Ngarkesa e gjykatave me lëndë civile si pasojë e kontratave kolektive

20 shtator 2022 | 16:44

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, të martën ka mbajtur konferencë për medie, në të cilën është publikuar raporti “Regresi i drejtësisë civile”, i cili raport paraqet gjetjet nga monitorimi që IKD ua ka bërë rasteve gjyqësore civile gjatë vitit 2021.

Anesa Hoxha, hulumtuese në IKD, tha se ngarkesa e gjykatave me lëndë civile është si pasojë e administrimit joadekuat të institucioneve përkitazi me kontratat kolektive.

Fillimisht, Hoxha ka thënë se nga monitorimi sistematik që IKD-ja i bën sistemit të drejtësisë gjatë vitit 2021 ka monitoruar gjithsej 1 166 seanca të natyrës civile prej të cilave 911 janë mbajtur, ndërsa 255 janë shtyrë e që, sipas këtyre të dhënave, del se çdo e pesta seancë civile është shtyrë.

Ajo ka shtuar se viti 2021 është një nga vitet i cili ka shënuar rekord të ngritjes së numrit të lëndëve të pazgjidhura të cilat barten vit pas viti.

“Nëse e shohim kronologjikisht, që nga viti 2018 e deri në fund të vitit 2021, numri i lëndëve të pazgjidhura pothuajse është dyfishuar përderisa në vitin 2018 numri i lëndëve të pazgjidhura ka qenë 44 213, në vitin 2021 ka qenë 85 087”, ka theksuar Hoxha.

Sa i përket ngarkesës së gjykatave me lëndë civile, sipas Hoxhës, faktori kryesor i kësaj dukurie është rritja eksponenciale e numrit të lëndëve të pranuara, ku gjatë vitit 2021 janë pranuar 43 536 lëndë.

Ajo shtoi se shkaktari kryesor i rritjes së numrit të lëndëve të pranuara dhe i rëndimit kaq të madh të sistemit gjyqësor konsiderohet të jetë administrimi joadekuat i institucioneve të cilat janë të obliguara që t’i përmbushin detyrimet sipas Kontratave Kolektive.

Moszbatimi i obligimeve që rrjedhin nga këto kontrata, sipas Hoxhës, ka bërë që të drejtat që rrjedhin nga këto kontrata të fitohen vetëm përmes rrugëve gjyqësore dhe kjo qasje ka rënduar tejmase gjendjen e sistemit të drejtësisë.

“Vetëm gjatë vitit 2021, rreth 17 400 lëndë civile apo 40 % e lëndëve të pranuara janë lëndë të cilat rrjedhin nga kontestet që ndërlidhen me zbatimin e obligimeve përkitazi me kontratën kolektive”, ka thënë Hoxha.

Përpos rëndesës së sistemit gjyqësor, ky mosveprim nga ana e institucioneve administrative, siç tha Hoxha, dëmton edhe buxhetin e Republikës së Kosovës, pasi që kur realizimi i të drejtave që rrjedhin nga kontratat kolektive u nënshtrohet rrugëve gjyqësore, atëherë krijohen edhe shpenzimet procedurale, që në disa raste dinë të jenë më të larta sesa vetë e drejta që kërkohet.

Sa i përket efikasitetit të gjyqtarëve, Hoxha tha se nëse merret si pikë reference numri i lëndëve të cilat gjyqtarët obligohen t’i zgjidhin brenda një viti, atëherë del se rritjes së numrit të lëndëve të pazgjidhura i ka kontribuar edhe mosefikasiteti i gjyqtarëve pasi që, sipas Hoxhës, mesatarisht brenda vitit ka zgjidhur 115 lëndë më pas sesa obligimi i tyre i përcaktuar nga KGJK.

Ndërsa sipas hulumtueses së IKD-së, Justina Frrokaj, një ndër sfidat e tjera të administrimit të drejtësisë civile vazhdon të mbetet kohëzgjatja e procedurave gjyqësore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq ia ka dërguar…