NGA MURANA TE GURI I NJËJTË

16 tetor 2025 | 18:54

Nga: Mërgim Bekteshi

Derisa Herakliti e shihte gurin si pjesë të rendit të pandryshueshëm të kozmosit, poetja Majlinda Sinani përçon të njëjtin varg filozofik në librin e saj të dytë, “…I njëjti gur”(Shtëpia Botuese Littera, 2025). Ky simbol i njëjtë shfaqet edhe në librin e parë, Muranë fjalësh, ku gurët përfaqësonin përvuajtjen, kujtimet dhe analogjitë historike, ndërsa në librin e dytë ata zhvillohen në një dimension më intim e meditativ mbi kohën, mungesën dhe marrëdhëniet njerëzore. Gurët, për poeten, nuk janë thjesht objekte të inorganizuara, por bartin peshën e përjetësisë dhe reflektimit shpirtëror.

Muranë fjalësh, gurët vijnë si “muranë” që ndërtojnë kujtesën kolektive e personale, duke u bërë metaforë e barrës historike e shpirtërore. Në librin e dytë, gurët shfaqen ndryshe: si shenja të një meditimi të thellë, që lidhet jo vetëm me historinë, por me përjetimin e drejtpërdrejtë të mungesës dhe kalueshmërisë. Në këtë mënyrë, poetja ruan një linjë poetike të pandërprerë, por gjithashtu shpalos një zhvillim të qartë krijues.Libri “…I njëjti gur” është i ndarë në dy tufa, të cilat simbolizojnë ndarjen figurative të gurit në dysh, si në kërkimin e thesareve të fshehur në historinë njerëzore. Çdo tufë ka karakterin e vet dhe një fokus tematik të qartë.

I.

Pjesa e parë e librit hapet me një pezullim kohor dhe atmosferë misteri: “pa e ditë / maj’i emnit / m’i mban pezull stintë (fq. 9). Qysh në fillim, poetja ndërton bazën për reflektimin mbi rrjedhën e kohës, humbjen dhe pasigurinë, duke e paraqitur individin si një entitet në pezullim midis së tashmes dhe së shkuarës. Ky pezullim nuk është i rastësishëm: është nisja e një meditimi të gjatë, që përmes vargut të lirë do ta shoqërojë lexuesin përgjatë gjithë tufës së parë. Në këtë pjesë, kujtimet dhe përjetimet e brendshme ndërthuren me natyrën dhe universin. Përdorimi i figurave poetike është i thellë dhe preciz; imazhe si:“ditë t’zbrazuna / si andrra t’pame dhe “avujsh n’xhama / e hidhen n’trastë (fq.12), krijojnë një ndjesi boshllëku dhe pritshmërie të humbur.

Poetja ndërton gjithashtu peizazhe ku mungesa njerëzore është absolute: “mungesa e njerëzores / n’përgjumjen e kohës që untshëm përpinë” (fq.27). Ky varg e shfaq botën si një realitet të ftohtë, të zbrazët dhe pa shenjë jete, ku “fjala s’ka cak / as mendja / n’talljet e pafundta. Këtu kuptohet se mungesa nuk është vetëm emocionale, por edhe filozofike: një boshllëk që përpin gjithçka, deri edhe fjalën.

Një tjetër poezi domethënëse është “botë e lamshtë(fq.29), ku poetja ndërton një realitet të përmbysur. Simbolet e natyrës e të jetës humbasin kuptimin e zakonshëm dhe lexohen ndryshe, si në një pasqyrë të shtrembëruar: “kur dheu ik nën kambë / shiu djeg / e ajri vjen randë. Këto vargje e shfaqin natyrën si një hapësirë tensioni dhe ankthi, ku busulla përzien drejtimet dhe hëna shfaqet si hark i Artemisës. Poetja na fton ta lexojmë realitetin si një lojë të brishtë shenjash, ku gjithçka është e lëvizshme dhe e përkohshme.

Në tërësi, tufa e parë pasqyron një udhëtim introspektiv, ku poetja ndërthur elemente natyrore, filozofike dhe mitologjike për të krijuar një univers ku koha, kujtesa dhe ndjenjat bashkëveprojnë në një rrjedhë të pandërprerë. Këtu kemi një paralelizëm të qartë me Muranë fjalësh: në librin e parë gurët dhe fjalët shfaqeshin si simbol i përvuajtjes e i përjetësisë së kujtimeve, ndërsa këtu gurët e kohës dhe kujtesës shndërrohen në elemente introspektive.

II.

Pjesa e dytë fillon me vargjet:“ndoshta kurrë s’kam me e ditë / a m’rren vjeshta / a m’rrejnë sytë” (fq.50). Ky fragment e vendos menjëherë tonin e tufës: introspeksion, dyshim, pasiguri mes reales dhe imagjinares. Vjeshta këtu simbolizon ndryshimin dhe kalimin e kohës, ndërsa sytë përfaqësojnë perceptimin e brishtë njerëzor. Në këtë pjesë, poetja përqendrohet më shumë tek mungesa dhe reflektimi shpirtëror. Poezia që i jep titull librit është tregues i qartë: “mungesa jote / trukohet n’pasqyrë / e bahet vjeshtë” (fq.57). Këtu shfaqet kontradikta midis zbukurimit dhe humbjes. Mungesa, e cila zakonisht është e hidhur, kthehet në një imazh të pasqyrës, në një vjeshtë që e mbështjell shpirtin me mall e melankoli.

Vargjet e fundit të tufës, që përmbledhin tërë librin, janë ndër më të fuqishmet: “mungesa jote / grimohet ndryshe / ndër tjera stinë / e n’kalldrëm t’pritjes / m’rrethon si mur / në t’cilin / mesnata / asht gjithmonë i njëjti gur” (fq.58). Ky fund i jep librit gravitetin e përhershëm të gurit: metafora e qëndrueshmërisë, barrës dhe përjetësisë që nuk ndryshon, pavarësisht stinëve apo përvojave.

Në këtë tufë hasim edhe poezi ku reflektohet mbi marrëdhëniet njerëzore: “fjalë e heshtun, “kujtime që ngjiten si hije”, apo “portrete t’humbuna n’kohë. Këto fragmente tregojnë një dialog të brendshëm mes së shkuarës dhe së tashmes, ku mungesa bëhet prani dhe kujtesa merr funksion ngushëllues. Në disa poezi, poetja prek edhe dimensionin mitologjik: “hana e re / s’shihet ma buzëqeshje / por si i Artemisës hark” (fq.29). Këtu shfaqet lidhja mes përvojës personale dhe një universi më të gjerë, ku perënditë dhe mitet i japin ngarkesë simbolike emocioneve të përditshme.

III.

Majlinda Sinani përdor dialektin gegë si bazë gjuhësore, duke e pasuruar me shprehje të përditshme të transformuar për efekt poetik: m’rren”, “n’tëndërmjemen”, “m’rrethon”, “t’blertën e shikimit”. Ky përdorim e bën vargun të ndjehet i gjallë, organik dhe i afërt me të folurën popullore, por njëkohësisht i rafinuar për efekt poetik.

Stili i saj karakterizohet nga vargje të gjata dhe të lira, shpesh pa shenja pikësimi. Kjo strukturë pasqyron rrjedhën e mendimeve dhe ndjenjave, duke krijuar një atmosferë introspektive. Përdorimi i metaforave, elementeve natyrore dhe mitologjike e ngre poezinë në një nivel filozofik, ku çdo imazh mbart një simbolikë më të gjerë.

Poetja është mjeshtre në krijimin e imazheve të shtresuara, ku një pamje natyrore bart një kuptim shpirtëror. Për shembull, metafora e “i njëjti gur” simbolizon qëndrueshmërinë e kujtimeve, por njëkohësisht është edhe metaforë e barrës së përjetshme që njeriu mbart.

IV.

Muranë fjalësh, gurët e fjalët ndërtojnë një mur simbolik që përfaqëson përvuajtjen dhe kujtesën historike. Poezia aty është më shumë e lidhur me dimensionin kolektiv e historik, ku lexuesi ndeshet me analogji që lidhen me identitetin dhe peshën e së kaluarës.

“…I njëjti gur”, poetja zhvendoset drejt një meditimi të brendshëm, më personal. Gurët tashmë nuk janë vetëm metafora e murit apo kujtesës, por bëhen shenja të kohës, mungesës dhe meditimit shpirtëror. Në këtë kuptim, Muranë fjalësh duket si një prelud, një epilog i hapur që pret vazhdimin tek libri i dytë.

Ndërsa në librin e parë gurët janë kolektivë, të vendosur në një mur fjalësh, në librin e dytë ato shndërrohen në gurë intimë, që lidhen me përjetimin personal dhe emocional. Kjo është arsyeja pse libri i dytë ka një ton më të thellë meditativ dhe melankolik.

V.

“…I njëjti gur” ofron një udhëtim shpirtëror e emocional që lidhet me vetveten, të tjerët dhe kohën. Pjesa e parë ndërton një atmosferë filozofike e meditative mbi rrjedhën e jetës dhe natyrën, ndërsa pjesa e dytë thellohet në mungesën, humbjen dhe marrëdhëniet njerëzore. Poetja përdor figurat poetike, stinët dhe elementet mitologjike për të krijuar një univers poetik të pasur, ku koha, kujtesa dhe ndjenjat ndërthuren në një rrjedhë të pandërprerë reflektimi. Lexuesi përfshihet në një rrugëtim ku përjeton humbjen, mallin dhe shpresën.

Megjithatë, një vërejtje kritike e vogël mund të lidhet me fragmentarizmin e vargjeve. Ndonjëherë lirizmi i tepruar dhe mungesa e pikësimit mund ta bëjnë poezinë më të vështirë për t’u ndjekur nga lexuesi i zakonshëm. Por pikërisht kjo është edhe forca e saj: të kërkojë një lexues aktiv, që e ndjek vargun si një proces meditativ e jo si një shprehje të drejtpërdrejtë. Në fund, Majlinda Sinani del si një poete që jo vetëm ruan vijimësinë e vargut shqip, por e lartëson atë, duke e bërë një pasqyrë të pasur të ndjenjave njerëzore dhe një dëshmi të fuqisë së fjalës poetike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së, është deklaruar për protestën e…