheshe, pa arritur të krijojë një qëndrim të përbashkët qytetar. Madje, një pjesë e saj komprometoi edhe protestat qytetare si ajo për çmimin e energjisë, të cilat fillimisht kishin potencial të fuqishëm, por më pas u neutralizuan përmes ndërhyrjes së aktivistëve të afërt me pushtetin.

Sot, shkaqet që dikur shërbyen si bazë për ndëshkim po eliminohen me procese të rregullta dhe paqësore demokratike siç pritet pas zgjedhjeve vendore. Ky kurs veprimi politik ishte, në fakt, përcaktimi strategjik i Kosovës që nga paslufta për integrimin paqësor të serbëve lokalë në sistemin shtetëror të Kosovës.

Çfarë mbeti sot nga situata që krijoi pretekstin e braktisjes së institucioneve nga komuniteti serb? Cila është gjendja reale me politikën e reciprocitetit, me bilancin tregtar ndaj Serbisë, apo me rastet që u shndërruan në casus belli, si ai i policit, për braktisjen hendikepuese të institucioneve? A kemi arritur të bëjmë deeskalim real? Apo, përkundrazi, i kemi hapur Beogradit derën për të ndërhyrë politikisht në proceset e brendshme të Kosovës, përfshirë edhe zbatimin selektiv të marrëveshjeve që dolën nga takimi i Bratislavës për deeskalim të situatës në veri.

BE-ja, në mënyrë të përsëritur, kishte kërkuar nga qeveria e Kosovës hapa konkretë për uljen e tensioneve, bashkëpunim me aleatët dhe rifillim të besueshëm të dialogut.
Përkundër kësaj, qeveria aktuale shpesh i ka interpretuar kërkesat evropiane, së fundmi edhe nga SHBA, si presion politik përkatësisht si ndërhyrje në sovranitet, së cilës Presidentja e vendit iu kundërpërgjigj duke deklaruar se “ne jemi shtet sovran dhe marrim vendime sovrane”, por në raport me kë?! Duke harruar se rruga drejt anëtarësimit në BE dhe NATO kalon përmes partneritetit dhe besimit të ndërsjellë.

Në të vërtetë, izolimin e ka konsideruar heroizëm vetëm regjimet totalitare në vendet komuniste në socializmin administrativ, apo sot ai i Kim Jong-un në Korenë e Veriut.
E njëjta filozofi autarkike dhe përjashtuese po manifestohet në Kosovë nga Albin Kurti, një model politik që e sheh izolimin si qëndresë, dhe përplasjen me aleatët si virtyt patriotik.
Kjo qasje e ka larguar Kosovën nga miqtë e saj natyralë dhe e ka afruar me logjikën e mbylljes politike që i ngjan më shumë një republike të vetëshpallur sesa një demokracie evropiane.

Për Serbinë, mbyllja e institucioneve paralele në veri është interpretuar si përfitim në dy drejtime:
(1) si përmbushje e marrëveshjeve teknike që do duhej të çonin drejt normalizimit të raporteve Kosovë–Serbi, kusht kyç për integrimin e saj në BE, ku Serbia është kandidate që nga viti 2012; dhe (2) si provë e gjoja “diskriminimit”, “dhunës” dhe “presionit” ndaj serbëve lokalë, në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe të drejtën ndërkombëtare.
Kështu, në mënyrë paradoksale, veprimet e pamenduara të qeverisë Kurti e kanë forcuar argumentin serb për autonomi politike e territoriale në veri, duke e zbehur sovranitetin e Kosovës në praktikë.

Kërkesa e shoqërisë civile, në këtë kontekst, është një sinjal i qartë për BE-në se shoqëria kosovare nuk duhet të ndëshkohet për gabimet e qeverisë, por është gjithashtu duhet të jet edhe thirrje e heshtur për vetë institucionet që të rikthejnë kredibilitetin e humbur.

Por kjo letër, nëse do të ishte e plotë dhe me qëllim real politik, do duhej t’i drejtohej jo vetëm BE-së, por edhe Shteteve të Bashkuara, pasi pezullimi i Dialogut Strategjik Kosovë–ShBA përbën sanksione të heshtura ekonomike, politike dhe të sigurisë.
Ne sot jemi në një status politik analog me Rusinë e Putinit, një shtet i ndëshkuar, i izoluar dhe diplomatikisht pashpirt, për shkak të arrogancës së pushtetit.
Prandaj, çdo kërkesë serioze për heqjen e masave duhet të përfshijë edhe emërimin e shkaktarëve politikë të tyre, me emër dhe mbiemër, duke filluar nga Presidentja dhe Kryeministri kujdestar Albin Kurti.

Në fund, nëse BE-ja dëshiron të ruajë ndikimin e saj në Kosovë dhe në rajon, heqja e masave duhet të pasohet nga një strategji e re komunikimi dhe bashkëpunimi me shoqërinë civile dhe opozitën, jo vetëm me qeverinë.
Në të kundërt, rreziku është që ndëshkimi për gabimet e pushtetit të shndërrohet në zhgënjim të përhershëm ndaj vetë idesë evropiane në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i Misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së…