Nga Macron, Meloni, Merz e deri te Starmer, si reaguan liderët e vendeve europiane për sulmin amerikan në Venezuelë
Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se largimi i Nicolás Maduro-s hap një kapitull të ri për Venezuelën, duke theksuar nevojën për një tranzicion të qetë dhe respektues të vullnetit të popullit.
“Populli venezuelian sot është i çliruar nga diktatura e Nicolás Maduro-s dhe nuk mund të bëjë gjë tjetër veçse të gëzohet. Duke konfiskuar pushtetin dhe duke shkelur liritë themelore, Nicolás Maduro ka sjellë një dëm të rëndë ndaj dinjitetit të popullit të tij.
Tranzicioni që vjen duhet të jetë paqësor, demokratik dhe respektues i vullnetit të popullit venezuelian. Ne shpresojmë që Presidenti Edmundo González Urrutia, i zgjedhur në vitin 2024, të mund ta sigurojë sa më shpejt këtë tranzicion.
Aktualisht jam në bisedime me partnerët tanë në rajon. Franca është plotësisht e angazhuar dhe vigjilente, veçanërisht për të siguruar mbrojtjen e shtetasve të saj në këto orë pasigurie.”, tha presidenti francez Emmanuel Macron.
Merz: Në Venezuelë nevojitet një qeveri e legjitimuar nga vota
“Klasifikimi juridik i ndërhyrjes amerikane është kompleks. Do të marrim kohën e nevojshme për ta vlerësuar.”, tha kancelari gjerman Friedrich Merz, në një deklaratë duke komentuar sulmin e SHBA-ve ndaj Venezuelës.
“Parimisht, në marrëdhëniet mes shteteve duhet të vlejnë parimet e së drejtës ndërkombëtare. Tani nuk duhet të lindë asnjë destabilitet politik në Venezuelë. Është e nevojshme të garantohet një tranzicion i rregullt drejt një qeverie të legjitimuar nga zgjedhjet,” shtoi ai.
Merz theksoi se “Nicolás Maduro e ka çuar vendin e tij në shkatërrim”.
“Zgjedhjet e fundit ishin të manipuluara. Si shumë shtete të tjera në botë, ne nuk e kemi njohur presidencën. Maduro ka luajtur një rol problematik në rajon, duke lidhur aleanca të pafata në mbarë botën dhe duke përfshirë Venezuelën në trafikun e drogës.”, vazhdoi ai.
Meloni: Ishte një ndërhyrje mbrojtëse kundër sulmeve hibride ndaj sigurisë!
“Italia, së bashku me partnerët kryesorë ndërkombëtarë, nuk e ka njohur kurrë fitoren e vetëshpallur të Maduro-s, duke dënuar aktet e represionit të regjimit dhe gjithmonë ka mbështetur aspiratën e popullit venezuelian për një tranzicion demokratik,” ka shkruar kryeministrja Giorgia Meloni në X.
“Koherent me pozicionin historik të Italisë, qeveria vlerëson se veprimi i jashtëm ushtarak nuk është rruga për të përfunduar regjimet totalitare, por konsideron legjitim një ndërhyrje mbrojtëse kundër sulmeve hibride ndaj sigurisë së vet, si në rastin e entiteteve shtetërore që ushqejnë dhe favorizojnë trafikun e drogës. Ne vazhdojmë ta ndjekim me vëmendje të veçantë situatën e komunitetit italian në Venezuelë, siguria e të cilit përbën prioritetin absolut të qeverisë.”
Starmer: Britania nuk ishte e përfshirë në sulmet amerikane ndaj Venezuelës
Kryeministri Keir Starmer tha se Britania nuk ishte e përfshirë në sulmet e Shteteve të Bashkuara ndaj Venezuelës të shtunën dhe se është e rëndësishme të respektohet e drejta ndërkombëtare. Siç shkruan Reuters, Starmer shtoi se dëshironte të fliste me presidentin amerikan Donald Trump për të kuptuar saktësisht çfarë kishte ndodhur.
Trump deklaroi në një postim në rrjetet sociale herët të shtunën se forcat amerikane kishin kapur presidentin e Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe e kishin larguar nga vendi, ndërsa zëvendëspresidentja Delcy Rodríguez tha se nuk e dinte vendndodhjen e Maduro-s apo nëse ai ishte ende gjallë.
I pyetur nëse e dënonte veprimin e SHBA-ve, siç bënë liderët e disa partive britanike (asaj Liberal Demokrate dhe të Gjelbër), të cilët e quajtën të paligjshëm, Starmer tha se së pari donte të kuptonte saktësisht çfarë kishte ndodhur.
“Është qartësisht një situatë që po zhvillohet me shpejtësi dhe ne duhet të përcaktojmë të gjitha faktet,” tha ai në një deklaratë për transmetuesit britanikë.
“Dua të flas me presidentin Trump. Dua të flas me aleatët. Mund të jem absolutisht i qartë se ne nuk ishim të përfshirë … dhe gjithmonë them dhe besoj se duhet të respektojmë të gjithë ligjin ndërkombëtar,” shtoi ai.
Nigel Farage, lideri i partisë Reform UK, e cila aktualisht kryeson sondazhet, tha se besonte që veprimet e SHBA-ve shkelin të drejtën ndërkombëtare “por nëse i bëjnë Kinën dhe Rusinë të mendojnë dy herë, mund të jetë një gjë e mirë”.
Starmer, ish-avokat për të drejtat e njeriut, tha gjithashtu se ministria e jashtme po punon për të siguruar që rreth 500 qytetarë britanikë në Venezuelë të mbeten të sigurt. Ministria e jashtme britanike këshillon kundër çdo udhëtimi në Venezuelë.



