Ngjarjet kryesore që përcollën Kosovën në vitin 2017

31 dhjetor 15:10

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe ato lokale kanë qenë kryefjala në Kosovë gjatë vitit 2017.

Krahas zgjedhjeve kanë ndodhur edhe disa ngjarje të rëndësishme, njëra prej tyre njohja e Kosovës nga Madagaskari. Po ashtu, në vitin 2017 është shuar nga jeta ish-kryeministri i parë i Kosovës, Bajram Rexhepi.

Haradinaj ndalohet nga autoritetet franceze, lirohet pas katër muajve

4 janar dhe 27 prill – Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë (AAK), Ramush Haradinaj, ishte ndaluar në aeroportin e Bazelit (pjesa franceze) në bazë të një fletarrestimi ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia dhe është liruar më 27 prill. Ndaj ndalimit të Haradinajt kanë reaguar presidenti Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Isa Mustafa, kryetari i Vetëvendosje!-s, Visar Ymeri, ai i Nismës, Fatmir Limaj, zyrtarët e AAK-së, shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së etj. Për ndalimin e Haradinajt është mbajtur edhe një seancë e jashtëzakonshme parlamentare, por deputetët nuk kanë arritur të miratojnë një rezolutë. Po ashtu, në shumicën e komunave të Kosovës dhe në disa shtete evropiane është protestuar për lirimin e Haradinajt.

Nikoloqit i ndalohet hyrja në Kosovë

4 janar – Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për ta refuzuar kërkesën e presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliq dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të Qeverisë së Serbisë për ta vizituar Komunën e Shtërpcës në Kosovë me rastin e Krishtlindjes Ortodokse. Refuzimi i kësaj kërkese kishte zgjuar reagime në Serbi.

Kosova ndalon hyrjen e trenit serb

14 janar – Autoritetet e Kosovës nuk e kanë lejuar të hyjë në vendin tonë trenin me motive nacionaliste nga Serbia. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte ai i cili kishte kërkuar nga institucionet e Kosovës që me asnjë çmim mos ta lejojnë këtë tren të hyjë në Kosovë. Kërkesa e Thaçit ishte përfillur nga institucionet e vendit, pasi që në veri kishin shkuar edhe njësitë elitare të Policisë së Kosovës, ato RUSU.

Rrënohet muri afër urës së Ibrit

5 shkurt – Autoritetet e Kosovës kanë rrënuar murin ilegal i cili ishte vendosur nga serbët në afërsi të urës së Ibrit në Mitrovicë. Ky mur është rrënuar falë marrëveshjes së 4 shkurtit në mes të zyrtarëve të Qeverisë dhe Komunës së Mitrovicës së Veriut. Garantues të kësaj marrëveshje kanë qenë ndërkombëtarët. Rrënimin e këtij muri e kanë përshëndetur autoritetet e Kosovës dhe të bashkësisë ndërkombëtare.

Driton Gashi emërohet drejtor i AKI-së

8 shkurt – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bashkë me kryeministrin e vendit, Isa Mustafa, kanë emëruar Driton Gashin, drejtor të ri të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI). Gashi para se të emërohet në këtë pozitë ka shërbyer sekretar i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Emri i Gashit në këtë pozitë ka ardhur pas dorëheqjes së Agron Selimajt.

Kosova themelon Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin

13 shkurt – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka paraqitur nismën për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, i cili, sipas tij, do të mundësojë dialog të hapur brenda komuniteteve në Kosovë mbi bazën e pajtimit të shëndoshë. Pas paraqitjes së kësaj nisme, Thaçi më 13 dhjetor ka themeluar ekipin përgatitor për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin.

Kadri Veseli takohet me Donald Trumpin

22 shkurt – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli, ka qenë lideri i parë nga shtetet e Ballkanit Perëndimor që është takuar me presidentin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Pas takimit Veseli kishte publikuar në llogarinë e vet në “Facebook” edhe fotografinë e takimit me presidentin Trump. Veseli kishte thënë se Kosova është e bekuar që ka mbështetjen amerikane.

Talat Xhaferi zgjedhet kryetar i Parlamentit të Maqedonisë

27 prill – Ish-ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë, Talat Xhaferi nga BDI-ja, është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Maqedonisë. Xhaferi është shqiptari i parë që bëhet kryeparlamentar i shtetit maqedonas. Votimi i Xhaferit ka ndodhur përkundër protestës së deputetëve të VMRO-DPMNE-së të cilët kanë tentuar ta bllokojnë zgjedhjen e tij. Madje përkrahësit e VMRO-DPMNE-së kanë ushtruar dhunë brenda dhe jashtë Kuvendit, ku kishte mbetur i lënduar deputeti shqiptar Zijadin Sela.

Bie Qeveria Mustafa

10 maj – Me 78 vota për, 34 kundër dhe tri abstenime, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar mocionin për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës, të drejtuar nga Isa Mustafa. Mocioni për rrëzimin e Qeverisë ishte iniciuar nga Nisma për Kosovën dhe ishte përkrahur nga PDK-ja e cila ishte pjesë e Qeverisë, Vetëvendosje dhe AAK-ja. Seanca në të cilën është rrëzuar Qeveria Mustafa është përshkuar me debate, akuza e polemika ndërmjet deputetëve të PDK-së dhe LDK-së, të cilët deri më 10 maj kanë bashkëqeverisur. Pas rrëzimit të Qeverisë, presidenti Hashim Thaçi kishte vendosur që më 11 qershor të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Arrihet marrëveshja në mes të PDK-së, AAK-së dhe Nismës

17 maj – Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën kanë arritur marrëveshje për koalicion parazgjedhor për zgjedhjet e 11 qershorit. Sipas kësaj marrëveshje, kandidat për kryeministër nga koalicioni PAN është Ramush Haradinaj, ndërsa bartës i listës zgjedhore, Kadri Veseli. Kjo marrëveshje kishte ardhur si rezultat i koalicionit parazgjedhor në mes të LDK-së, AKR-së dhe Alternativës.

PAN-i fiton zgjedhjet, dyfishohet Vetëvendosja

11 qershor – Koalicioni PDK-AAK-Nisma, ashtu siç ishte pritur, kishte dalë fitues në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Në bazë të rezultateve të certifikuara, koalicioni PAN ka fituar 245 mijë e 627 vota apo 33.74 për qind, Lëvizja Vetëvendosja 200 mijë e 135 vota apo 27.49 për qind dhe koalicioni LDK-AKR-Alternativa ka fituar 185 mijë e 884 vota 25.53 për qind. Bazuar në përqindjen e votave të fituara, koalicioni PAN ka fituar 39 mandate, Vetëvendosja 32, koalicioni LAA 29, Lista Serbe 9, koalicioni VAKAT dhe KDTP-ja nga dy mandate, Jedinstva Goranska Partija, Partia e Ashkalinjve për Integrim, Partia Demokratike e Ashkalinjve të Kosovës, Samostalna Liberalna Stranka, Partia Liberale Egjiptiane, Nova Demoktratska Stranka, dhe Partia Rome e Bashkuar e Kosovës nga një mandat.

Edi Ramës i besohet qeverisja e Shqipërisë

25 qershor – Partia Socialiste (PS) ka arritur një fitore historike në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Partia e drejtuar nga Edi Rama ka arritur që e vetme ta formojë qeverinë, duke fituar 74 mandate. Rezultat zhgënjyes në këto zgjedhje ka shënuar Partia Demokratike e drejtuar nga Lulzim Basha, duke fituar vetëm 41 mandate, e pasuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) me 18 mandate.

Lirohet Sami Lushtaku

3 korrik – Gjykata Supreme kishte vendosur për lirimin e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sami Lushtakut, nga të gjithat akuzat për krime lufte, për të cilat ishte dënuar me 12 vjet burgim nga Gjykata Themelore në Veri të Mitrovicës, e më pas shtatë vjet burgim nga Gjykata e Apelit. Menjëherë pas lirimit, Lushtaku u është drejtuar varrezave të Jasharëve në Prekaz për të bërë homazhe atje.

Ndërroi jetë Bajram Rexhepi

21 gusht – Kryeministri i parë i Kosovës, Bajram Rexhepi, ka ndërruar në një prej spitaleve të Turqisë. Ai ndodhej në gjendje kome prej disa muajsh, pas një sulmi në tru. Vdekja e tij e parakohshme është pritur me dhimbje të thellë nga liderët politikë të Kosovës, të Shqipërisë, nga përfaqësuesit ndërkombëtarë që veprojnë në Kosovë, nga shoqëria civile, nga Organizata e Veteranëve e Luftës së UÇK-së, nga bashkëpunëtorë dhe familjarë të tij. Varrimi i ish-kryeministrit Rexhepi është bërë nën përkujdesjen e Qeverisë së Kosovës në Varrezat e Dëshmorëve në Shipol të Mitrovicës.

Shugurohet Katedralja “Shën Tereza”

5 shtator – Në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta të shenjtores Nënë Tereza në Prishtinë është bërë shugurimi i Katedrales “Shën Tereza”. Në ritin e shugurimit kanë marrë pjesë i deleguari i posaçëm nga Vatikani, kardinali shqiptar Ernest Simoni Troshani, personalitete udhëheqëse të Ipeshkvisë së Kosovës, përfaqësues të institucioneve të larta të shtetit dhe të jetës politike dhe publike, besimtarë të shumtë katolikë dhe qytetarë të tjerë.

Veseli rizgjedhet kryeparlamentar, Haradinaj kryeministër

8 shtator – Me 62 vota për dhe 52 kundër, Kadri Veseli është zgjedhur edhe për mandatin e dytë kryetar i Kuvendit të Kosovës. Ndërsa më 9 shtator kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është zgjedhur kryeministër i Kosovës. Haradinaj ka marrë votën nga 62 deputetë, derisa deputetët e Vetëvendosjes dhe të LDK-së janë larguar nga salla.

Haradinaj shkarkon komisionin e Murat Mehës

11 shtator – Ramush Haradinaj në ditën e parë të punës si kryeministër mori vendim për shkarkimin e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror dhe kryetarin e tij Murat Meha. Pas shkarkimit të Mehës, Haradinaj ka emëruar në krye të këtij komisioni ekspertin dhe profesorin Shpejtim Bulliqi.

Qeveria Haradinaj ia kalon asaj Mustafa për numrin e zëvendësministrave

Shtator, dhjetor – Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Ramush Haradinaj, ka 22 ministra, pesë zëvendëskryeministri dhe 72 zëvendësministra. Numri i madh i zëvendësministrave është kritikuar nga opozita dhe shoqëria civile. Kryeministri Haradinaj ka thënë se nuk krenohet me numrin e madh të zëvendësministrave, por për ta do të ketë punë. Qeveria e kaluar e drejtuar nga Isa Mustafa ka pasur rreth 50 zëvendësministra.

Thaçi dhe Zonja e Parë e Kosovës janë pritur nga çifti presidencial Trump

20 shtator – Me ftesë të presidentit të ShBA-së presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bashkë me Zonjën e Parë të shtetit, Lumnije Thaçi, është pritur nga çifti presidencial amerikan, presidenti Donald Trump dhe Zonja e Parë, Melania Trump. Në këtë takim Thaçi e ka falënderuar presidentin Trump për mbështetjen personale për Kosovën, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partnerët kryesorë strategjikë ë Kosovës.

Limaj shpallet i pafajshëm në rastin e MTPT-së

24 shtator – Fatmir Limaj dhe katër të akuzuarit e tjerë janë shpallur të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës në rastin e njohur si MTPT. Pas aktgjykimit, Limaj në një konferencë për medie ka thënë se është persekutuar padrejtësisht për tetë vjet rresht. Ai është zotuar se do të jetë flamurtar i luftimit të padrejtësive në vend.

Frashër Krasniqi grushton Milaim Zekën në debat televiziv

29 shtator – Debati verbal i ashpër në mes të dy deputetëve, Frashër Krasniqi nga Lëvizja Vetëvendosje! dhe Milaim Zekës nga Nisma për Kosovën, në televizionin “Klan Kosova” ka kaluar në dhunë fizike mes tyre. Ata fillimisht janë fyer rëndë me njëri-tjetrin, më pas Krasniqi i ka hedhur ujë Zekës. Njëjtë ka vepruar edhe Zeka ndaj tij. Krasniqi është ngritur nga ulësja dhe e ka grushtuar Zekën. Moderatori i cili e drejtonte debatin është dashur të ndërhyjë dhe ta ndërpresë emisionin.

Grupi i Kumanovës dënohet me 746 vjet burgim

2 nëntor – Gjykata Themelore e Shkupit i ka dënuar me 746 vjet burgim 37 pjesëtarët e grupit të Kumanovës, të akuzuar për terrorizëm për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015. Shtatë veta janë dënuar me burgim të përjetshëm, 13 të tjerë u dënuan me 40 vjet burgim, gjashtë me nga 20 vjet burgim, shtatë të tjerë janë dënuar me nga 18 vjet burgim e më poshtë. Në mungesë të dëshmive, katër persona janë liruar nga të gjitha akuzat. Kundër këtij vendimi kanë protestuar familjet e të dënuarve, të cilët kanë kërkuar hetim ndërkombëtar.

Ushtria do të krijohet në partneritet me NATO-n

13 nëntor – Në Prishtinë është mbajtur konferenca ‘NATO dhe Ballkani Perëndimor: Dinamikat rajonale në erën e sfidave globale të sigurisë’. Në këtë konferencë krerët institucionalë të Kosovës janë zotuar para zyrtarëve të lartë të NATO-s se transformimi i FSK-së në ushtri do të bëhet në harmoni me Kushtetutën dhe në partneritet me NATO-n e ShBA-në.

Kosova mbajti zgjedhjet lokale

22 tetor – Kosova ka organizuar zgjedhjet lokale. Në këto zgjedhje të cilat janë mbajtur edhe më 19 nëntor (balotazhi) numrin më të madh të komunave i ka fituar LDK-ja, e pasuar nga AAK-ja, derisa PDK-ja ka shënuar rezultate zhgënjyese në garën për kryetarë komunash, edhe pse në nivel asamblistësh ka dalë partia e parë. LDK-ja ka fituar këto komuna: Pejë, Gjilan, Viti, Podujevë, Fushë-Kosovë, Obiliq, Vushtrri dhe Istog, ndërsa AAK-ja ka fituar në Gjakovë, Rahovec, Therandë, Deçan, Junik, Obiliq dhe Klinë. PDK-ja ka fituar në Drenas, Shtime, Ferizaj, Kaçanik dhe Dragash, kurse Lëvizja Vetëvendosje ka fituar në Prishtinë, Prizren dhe Dardanë. Dy komuna janë fituar nga kandidatët e pavarur, Bekim Jashari në Skenderaj dhe Rufki Suma në Han të Elezit. Ndërsa shumica e komunave serbe janë fituar nga kandidatët e Listës Serbe.

EULEX-i sërish akuzohet për korrupsion të brendshëm

16 nëntor – Udhëheqësi i gjykatësve të EULEX-it, Malcolm Simmons, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë. Arsyet e dorëheqjes britaniku i ka treguar në një intervistë për gazetën franceze “Le Monde”, me ç’rast e ka akuzuar këtë mision për keqfunksionim dhe korrupsion të brendshëm.

Dënohen aktivistët e Vetëvendosjes

17 nëntor – Gjykata Themelore në Prishtinë i ka shpallur fajtorë deputetin e Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi, si dhe tre aktivistët e tjerë të kësaj partie, Atdhe Arifi, Adea Batusha dhe Egzon Haliti, të cilët akuzoheshin për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës. Gjykata ka vendosur që deputeti Krasniqi të dënohet me tetë vjet burgim, kurse Atdhe Arifi me gjashtë, Egzon Haliti me pesë vjet e gjashtë muaj, ndërsa Adea Batusha është dënuar me dy vjet burgim.

Kurti e Kadaj-Bujupi mbahen në paraburgim

24 nëntor – Policia e Kosovës ka arrestuar deputetët e Vetëvendosjes, Albin Kurti e Donika Kadaj-Bujupi. Ata janë arrestuar në bazë të një urdhri për arrest të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pasi të njëjtit nuk janë paraqitur në seancë gjyqësore lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. Albin Kurti dhe Kadaj-Bujupi më 29 dhjetor janë liruar nga paraburgimi.

Ofendimi i Kurtit nga Dërguti shpërfaq mospajtimet në Vetëvendosje

8 dhjetor – Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Dërguti, interesimin për arrestimin e Albin Kurtit e ka shprehur në mënyrë ofendues. Sipas një bisede të zhvilluar në “Viber” me deputetët e kësaj lëvizje, Dërguti e kishte quajtur Kurtin mut. Pas kësaj fyerje Dërguti është kritikuar ashpër nga aktivistët dhe disa deputetë të Vetëvendosjes si dhe ishte mbrojtur nga disa të tjerë. Pas kësaj ngjarje ajo fillimisht kishte kërkuar falje për ofendimin që ia kishte bërë Kurtit, por edhe ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetares së Vetëvendosjes në Vushtrri dhe nga ajo e kryesisë së kësaj lëvizje.

Kosova njihet nga Madagaskari

25 nëntor – Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli dhe ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku, kanë njoftuar se Kosova është njohur nga Madagaskari. Nota e njohjes është nënshkruar nga Henry Rabari Njaka, ministri i Punëve të Jashtme të Madagaskarit. Madagaskari është një shtet-ishull në juglindje të bregdetit të Afrikës, me një popullsi gati 25 milionë banorësh.

Haradinaj vizitën e parë si kryeministër e realizon në Tiranë dhe Bruksel

27 shtator – Kryeministri Ramush Haradinaj është pritur me nderime të larta në Tiranë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në kuadër të vizitës së parë jashtë vendit. Gjatë kësaj vizite Haradinaj është takuar edhe me presidentin Ilir Meta, liderin e opozitës, Lulzim Basha dhe ish-kryeministrin Sali Berisha. Ndërsa më 17 nëntor Haradinaj është takuar për herë të parë në cilësinë e kryeministrit me shefen e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini.

Thaçi takohet me Papa Françeskun, Mike Pence dhe kryeministrin e Kanadasë

27 shtator – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një audiencë private është pritur nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku, në Selinë e Shenjtë në Vatikan. Po ashtu, Thaçi më 29 shtator është pritur në Shtëpinë e Bardhë nga zëvendëspresidenti i ShBA-së, Michael Pence, ndërsa më 21 nëntor ka takuar kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau.

Betohen prokurorët dhe gjyqtarët serbë

24 tetor – Presidenti Kosovës, Hashim Thaçi, në mbështetje të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, me dekret ka emëruar 40 gjyqtarë dhe 13 prokurorë të rinj të shtetit nga komuniteti joshumicë. Presidenti Thaçi, pas ceremonisë së betimit, i ka uruar të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët e rinj, duke iu ofruar mbështetje në punën e tyre të përditshme.

Haradinaj në 100-ditëshin e punës si kryeministër ia rrit vetes pagën

20 dhjetor – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë vendim për t’ia dyfishuar vetes pagën dhe pesë zëvendëskryeministrave të vet, duke ia kaluar me pagë bruto edhe presidentit dhe kryetarit të Kuvendit. Deri më tash paga e kryeministrit ka qenë rreth 1 500 euro, derisa tash e tutje ajo do të jetë 2 950 euro. Po me vendim të tij, paga e zëvendëskryeministrit tash e tutje do të jetë 2 500 euro, kurse e ministrave nga 2 000 euro. Ndryshim të pagave kanë pësuar edhe disa zyrtarë të tjerë të qeverisë.

Kuvendi miraton buxhetin për vitin 2018

22 dhjetor – Me 59 vota për dhe 15 kundër, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për buxhetin e vitit 2018. Ky buxhet do të jetë 1 miliard e 829 milionë euro, ndërsa shpenzimet kalojnë 2 miliardë e 82 milionë euro.

Thaçi mban fjalimin vjetor në Kuvend

22 dhjetor – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbajtur fjalimin e fundvitit në Kuvendin e Kosovës. Fjalimi i tij ishte bojkotuar nga deputetët e Vetëvendosje, ata të LDK-së dhe deputetët e Listës Serbe. Më 5 dhjetor Thaçi ka mbajtur një fjalim edhe para pjesëtarëve të FSK-së në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

Tentohet shfuqizimi i Gjykatës Speciale

22 dhjetor – Dyzetetre (43) deputetë të Kuvendit të Kosovës përmes një kërkese për seancë të jashtëzakonshme kanë tentuar shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Kjo kërkesë e tyre është kundërshtuar ashpër nga faktori ndërkombëtar, sidomos nga ShBA-ja dhe Britania e Madhe. Po ashtu, kjo kërkesë është kundërshtuar edhe nga LDK-ja. Kryesia e Kuvendit dy herë ka tentuar ta dërgojë në seancë kërkesën e këtyre deputetëve, por për shkak të kuorumit nuk ia ka arritur. Kësaj iniciative i ka paraprirë peticioni i organizuar nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, të cilat kishin mbledhur mbi 15 mijë nënshkrime, ku kërkohej plotësim-ndryshimi i këtij ligji.

(Përgatiti: Faton Dermaku /Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në adresimin e tij të…