Ngërçi në Këshillin Politik, Meta: Nëse dera e Evropës mbyllet dihet kush është përgjegjës

19 qershor 2020 | 14:57

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka komentuar ngërçin e krijuar në Këshillin Politik për Reformën Zgjedhore në lidhje me riformatimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Meta në një konferencë për medie ka kërkuar nga palët që t’i qëndrojnë marrëveshjes për ta çuar vendin sa më shpejt drejt zgjedhjeve të reja.

Sipas tij, tashmë është e qartë se kush janë përgjegjësit nëse dyert e Evropës mbyllen sërish.

“Uroj që palët t’i qëndrojnë marrëveshjes që kanë nënshkruar, e cila padyshim që mund të lerë mjaft për të dëshiruar në përmbajtjen e saj, por ne e dimë që jemi në një situatë kritike të një mosbesimi të thellë dhe të problemeve serioze të legjitimitetit të institucioneve. Është koha për të kuptuar seriozisht të gjitha këto shqetësime që vijnë nga partnerët evropianë të cilët kanë bërë përpjekjet më të mëdha për ta lënë derën të hapur për Shqipërinë, por në rast se dera do të mbyllet të gjithë shqiptarët do ta kenë të qartë se kush e ka përgjegjësinë”

“Shpresoj të ketë reflektim të shpejtë dhe të ecim drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Është e sigurt që zgjedhjet e ardhshme do të jenë nën një monitorim tepër të ashpër nga faktori ndërkombëtar”, ka thënë Meta. / A2 CNN/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
2 500 euro gjobë është dënimi që ka shqiptuar Departamenti…