Nga procesi i liberalizimit të vizave mësuam shumëçka që do të na shërbejë si përvojë për anëtarësim në BE

20 prill 2023 | 19:49

Shkruan: Driton Lajçi

Te dashur miq, dy fjalë për vizat.
Më 4 maj 2016 komisionari Avramopoulos u propozoi Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Evropian heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

Kam pas rastin te marrë pjesë në disa takime në Prishtinë, Bruksel dhe Strasburg me kryetarë të PE-së, me komisionarë, raportues, europarlamentarë (Martin Schulz, Antonio Tajani, Johannes Hahn, Angelina Eichhorst, Tonino Picula, Ulrike Lunacek, Tanja Fajon, David McAllister etj).

Para 2016-s përfaqësues të institucioneve të BE-së interesoheshin për përmbushjen e kritereve (sidomos atij të demarkacionit), ndërsa pas 2016-s i mbeti Kosovës ta shtyjë përpara procesin deri te finalizimi. Vazhdimisht jemi këshilluar nga përfaqësues të BE-së që kapacitetet lobuese të orientohen te vendet skeptike.

Fuqia jonë politike nuk mundësonte që “me nder e me zor” të hyjmë në agjendën e tyre.
Të hysh në agjendën e Këshillit të BE-së është sfidë e madhe për shkak të vështirësive për arritjen e konsensusit ndërmjet 28 shteteve anëtare, por edhe kompleksitetit të funksionimit të BE-së si organizatë. Secili shtet i ka qëndrimet e veta brenda BE-së. Ato shtete kujdeseshin që qëndrimet e tyre të kenë reflektim pozitiv në skenën politike të vendeve të tyre.

Besa edhe disa veprime të subjekteve politike në Kosovë kanë çuar ujë në mullirin e vendeve skeptike, sidomos brishtësia e sundimit të ligjit, opozitarizmi jodemokratik etj. Kështu që për ne vonesa disavjeçare është padrejtësi, ndërsa për disa vende të BE-së vlerësim dhe kalkulime të tjera.

Nga procesi i liberalizimit të vizave mësuam shumëçka që do të na shërbejë si përvojë për anëtarësim në BE. Prandaj, përpos që duhen plotësuar kriteret, që ata thonë detyrat e shtëpisë, rol të rëndësishëm luan qëndrimi politik i vendeve anëtare të BE-së.

Por kjo është rruga e vetme nëpër të cilën duhet ecur ne evropianet. Nuk u ndalem dhe ia dolëm. Lëvizje të mbarë evropianëve të rinj në kontinentin e vjetër!

20.04.2023.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia e Serbëve të Kosovës ka njoftuar se nuk do…