
Nga sot, shtetasit e huaj mund të aplikojnë online për leje qëndrimi në Kosovë
Divizioni për të Huaj në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), ka njoftuar se nga sot, 9 qershor, ka rifilluar aplikimi për caktimin e termineve për leje qëndrimi për shtetasit e huaj përmes platformës digjitale e-Kosova.
Sipas MPB-së, kjo mundësi synon të lehtësojë procesin e aplikimit, të eliminojë pritjet e gjata dhe të sigurojë respektimin e të drejtave të shtetasve të huaj, të cilët kërkojnë leje qëndrimi në Republikën e Kosovës.
“Kjo mundësi ka për qëllim lehtësimin e procesit të aplikimit për leje të qëndrimit nga shtetasit e huaj, eliminimin e pritjeve të gjata përmes rezervimit të terminit dhe respektimin e të drejtave të shtetasve të huaj,” thuhet në njoftim.
MPB thekson se rezervimi i terminit është i domosdoshëm për të gjithë ata që kërkojnë leje të re qëndrimi apo që duan të vazhdojnë lejen aktuale, në mënyrë që të respektohen afatet ligjore.
“Qytetarët-shtetasit e huaj kanë mundësinë e respektimit të afateve ligjore, para se të kalojnë ditët e caktuara të qëndrimit 90 ditë, apo të cilët e vazhdojnë lejen e qëndrimit, të organizojnë kohën e tyre të terminit brenda afatit 30 ditë para skadimit të saj”, thuhet në njoftim.
Ministria ka theksuar përkushtimin e saj për shërbime cilësore dhe digjitalizim të proceseve, duke u shprehur se po punon vazhdimisht për të krijuar lehtësira për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Për të caktuar termin për leje qëndrimi, të interesuarit mund të aplikojnë përmes platformës zyrtare: Platforma eKosova – Lejeqëndrim.