
Nga varfërimi në shkatërrim, një projekt i rrezikshëm për afganistanizimin e Kosovës
(Ky është momenti i reflektimit dhe ndërhyrjes)
Shkruan: Hisen Berisha
Procesi politik në Kosovë po shkon drejtë një spiraleje rreziku, ku pengesat për konstituimin e institucioneve nuk janë më pasojë e zakonshme e një vakumi post-zgjedhor, por produkt i një strategjie të vetëdijshme destabilizimi.
Kjo strategji është përgatitur me kohë dhe aktualisht po kalon në fazën përfundimtare të shndërrimit të krizës institucionale në një përplasje qytetare.
Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje, pas katër vitesh të një qeverisjeje autokratike, të centralizuar dhe populiste, e kanë çuar vendin në varfërim ekonomik dhe në degradim institucional.
Sot, që ai ka humbur legjitimitetin elektoral dhe nuk arrin të zgjedhë Kryetarin e Kuvendit dhe konsekuencialisht as të formojë qeveri, përpjekja e tij nuk është kthimi në opozitë apo reflektimi politik, por përgatitja e një skenari për përmbysje të sistemit.
Dështimi i Vetëvendosjes për të marrë shumicën në Kuvend dhe për të formuar qeverinë, ka aktivizuar skenarin rezervë për, nxitjen e një revolte të planifikuar në momentin kur partitë e ish-opozitës, do të tentojnë të krijojnë qeveri.
Dhe meqë asnjëri tabor nuk i ka votat e mjaftueshme atëherë cili do që të jetë qeveribërës, duhet të llogaris në vota të mundshme edhe nga deputetët “rrebelë” të Listës Serbe, të cilat në vlerësimin tim do të mund të ishin tre, por në deklarimin e znj. Shfarc dhe z. Viçiq të “rrebeluarit” e Listës serbe do jenë katër, e nga burime informale ata do jenë gjashtë e për ta mbajtur Kurtin në qeverisje me çdo kusht, do i ketë të gjitha votat e serbëve në Kuvendin e Kosovës.
Në këtë pikë, nëse Kurti dështon, dhe qeverinë e bënë partia e dytë fituese, strukturat e tij do të shpallin “tradhti kombëtare” çdo marrëveshje që nuk ka firmën e tij dhe do të tentojnë të ndezin terrenin.
Kjo logjikë është tashmë publike.
Znj. Shfarc, figurë e njohur dhe e afërt me LVV-në, në një prononcim publik u bëri thirrje qytetarëve të “ushtrojnë presion ndaj atyre që e bllokojnë Kuvendin” — një kod i njohur për mobilizim rrugësh, përplasjesh dhe rrënimi institucional. Edhe kjo është thirrje e penalizuehme kundër rendit ligjor e kushtetues dhe organet e mbrojtjes duhet të veprojnë.
E gjithë kjo mbështetet mbi një doktrinë të re radikale se, nëse s’jemi ne në pushtet, nuk do ketë fare pushtet.
Në këtë kontekst, duhet analizuar edhe ftesa e fundit e Kurtit drejtuar liderëve të partive parlamentare për bisedime, e cila në fakt nuk është për kompromis, por për imponim. Propozimi për takim vjen i kushtëzuar me qëndrimin e pandryshueshëm që kandidatja për kryetare të Kuvendit të jetë ajo që e ka propozuar LVV, duke e përjashtuar gatishmërinë për ndërrim kandidati ose ndonjë zgjidhje konsensuale. Kjo sjellje vetëm sa përforcon krizën dhe bllokon rrugët e funksionalizimit institucional.
Në anën tjetër, po tentohet ndërtimi i një narrative publike nga LVV dhe Kurti se ata janë oferta e vetme për zgjidhje, ndërsa partitë tjera paraqiten si bllokuese – duke ju vënë etiketime që arrijnë deri aty sa të barazohen me Listën Serbe. Kjo është një strategji e qëllimshme për ta kriminalizuar çdo kundërshtim politik dhe për ta shndërruar pluralizmin në faj.
Së fundmi, ekziston një përpjekje tjetër e rrezikshme për ta kaluar në votim kandidaten për kryetare të Kuvendit, duke ndryshuar formën e votimit në mënyrë joligjore dhe në kundërshtim me rregulloren e punës së Kuvendit, vetëm për të manipuluar ose kontrabanduar votën e deputetëve. Ky veprim do të ishte jo vetëm shkelje e rëndë procedurale, por edhe paralajmërim për një krizë të re legjitimiteti dhe funksionaliteti të Kuvendit të Kosovës.
Paralelisht, përgatitja psikologjike e qytetarëve të politizuar, përmes gjuhës së urrejtjes, propagandës dhe teorive të konspiracionit, po krijon terrenin për një “revolucion të shamijave të kuqe” — një simbolikë groteske e një radikalizmi politik që s’ka asgjë të përbashkët me demokracinë.
Ky revolucion nuk do të jetë as spontan, as popullor, por është projekt i menaxhuar dhe i përkrahur nga struktura që nuk e njohin më as rendin kushtetues, as legjitimitetin institucional, as kufijtë e logjikës politike.
Edhe nëse formimi i qeverisë nga partitë e tjera dështon, ideja se qeveria aktuale do të qëndrojë në zyrë pa mandat, pa shumicë dhe pa legjitimitet, është vetë thelbi i përmbysjes së rendit demokratik. Në ketë situatë duhet të veproj drejtësia, në emër të mbrojtjes së rendit kushtetues – kategori kjo që hyn në veprat penale kundër shtetit.
Kurti nuk planifikon t’i lëshojë institucionet, as me vendim, as me ligj, as me arsyetim. Në këto rrethana nëse dështojnë institucionet e zbatimit të ligjit dhe mbrojtjes së kushtetutshmërisë atëherë nuk mbetet rrugë tjetër përveç veprimit qytetar.
Ai ka ndërtuar një narrativë ku populli është ai që ai e përfaqëson, institucionet janë të tijat, dhe shteti ekziston vetëm nëse ai e udhëheq. Kjo është situatë kur liderët politik i përfshin “sindromi rus” i çmendurisë që të jep dëliri i pushtetit.
Në këtë atmosferë, Kosova nuk është më vetëm një projekt i papërfunduar shtetëror, por një objekt i rrezikuar nga shpërbërja e brendshme dhe bllokimi i jashtëm.
Një shtet që nuk funksionon institucionalisht, që nuk pranon rregullat kushtetuese dhe që është peng i një njeriu të vetëm, është një shtet që po rrezikon të rrëshqasë drejt skenarëve të vendeve të dështuar, si Afganistani i pasluftës.
Kjo është arsyeja pse qytetarët, partitë politike, mediat dhe faktori ndërkombëtar duhet të dalin nga iluzioni se kemi të bëjmë thjesht me një krizë kalimtare.
Ky është momenti i reflektimit dhe ndërhyrjes.
Kosova nuk ka nevojë për revolucion të përgjakshëm, por për restaurim të rendit kushtetues dhe kthim në normalitet demokratik.
Shteti nuk mund të mbrohet me rrëmujë, me barrikada apo me shamija të kuqe. Ai mbrohet me ligj, me institucione dhe me qytetarë të vetëdijshëm. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë shfaqja absurde që ka nisur, do të kthehet në një tragjedi kombëtare ku qytetari i zakonshëm, i lodhur dhe i mashtruar, do të vazhdojë të shikojë orën — jo për të votuar, por për të ikur.