
Nga kriza në marrëveshje? Nga Nisma flasin për ofertat që po diskutohen me Kurtin
Artan Nimani nga Nisma Socialdemokrate, në emisionin “Info Nata”, ka deklaruar se situata politike aktuale në vend nuk mund të tejkalohet pa një marrëveshje politike dhe se është i bindur që do të arrihet një bashkëpunim për të kapërcyer krizën.
“Janë duke diskutuar për tejkalimin e situatës dhe gjendjen në të cilën jemi. Dihet që nuk mund të kalojmë pa një marrëveshje, nuk mund të ketë nënshkrim pa pasur 61 vota. Edhe z. Limaj ka qenë i qartë se konstituimi i institucioneve mund të bëhet vetëm me marrëveshje politike”, tha Nimani.
Ai konfirmoi se takimet kanë vazhduar dhe se po diskutohen hapat e mëtejshëm.
“Unë jam i bindur që do të arrihet një bashkëpunim që e tejkalon këtë krizë, e cila tashmë është edhe krizë kushtetuese dhe mund të ketë pasoja të paparashikueshme”, shtoi ai.
I pyetur për mundësinë e një bashkëpunimi mes Nismës dhe Vetëvendosjes, ai u përgjigj:
“Nisma gjithmonë ka qenë e qartë. Ne jemi të gatshëm për cilindo koncept politik që e kalon këtë ngecje. Kuptohet që LVV-ja është partia e parë dhe i takon të ndërmarrë hapat e parë për tejkalimin e këtij ngërçi. Limaj ka paraqitur kërkesat e tij, sikurse edhe Kurti.”
Ai theksoi se Nisma i ka bërë të qarta kërkesat dhe qëndrimet e saj dhe se edhe kryeministri Kurti ka treguar gatishmëri për diskutim.
“Problemi është i thjeshtë – fituesi i zgjedhjeve është ai që e propozon kandidatin dhe duhet të lëshojë pe për të bashkëpunuar me partitë e tjera”, përfundoi Nimani.