
Nga medaljet në vendimmarrje, Nora Gjakova bëhet anëtare e Komisionit të Sportistëve të IJF
Federata e Xhudos së Kosovës ka njoftuar se kampionia olimpike Nora Gjakova është zgjedhur zyrtarisht anëtare e Komisionit të Sportistëve të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (IJF), një rol me rëndësi të veçantë për të ardhmen e këtij sporti në nivel global.
“Me krenari të madhe ju njoftojmë se Nora Gjakova është zgjedhur zyrtarisht anëtare e Komisionit të Sportistëve të IJF (Federata Ndërkombëtare e Xhudos)! Pas një karriere të shkëlqyer si Kampione Olimpike, medaliste botërore dhe kampione evropiane, Nora tani do të japë kontributin e saj edhe jashtë tatamit, në një rol vendimtar për të ardhmen e sportit të xhudos. IJF vlerëson lart eksperiencën, perspektivën dhe përkushtimin e saj, cilësi këto që do ta bëjnë Norën një përfaqësuese të jashtëzakonshme për xhudistët kudo në botë. Urime, Nora! Ti jo vetëm që e ke ngritur flamurin e Kosovës në arenat më të mëdha, por tani po ndihmon edhe në formësimin e të ardhmes së xhudos për brezat që vijnë. Jemi me ty dhe krenarë për ty, sot dhe gjithmonë!”, thuhet në njoftimin e Federatës së Xhudos së Kosovës.