Ngjarje tragjike në Prizren: Vdes një 40-vjeçar pasi ra nga kulmi i një ndërtese ku po punonte

30 korrik 2025 | 21:36

Një burrë rreth 40 vjeç ka humbur jetën sot në Prizren, pasi ka rënë nga kulmi i një ndërtese gjatë punës. Viktima, me inicialet N.XH., ishte nga Drenasi dhe po kryente punime në kulm kur ndodhi incidenti fatal.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

“Sot, më 30.07.2025, rreth orës 12:45, në qytetin e Prizrenit është raportuar një incident në vendin e punës. Viktima N.XH., mashkull rreth 40 vjeç, ka rënë nga lartësia gjatë punimeve në kulm dhe ka pësuar lëndime të rënda trupore. Ai është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku më vonë, sipas informatave zyrtare nga emergjenca, është konfirmuar vdekja e tij si pasojë e lëndimeve të marra”, ka deklaruar Bytyqi.

Sipas policisë, të gjitha njësitë relevante janë angazhuar menjëherë në vendngjarje, përfshirë hetuesit kujdestarë dhe prokurorin e rastit.

Lidhur me këtë ngjarje tragjike, janë intervistuar si të dyshuar mbikëqyrësi i punimeve dhe investitori i projektit, të cilët më pas janë ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit.

Rasti është cilësuar si “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, dhe hetimet rreth shkaqeve të plota të incidentit janë duke vazhduar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në veri të vendit, një ditë më parë shkoi Forca…