
Nga zhvillimi ekonomik dhe përfshirja aktive e të rinjve, ky është vizioni i Rrahim Tërnavës të PDK-së për Fushë Kosovën
Kandidati për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rrahim Tërnava, në një intervistë për KosovaPress ka folur për planet dhe vizionin e tij për qytetin e Fushë Kosovës. Ai ka prezantuar projektet kryesore të plan-programit të tij zgjedhor, duke përfshirë transformimin urban të qytetit, përmirësimin e infrastrukturës rrugore, lehtësimin e komunikacionit, zhvillimin ekonomik dhe përfshirjen aktive të të rinjve dhe shoqërisë civile.
Tërnava tha se prioriteti kryesor i tij është investimi në infrastrukturë, duke theksuar lehtësimin e komunikacionit si dhe ndërtimin e një treni motorik që do të lidh Fushë Kosovën me Prishtinën. Ai përmendi edhe zhvillimin e zonave industriale rreth qendrës së qytetit, duke theksuar pozicionin strategjik të Fushë Kosovës afër kryeqytetit si mundësi për magazinim, prodhim dhe tërheqje të investimeve nga kompani vendore dhe të huaja.
“Po, prioriteti kryesor i yni është investimi në infrastrukturë, lehtësimi i komunikacionit rrugor duke rregulluar dy rrugë anësore, rreth hekurudhës një rrugë që lehtëson komunikacionin rrugës kryesore që lidhet me Prishtinën dhe një rrugë tjetër ku është lumi… që lehtëson anën e djathtë të qytetit me linjën Fushë Kosovë-Prishtinë, pastaj një tren motorik që lehtëson komunikacionin rrugor, qytetarët mund ta shfrytëzojnë nga stacioni i trenit që ka nënstacione të vogla në rrugën “Hajrullah Zymi” dhe në rrugën “Pajazit Islami” që të shkojnë në Prishtinë te Pallati i Rinisë ku është stacioni i trenit që të mos përdoren veturat dhe të lehtësohet komunikacioni. Këto e bëjnë më të lehtë zhvillimin e komunikacionit dhe duke bërë më të lehtë komunikacionin qytetarët lëvizin më lirshëm dhe mund të punojnë më shumë dhe mos të humbin kohën në komunikacion siç ndodh sot. Pastaj disa rrugë tjera të cilat të qojnë në zona industriale që ne i kemi paraparë rreth qendrës së qytetit që është një mundësi shumë e madhe për investitorët pasi që është shumë afër kryeqytetit dhe pasi që është mundësia shumë e madhe si për magazinim të mallrave të ndryshëm nga qytetet tjera, si për prodhime të ndryshme është një mundësi shumë e madhe, Fushë Kosova ka jashtëzakonisht kushte dhe gjeografikisht është shumë afër kryeqytetit ku ka mundësi të investojë në prodhime dhe produkte të ndryshme”, tha Tërnava.
Në planin ekonomik, ai ka paraqitur një program mbështetës për të rinjtë përmes startup-eve, duke ndarë grante në vlerë prej 10 mijë eurosh për biznese të reja. Programi parasheh mbështetjen fillimisht të 50 bizneseve në vitin e parë, dhe më pas rritjen graduale në 100, 150 dhe 200 gjatë katër viteve të mandatit. Ai beson se Fushë Kosova ka kapacitete njerëzore dhe profesionalë të mjaftueshëm për të përkrahur këtë zhvillim, për shkak të numrit të madh të banorëve që jetojnë dhe punojnë në këtë komunë.
“Për të krijuar zhvillimin ekonomik ne kemi paraparë ndarjen e disa granteve, sidomos për gjeneratat e reja që janë paraparë në plan-programin tonë, në plan-programin tonë kemi paraparë që ti shpërndajmë diku 50 startup-e për biznese të reja, sidomos për moshën e re që në vitin e dytë ta rrisim në 100, vitin e tretë 150, vitin e katërt 200 startup-e të reja, diku 10.000euro për çdo biznes, ide të re për startup. Ajo është një e mirë sepse gjeneratat e reja kanë ide, kanë mundësi pune. Çka është e mira në Fushë Kosovë është sepse ne nuk kemi vështirësi shumë në gjetjen e punëtorëve ose në gjetjen e profesionistëve sepse në Fushë Kosovë kemi shumë qytetarë që kanë ardhur nga gjithë Kosova, kemi banorë që jemi rritur në 70.000 banorë dhe duke marrë parasysh që kemi qytetarë, kemi njerëz sa na duhen që të hapet komuna dhe të iu jap mundësi qytetarëve të punojnë më shumë dhe të rritet ekonomia. Një qytet zhvillohet kur ka njerëz e ne njerëz kemi dhe do të bëjmë ndryshimin”, tha ai.
Në aspektin arsimor dhe profesional, Tërnava ka bërë të ditur planin për ndërtimin e një shkolle të re profesionale, ku të rinjtë do të përgatiten për zanate dhe do të lidhen drejtpërdrejt me tregun e punës brenda qytetit. Ai gjithashtu ka përmendur planin për ndërtimin e një stadiumi ndihmës dhe funksionalizimin e shkollave të futbollit, ku trajnerët do të punësohen nga komuna, duke ndikuar kështu në zhvillimin e sportit dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
“Në departamentin e zhvillimit ekonomik kemi njerëz që kanë eksperiencë në shkrimin e projekteve, në përgjigjen e kërkesave dhe të tregut. Për shembull, në Fushë Kosovë kemi zona që mund t’i lirojmë për investitorët dhe prona publike që janë shtetërore që investitorët të vijnë në Fushë-Kosovë dhe nga aty ndikon që me vendosjen e investitorëve në Fushë Kosovë ndikon direkt në punësimin e gjeneratave të reja në ato kompani të mëdha. Pastaj, ke hapësira të tjera që me funksionalizimin e stadiumit që duhet të bëhet edhe një stadium ndihmës aty, me shkollat e futbollit që ndikojnë në mënyrë direkte që trajnerët do t’i punësojmë ne në shkollën e futbollit të Fushë Kosovës pastaj në arsim, do të kemi shkollën e re profesionale që gjeneratat e reja ata që dëshirojnë të shkojnë në shkollë profesionale për zanat ta kenë tregun e punës pasi ta mbarojnë shkollën të jetë tregu i punës po aty në qytet. Qëllimi ynë është që gjeneratat e reja që mbarojnë shkollën, që studiojnë, të qëndrojnë në Fushë Kosovë, ta zhvillojnë Fushë Kosovën së bashku dhe të ngrisin nivelin e jetesës në Fushë Kosovë”, tha Tërnava.
Në këtë kontekst, ai ka paralajmëruar edhe ndërtimin e një qendre të re kulturore që do të shërbejë si platformë për talentet e reja dhe për organizimin e aktiviteteve dhe festivaleve të ndryshme.
Ndër projektet madhore që ai e cilëson si një test për të ardhmen e qytetit është ndërtimi i sheshit më të madh në Kosovë, që do të shtrihet nga rrethi deri tek rruga e Uglarit. Sipas tij, ky shesh do të shërbejë për organizimin e ngjarjeve kulturore dhe koncerteve masive, duke e bashkuar qytetin dhe krijuar një qendër të re urbane.
“Me sheshin e madh që do ta bëjmë nga rrethi deri tek rruga e Uglarit, që është sheshi më i madh në Kosovë që do ta ndërtojmë në Fushë Kosovë që është shumë sfidues dhe pa marrë parasysh se kush menaxhon me komunën e Fushë Kosovës, unë mendoj se do të jetë një testament që të realizohet ai shesh sepse ai shesh është puna që duhet bërë sepse komuna e Fushë Kosovës ka nevojë për atë shesh që e bashkon qytetin dhe bëhet sheshi më i madh në Kosovë, në atë shesh mund të organizosh çfarëdo lloj festivali. Me 1.35 km ke mundësi dhe hapësirë të realizosh çdo lloj koncerti me nivel të lartë ku mund të marrin pjesë mijëra njerëz.”, tha ai.
Në fund, Tërnava ka shprehur bindjen e tij se me lidershipin, vendosmërinë dhe ekipin që ka, do të bëjë ndryshimin e pritur nga qytetarët e Fushë Kosovës, në bashkëpunim me të gjithë banorët dhe fshatrat përreth.
“Rrahim Tërnava ka dëshmuar në një lidership, në një vendosmëri, në një seriozitet, në projektet dhe ofertën që ka që është i gatshëm dhe ka guximin, dijen, ekipin për të udhëhequr komunën e Fushë Kosovës ku bashkërisht me qytetarët e Fushë Kosovës do ta bëjmë ndryshimin e qytetit tonë dhe komunës sonë së bashku me fshatrat që të jetojmë më mirë.”, thekson Tërnava. Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor, ku qytetarët e të gjitha komunave të Kosovës do të votojnë për kryetarë të komunave të tyre dhe për asambleistët në kuvendet komunale.