Ngecin negociatat LV – LDK
Lëvizja Vetëvendosje (LV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ende nuk kanë arritur pajtueshmëri për nënshkrimin e një marrëveshje për ta formuar qeverinë.
As të premten, as të shtunën dhe as të dielën nuk është realizuar asnjë takim mes zyrtarëve të këtyre dy partive për këtë qëllim.
Ndërkaq të premten presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ia ka kërkuar Lëvizjes Vetëvendosje emrin e kandidatit për kryeministër, shkruan “Epoka e re”.
Përmes një letre drejtuar liderit të LV-së, Albin Kurti, presidenti ka kërkuar që të njoftohet nëse Vetëvendosja do ta dorëzojë emrin e mandatarit për kryeministër apo do të refuzojë ta bëjë një gjë të tillë. Kjo e fundit nuk i është përgjigjur letrës së presidentit.
Ndërsa njohësit e proceseve politike letrën e presidentit Thaçi e kanë parë si presion politik ndaj Kurtit për të arritur sa më shpejt marrëveshje me LDK-në.
Për negociatat me LDK-në të dielën ka folur lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili ka thënë se të mërkurën që lamë pas të dyja palët kanë bërë nga një propozim.
“Pra, kishte lëvizje. Të enjten ne si Lëvizje Vetëvendosje kemi bërë edhe dy propozime të reja. Për propozimin tonë të fundit na është thënë se do ta trajtojnë në organet e tyre, meqenëse ky propozim ishte risi. Nuk mund të flas se cila është përmbajtja e tij dhe çfarë do të bëjmë ne, pasi kjo është pjesë e negociatave, unë mund të flas për atë se çka nuk do të bëjmë”, ka thënë Kurti në takimin që ka pasur me e kryetarët e qendrave të kësaj lëvizje.
Ndërkaq edhe LDK-ja ka njoftuar se në mirëbesim dhe me vullnet për të arritur marrëveshje ia ka paraqitur ofertën LV-së për bashkëqeverisje. Por asnjëra palë nuk i ka bërë publike ofertat që ia kanë bërë njëra-tjetrës për formimin e qeverisës.
(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)



