Nga qeveria e re kërkohet strategji e qartë për sektorin e energjisë

01 mars 2021 | 10:18

Ekspertët e ekonomisë dhe përfaqësuesit e bizneseve vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë kanë kërkuar nga qeveria e ardhshme që në mënyrë urgjente ta trajtojnë sektorin e energjisë dhe të gjendën mundësi për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë elektrike.

Drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë, Emrush Ujkani, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se me dështimin e Termocentralit “Kosova e re”, qeveria e re duhet të gjejë urgjentisht alternativë tjetër.

“Qeveria e ardhshme duhet ta trajtojë me shumë urgjencë çështjen e energjisë, sepse të bërit biznes është i kushtëzuar edhe me energji të mjaftueshme. Dështimi i TC ‘Kosova e re’ e obligon qeverinë që të ofrojë zgjidhje për një çështje kaq vitale për zhvillimin ekonomik të vendit tonë”, ka thënë Ujkani, duke shtuar se nëse çështja e energjisë nuk trajtohet me urgjencë, ka gjasa që investitorët e huaj dhe bizneset vendore të largohen nga Kosova. “Kjo është çështje imediate pasi veçse kanë filluar të paraqiten shqetësime dhe ankesa lidhur me rritjen e tarifave të energjisë nga ZRRE-ja. Në qoftë se qeveria nuk e trajton me urgjencë këtë çështje, ekziston frikë e madhe që një numër i bizneseve, respektivisht investitorëve të huaj, mund të largohen nga vendi”, ka thënë Ujkani.

Ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se bashkëpunimi në fushën energjetike në mes të Kosovës dhe Shqipërisë është shumë i nevojshëm, sidomos në aspektin e ndërtimit të një hidrocentrali në Shqipëri ku, sipas tij, të dy vendet më pas do të ishin eksportuesit potencialë të energjisë në rajon.

“Kosova duhet të bashkëpunojë ngushtë me Shqipërinë për të ndërtuar bashkërisht një hidrocentral në Shqipëri për ta përdorur për nevoja të balancimit, për rezerva dhe për eksport. Të gjitha këto politika do t’i bënin Kosovën dhe Shqipërinë jo vetëm të qëndrueshme në sektorin energjetik, por edhe eksportuese potenciale në rajon. Sot Kosova importon rreth 50 milionë euro në vit energji elektrike, kryesisht nga Serbia, prandaj pavarësia e përhershme energjetike nga Serbia dhe krijimi i kapaciteteve tona të brendshme për të krijuar siguri kombëtare të furnizimit me energji duhet të jetë prioritet për secilën qeveri, përfshirë edhe qeverinë në ardhje”, është shprehur Lluka.

Ai ka shtuar se energjia elektrike është alfa dhe omega e funksionimit të mirëfilltë të ekonomisë dhe sjelljes së investitorëve të huaj.

“Energjia është oksigjeni, uji e ushqimi i ekonomisë së një vendi. Pa stabilitet energjetik nuk ka zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, sidomos për vendet e pasura me minerale të ndryshme siç është Kosova dhe vendet që kanë potencial të shfrytëzohet fuqia e lirë punëtore për prodhim. Prandaj, për secilën qeveri energjia duhet të jetë fokusi primar, në linja të barabarta me arsimin dhe shëndetësinë. Mosstabiliteti energjetik e pamundëson sjelljen e investitorëve afatgjatë dhe seriozë në Kosovë”, ka thënë Lluka, duke theksuar se kompanitë e ndryshme evropiane, që shprehin interesim ta lëvizin prodhimin e tyre nga Evropa Perëndimore te rajonet me kosto me të ulët operative, siç është Ballkani Perëndimor, e kanë parakusht stabilitetin dhe furnizimin e bollshëm energjetik me kosto kompetitive”, është shprehur ai.

Ish-ministri Lluka ka thënë se përderisa Kosova qëndron mirë me koston e energjisë elektrike, ka dy probleme të tjera thelbësore në këtë drejtim: stabilitetin energjetik dhe furnizimin me gaz natyral. Ai ka shtuar se qeveria e ardhshme duhet ta këtë në fokus krijimin e kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë dhe jo të bëjë investime në impiantet e vjetruara.

“Për të krijuar stabilitet energjetik në vend, duhet të investojmë në kapacitet të reja energjetike në kombinim të energjisë së ripërtërishme dhe asaj me thëngjill. Pra, duke mbyllur gradualisht termocentralin ‘Kosova A’ dhe duke rinovuar tërësisht termocentralin ‘Kosova B’. Gjithashtu, duke investuar në termocentral të ri me kapacitete më të vogla, duke rritur numrin e licencave të energjisë së ripërtërishme të kombinuara nga ajo me diell dhe me erë. Termocentrali ‘Kosova A’ është joeficient, jo i sigurt dhe tejet i vjetërsuar, sepse është ndërtuar në vitin 1962. Prandaj çdo përpjekje për renovim do të sjellë dështim në stabilitetin energjetik”, ka thënë ish-ministri Lluka.

Edhe njohësi i çështjeve të biznesit, Lulzim Syla, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se qeveria e ardhshme duhet ta ketë prioritet sektorin e energjisë. Ai ka thënë se krahas sektorëve të tjerë duhet t’i kushtohet vëmendje e veçantë edhe energjisë dhe prodhimit. Në këtë drejtim, Syla ka thënë se duhet të ketë edhe bashkëpunim me Shqipërinë.

Ndërkaq kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se sigurimi i stabilitetit të  furnizimit me energji elektrike duhet të jetë prioritet për qeverinë e re. Sipas tij, kjo nuk mund të bëhet pa ndërtim të kapaciteteve të reja.

“Në këtë drejtim kërkohet një strategji e qartë se si mund të krijohen kapacitete të reja gjeneruese”, ka deklaruar Gërxhaliu. Ai ka kritikuar partitë politike se në programet e tyre nuk kanë ofruar diçka konkrete për sektorin e energjisë. “Në programin e qeverisë së ardhshme duhet të zë vend të rëndësishëm energjetika. Nuk i bëhet nder Kosovës që të thuhet se është më e pasura me linjit dhe imputon energji elektrike edhe më tutje. Kur është promovuar ‘Kosova C’ kam thënë se do të jetë shumë e vështirë që të realizohet, jo pse nuk ka mjete apo grant, por që lobi i tregtarëve nga rajoni është aq i fuqishëm që përmes institucioneve apo individëve të caktuar do ta pengojmë një projekt të tillë. Qasja duhet të ndryshojë dhe duhet të orientohemi në zhvillim ekonomik duke u bazuar në resurset vendore. Në vend që Kosova të jetë importuese e energjisë elektrike t’i plotësojë të paktën nevojat e vendit dhe eventualisht të eksportojë”, ka deklaruar Gërxhaliu, duke shtuar se impiantet aktuale që prodhojnë energji në Kosovë është dashur të mbyllen. “Duhet vërtet që të analizohen të gjitha mundësitë që të kemi një projekt të ri, i cili do të rigjenerojë energji dhe të sigurojë punësim, po ashtu të ketë prodhim të energjisë”, ka thënë ai.

Pronari i kompanisë “Meka Halal Food”, Burim Piraj, ka thënë se në Kosovë duhet të funksionojë liberalizimi i tregut të energjisë në mënyrë që afarizmi të mos përballet me sfidat e ndërprerjes së energjisë elektrike. Meqë Kosova ka rezerva të mëdha të linjitit, ai ka thënë se Kuvendi i Kosovës duhet ta miratojë një ligj për linjitin dhe më pas ta bëjë hapjen e një tenderi ndërkombëtar për të investuar dhe shfrytëzuar këto rezerva konform standardeve.

Piraj ka thënë për gazetën “Epoka e re” se liberalizimi i tregut të energjisë, siç është në Bashkimin Evropian, do t’i evidentonte ndërprerjet e energjisë elektrike.

“Kosova është një vend shumë i vogël dhe nuk do të thotë se patjetër duhet të ketë prodhim të vetin të energjisë elektrike, vetëm se duhet të liberalizohet tregu i energjisë elektrike ashtu siç është në Bashkimin Evropian. Pastaj kurrë nuk do të ketë mungesë të energjisë elektrike, edhe pse KEDS-i nuk ka bërë investime të nevojshme në rrjet. Kështu që, për shkak të prishjeve, mund të ketë herë pas here mungesë të energjisë në regjione të ndryshme”, u shpreh ai.

Ndërkaq sa i përket shfrytëzimit të linjitit, Piraj ka propozuar që Kosova ta miratojë Ligjin për linjit ashtu si shteti gjerman.

“Po kthehem te TC. Në Evropë janë tri shtete që e shfrytëzojnë linjitin për prodhim të energjisë elektrike: Gjermania, Polonia dhe Greqia. Prandaj pse Kosova mos ta bëjë të njëjtën gjë. Mendoj se dështimi ka të bëjë me implikimin e politikanëve në zhvatje për përfitime materiale. Propozimi im do të ishte që Kuvendi i Kosovës ta miratojë ligjin aktual gjerman në lidhje me përdorimin e linjitit për prodhim të energjisë elektrike, pastaj të shpallet tender ndërkombëtar dhe me siguri do të ketë qindra firma të interesuara për të investuar në ndërtimin e TC në Kosovë”, ka thënë Burim Piraj, pronar i kompanisë “Meka Halal Food”.

Albulena S. MAVRAJ

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Valon Loxha nga Peja, i cili u bë i njohur…