Nga një brez në tjetrin: Ragip Xhaka uron të birin Taulantin për drejtimin e klubit ‘Dardania Basel’

06 korrik 2025 | 19:24

Një emocion i veçantë ka përfshirë komunitetin shqiptar në Zvicër pas lajmit se Taulant Xhaka, ish-lojtar i Baselit dhe ish-reprezentuesi i Shqipërisë si dhe një figurë emblematike e futbollit shqiptar, ka marrë drejtimin e klubit shqiptar më të madh në këtë vend – “Dardania Basel”.

Ky hap historik është shoqëruar me një urim të ngrohtë dhe emocional nga babai i tij, Ragip Xhaka – një ndër themeluesit e këtij klubi, veprimtar i çështjes kombëtare dhe ish-i burgosur politik. Me fjalë që vijnë nga thellësia e shpirtit, Ragip Xhaka ka shprehur krenarinë për djalin e tij, i cili po vazhdon rrugën që ai vetë dikur e nisi me shumë përkushtim.

“Taulant, je një shembull për të gjithë. Jo vetëm për talentin dhe përvojën që ke, por për mënyrën se si po ndihmon të rinjtë shqiptarë dhe klubin që unë dikur ndihmova ta themeloj. Jam krenar që po e vazhdon aty ku e lashë unë, si një baba që sheh djalin duke ndjekur rrugën me përulësi dhe profesionalizëm. Me praninë tënde, po u dëshmon të gjithëve sa i thjeshtë je si njeri dhe sa i madh je si sportist. Jam thellësisht krenar me ty. Suksese,” – ka shkruar Ragip Xhaka.

Për Ragipin, ky nuk është thjesht një angazhim sportiv, por një vijimësi e një misioni që e ka shoqëruar për dekada me radhë – mbajtja gjallë e identitetit shqiptar përmes sportit dhe komunitetit. Ndaj, vendimi i Taulantit për t’u bërë pjesë aktive e “Dardania Basel” si lojtar dhe trajner është parë nga ai si një akt domethënës dhe emocional.

Lajmin për angazhimin e Taulant Xhakës e ka bërë publik vetë klubi, përmes një njoftimi entuziast:

“Një kapitull i ri, një përgjegjësi e re. Taulant Xhaka i bashkohet klubit tonë si lojtar dhe trajner. Mirë se vjen legjendë!”

Klubi “Dardania Basel”, që garon aktualisht në ligën e katërt të futbollit zviceran, mban një peshë të madhe simbolike për komunitetin shqiptar atje. Themeluar nga një grup veprimtarësh shqiptarë në mërgim, klubi synon jo vetëm ngritjen sportive drejt ligës së tretë e më tej, por edhe ruajtjen dhe promovimin e kulturës dhe bashkësisë shqiptare në Zvicër.

Rrugëtimi i Taulant Xhakës me “Dardania Basel” nuk është vetëm një kthim në rrënjë, por edhe një premtim për të ardhmen – një shembull se si dashuria për sportin dhe identitetin mund të udhëheqin brezat në ndërtimin e historive të reja, pa harruar të kaluarën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga Flavio Bini, La Repubblica Çmimet e naftës po bien,…