
“Nga lufta në liri…”, kujtesën e bën rezistencë
Parafjala e katalogut, për ekspozitën Nga lufta në liri : çlirimi i Kosovës në dokumente, kujtime dhe medie, shkruar nga Blerina Rogova Gaxha, Atdhe Hetemi, Vjollca Aliu, Mehmed Xhemajli
Kujtesa e luftës ka peshën e madhe si një kundërpërgjigje ndaj harresës: ajo nxit e inspiron krijimin e rrëfimeve autentike të cilat nga një dëshmi individuale, bëhen dëshmi e të tjerëve. Dëshmitë për luftën dhe gjurmët e luftës në shoqëri të paraqitura në libra, gazeta, fotografi dhe video, mbërthejnë një kuptim gjithëpërfshirës dhe ekzistencial të aspekteve universale të ekzistencës njerëzore.
Katalogu i ekspozitës Nga lufta në liri : çlirimi i Kosovës në dokumente, kujtime dhe medie paraqet përpjekjen e përbashkët ndërinstitucionale për ta dëshmuar rrugëtimin e popullit të Kosovës nga pushtimi në çlirim përmes zërit të dokumentit, kujtesës dhe dëshmisë vizuale. Ekspozita, e hapur në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” me rastin e 12 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Kosovës, është një përulje ndaj rezistencës, sakrificës dhe qëndresës së popullit të Kosovës në kërkim të lirisë. Nëpërmjet këtij katalogu dhe kësaj ekspozite, lexuesit dhe vizitorët ftohen të njohin e të reflektojnë mbi një periudhë vendimtare të historisë sonë të afërt. Materialet e paraqitura: libra, artikuj të medieve, dokumente arkivore, fotografi dhe eksponate të ruajtura me përkushtim, janë dëshmi autentike e së kaluarës dhe e së tashmes.
Lufta dhe çlirimi i Kosovës nuk janë vetëm kapituj historikë, por burime përkujtimi e reflektimi kolektiv.
Lufta dhe paqja, si dy skaje të së njëjtës përvojë, sollën me vete edhe traumën – si prani dhe si pasojë aktive. Në këtë ekspozitë trauma nuk është thjesht temë e nënkuptuar, por një zë i heshtur që kalon përmes çdo faqeje, çdo fotografie, çdo objekti. Ajo na fton të reflektojmë për historinë dhe për atë se çfarë ndodh me njeriun kur historia e zhvesh nga identiteti i tij personal e kolektiv. Dhe pikërisht për këtë, kujtesa bëhet rezistencë.
Kjo ekspozitë është rezultat i bashkëpunimit ndërmjet katër institucioneve: Bibliotekës Kombëtare, Agjencisë Shtetërore të Arkivave, Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës dhe Muzeut Kombëtar të Kosovës. Përmes punës së tyre të përkushtuar, janë vënë në pah materiale të rralla e domethënëse të cilat na ndihmojnë të rindërtojmë një pasqyrë më të plotë e më të thellë të rrugëtimit tonë kolektiv drejt lirisë.
Katalogu Nga lufta në liri… është thirrje për të dëgjuar, për të ndjerë, për të kujtuar. Dhe, mbi të gjitha, për të mos harruar.