Nga viti i ardhshëm paralajmërohet ndryshim i çmimit për TPL-në

24 shtator 2020 | 12:13

Zëvendësguvernatori për Mbikëqyrje Financiare në Bankën Qendrore të Kosovës, Sokol Havolli, dhe kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, kanë mbajtur sot konferencë për media.

Zëvendësguvernatori i BQK-së ka paralajmëruar ulje të polisave për çmimin e sigurimit të detyrueshëm të automjeteve (TPL), kjo bazuar në çmimet e tregut dhe liberalizimin e kësaj industrie.

Havolli ka thënë se BQK-ja ka marrë një sërë masash sa i përket industrisë së sigurimeve.

Ai ka bërë me dije se nga fillimi i vitit të ardhshëm TPL-ja do të paguhet në bazë të rrezikshmërisë individuale dhe po ashtu do të bëhet liberalizimi i tregut në këtë industri.

“Çmimet duhet të jenë të përcaktuara nga tregu. Modeli i polisave duhet të jetë i bazuar në riskun e gjithsecilit, lëvizje drejtë liberalizimit. Në fillim të vitit të ardhshëm duhet të kemi modelin e ri të çmimeve për TPL”, ka thënë Havolli.

Kurse, kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, ka thënë se kjo i hap rrugë presionit konkurrues ndërmjet kompanive që operojnë në Kosovë. “Diskutuam për çështje që po e preokupojnë qytetarin e Kosovës që ka të bëjë me sigurimin e detyrueshëm të veturave. Ne si AKK ofruam zgjidhje në këtë drejtim në të cilën bazohen në parimet e ekonomisë së tregut me konkurrencë të lirë gjë që është fazë në rregullimin e sistemit Kushtetues të Kosovës”, u shpreh ai.

Prestreshi tutje ka treguar se kjo po bëhet për të hapur tregun konkurruese në Kosovë.“Pra kemi të bëjmë me çmimin dysheme dhe tavan. Siç jeni të informuar ne si AKK dhe BQK-ja,  janë duke trajtuar këtë rast që nga viti i kaluar dhe kemi ofruar një rekomandime profesional lidhur më këtë çështje vitin e kaluar, ku kemi theksuar nevojën e liberalizimin e këtij tregu si dhe çmime të unifikuara të TPL, si dhe t’i hapet rrugë presionit konkurrues ndërmjet kompanive që operojnë në Kosovë”, u shpreh Pestreshi.

(A.M / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit