Ngjashmëritë, dallimet dhe ndërthurjet ndërmjet Lëvizjes Solidarnost në Poloni dhe Lëvizjes për Republikën e Kosovës

05 prill 2026 | 17:39

Shkruan: Fatmir Lekaj, politolog

Lëvizja Solidarnost në Poloni dhe Lëvizja për Republikën e Kosovës, e cila mori hov me demonstratat e mars-prillit të vitit 1981, përfaqësojnë dy zhvillime të rëndësishme politike dhe shoqërore që u shfaqën pothuajse në të njëjtën periudhë historike dhe brenda kontekstit më të gjerë të realitetit politik në Europën Lindore dhe Juglindore. Edhe pse këto zhvillime u manifestuan në rrethana të ndryshme, ato mund të analizohen në kuadër të krizës së përgjithshme që karakterizonte sistemin represiv politik në këtë hapësirë gjatë fillimit të viteve tetëdhjetë. Lëvizja Solidarnost përfaqësonte një nga lëvizjet më të rëndësishme shoqërore dhe sindikale në Poloni. Ajo u themelua në vitin 1980 dhe fillimisht u shfaq si një mobilizim i punëtorëve që synonte përmirësimin e kushteve ekonomike, si dhe sigurimin dhe mbrojtjen e të drejtave sindikale. Megjithatë, në një periudhë relativisht të shkurtër, kjo lëvizje e tejkaloi karakterin e saj fillestar sindikal dhe u shndërrua në një sfidë të rëndësishme politike ndaj sistemit monist në Poloni. Rëndësia e Solidarnostit qëndronte në faktin se ajo artikulonte kërkesa për zgjerimin e lirive politike dhe të drejtave qytetare dhe, duke kontribuar në dobësimin e monopolit të sistemit njëpartiak, u shndërrua në një simbol të rezistencës paqësore ndaj sistemit represiv në Europën Lindore. Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë shpërthyen fillimisht si shprehje e pakënaqësisë studentore në Universitetin e Prishtinës, por brenda një periudhe të shkurtër kohore ato morën një dimension më të gjerë politik dhe kombëtar. Kërkesat e protestuesve nuk mbetën të kufizuara vetëm në planin social; ato u artikuluan gjithnjë e më shumë në formën e kërkesave për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe të studimit, për barazi më të madhe politike dhe, mbi të gjitha, për avansimin e statusit politik të Kosovës brenda federatës jugosllave.

Në këtë kontekst, ndërsa në Poloni lëvizja Solidarnost sfidoi sistemin represiv nga brenda një shteti kombëtar relativisht homogjen, demonstratat e vitit 1981 në Kosovë sfiduan një federatë shumëkombëshe si Jugosllavia, ku dimensionet sociale dhe politike ishin të lidhura ngushtë me çështjet kombëtare dhe kushtetuese. Për pasojë, demonstratat e vitit 1981 në Kosovë nuk mund të interpretohen vetëm si reagim ndaj kushteve socio-ekonomike, por edhe si shprehje e tensioneve më të thella politike dhe kombëtare. Megjithatë, ndërmjet Lëvizjes Solidarnost në Poloni dhe Demonstratave të vitit 1981 në Kosovë mund të identifikohen disa ngjashmëri të rëndësishme strukturore dhe politike. Së pari, të dyja përfaqësonin forma të mobilizimit shoqëror që sfidonin sistemin politik represiv në rajon dhe, në këtë kuptim, shërbenin si tregues të krizës në të cilën po hynte ky sistem gjatë fillimit të viteve tetëdhjetë. Së dyti, si në Poloni ashtu edhe në Kosovë, u shprehën pakënaqësi të akumuluara për një periudhë të gjatë kohore, të lidhura me krizën ekonomike, kufizimin e lirive politike dhe zhgënjimin në rritje ndaj institucioneve shtetërore. Për më tepër, në të dy rastet, këto zhvillime u perceptuan nga pushteti si një kërcënim serioz për stabilitetin politik të sistemit ekzistues. Si rrjedhojë, reagimi i autoriteteve, si në Poloni ashtu edhe në Jugosllavi, u karakterizua nga masa represive, kontroll politik dhe përdorimi i propagandës zyrtare me qëllim delegjitimimin e këtyre zhvillimeve. Njëherësh, ky reagim i ashpër dëshmoi frikën e autoriteteve nga humbja e kontrollit politik. Në këtë kuptim, këto zhvillime mund të interpretohen si sinjale të hershme dhe faktorë nxitës të proceseve më të gjera transformuese, të cilat do të kulmonin me rënien e këtyre sistemeve represive.

Në të njëjtën kohë, dallimet ndërmjet këtyre dy zhvillimeve mbeten të rëndësishme dhe lidhen si me natyrën e mobilizimit, ashtu edhe me kontekstin politik në të cilin ato u zhvilluan. Solidarnost përfaqësonte një lëvizje me strukturë të organizuar sindikale dhe udhëheqje të qartë me figura publike si dhe me bazë të gjerë punëtore që artikulonte kërkesa sociale dhe demokratike dhe vepronte brenda një shteti relativisht homogjen nga pikëpamja kombëtare si Polonia.  Në të kundërt, demonstratat e vitit 1981 në Kosovë filluan si demonstrata spontane studentore pa një strukturë të fortë organizative në fillim, por shumë shpejt morën karakter më të gjerë popullor dhe kombëtar. Ato ishin të lidhura ngushtë me statusin politik të Kosovës brenda federatës jugosllave dhe me çështjen e pozitës së shqiptarëve në këtë federatë shumëkombëshe. Për këtë arsye, në Kosovë, demonstratat e vitit 1981 nuk artikulonin vetëm kërkesa për demokratizim të sistemit politik, por edhe aspirata për barazi kombëtare, për status republikan dhe për një shkallë më të madhe të vetëvendosjes politike. Përkundër këtyre dallimeve, nuk mund të shpërfillet fakti se klima e përgjithshme e pakënaqësisë politike dhe shoqërore që karakterizonte vendet e Europës Lindore në fillim të viteve tetëdhjetë ushtronte një ndikim të tërthortë psikologjik edhe mbi shoqëritë e tjera të rajonit. Në këtë kuptim, zhvillimet në Poloni demonstronin se regjimet represive nuk ishin struktura të pandryshueshme dhe se forma të mobilizimit shoqëror mund të sfidonin monopolin politik të këtyre regjimeve. Vitet 1980 – 1981 përfaqësonin një periudhë në të cilën kriza e sistemit politik po bëhej gjithnjë e më e dukshme në shumë vende të Europës Lindore. Rrjedhimisht, si lëvizja Solidarnost në Poloni, ashtu edhe demonstratat e vitit 1981 në Kosovë mund të interpretohen si manifestime të ndryshme të një procesi më të gjerë të tronditjes së sistemit  represiv politik në rajon. Me fjalë të tjera, edhe pse ndërmjet këtyre dy zhvillimeve, nuk mund të identifikohet një lidhje e drejtpërdrejtë organizative, mund të argumentohet ekzistenca e një ndërthurje në planin frymëzues dhe kontekstual.

Si në rastin e lëvizjes Solidarnost në Poloni, ashtu edhe në rastin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, regjimet përkatëse dhe qarqe të caktuara ngritën spekulime dhe akuza se këto zhvillime ishin nxitur ose organizuar, për qëllime të caktuara, nga shërbime të ndryshme sekrete. Këto akuza përdoreshin shpesh për të justifikuar represionin, veçanërisht shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Studimet serioze historike konvergojnë në vlerësimin se lëvizja Solidarnost ishte në thelb një fenomen i brendshëm polak, i cili lindi nga pakënaqësia e thellë e punëtorëve, përkeqësimi i situatës ekonomike dhe kufizimet sistematike të lirive politike. Po ashtu, demonstratat e vitit 1981 përbënin një fenomen të brendshëm të shqiptarëve në Kosovë dhe në vise të tjera shqiptare në Jugosllavi, i cili, në thelb, përfaqësonte vazhdimësinë e traditës së përpjekjeve të tyre për liri dhe barazi kombëtare që nga viti 1912, duke përfshirë edhe mobilizimet e ngjashme të manifestuara gjatë demonstratave të vitit 1968, të cilat patën një ndikim të tërthortë në miratimin e Kushtetutës së Kosovës të vitit 1974. Në këtë kontekst, demonstratat e vitit 1981 u ndikuan gjithashtu nga veprimtaria dhe shtypi i grupeve revolucionare klandestine të viteve ’70. Një element i ri i kësaj periudhe ishte fakti se disa prej këtyre grupeve kishin arritur të botonin dhe të shpërndanin shtypin klandestin, i cili pati ndikim të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë në një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë studentore të Universitetit të Prishtinës. Gjithashtu, manifestimi i 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i mbajtur në vitin 1978, pati ndikim të ndjeshëm në forcimin e vetëdijes kombëtare dhe në frymëzimin e rinisë studentore, veçanërisht në Kosovë. Kjo ngjarje historike rigjallëroi kujtesën kolektive për liri dhe barazi kombëtare me popujt e tjerë, duke krijuar një klimë të re vetëdijeje dhe mobilizimi shoqëror, e cila u reflektua fuqishëm në demonstratat e vitit 1981, përmes kërkesës për barazinë politike të shqiptarëve brenda federatës jugosllave. Një faktor tjetër i rëndësishëm lidhej me kontekstin e përgjithshëm socio-politik dhe ekonomik në Kosovë. Siç konstaton edhe ballkanologu norvegjez Svein Mønnesland në librin e tij “Para dhe pas Jugosllavisë” (2006, f. 239): “Mund të duket i çuditshëm rebelimi i shqiptarëve në një kohë kur kishin arritur të kenë më shumë të drejta se ndonjëherë më parë. Por ‘periudha e lulëzimit’ në vitet ’70 ndikoi në ngritjen e vetëdijes kombëtare, sidomos në mesin e të rinjve që pashmangshëm rezultoi me rritjen e kërkesave politike. Pse Kosova nuk duhet të ketë status republike kur ka më shumë banorë sesa në Mal të Zi apo në Slloveni? Gjithashtu, për pakënaqësinë ndikonte që Kosova kishte mbetur ende zona më e varfër në vend”.  Ndërkaq, historiani Noel Malcom, në librin e tij “Kosova, një histori e shkurtër” (2001, f. 340), duke iu referuar periudhës së viteve 1970 – 1980 në Kosovë, thekson se: “… pabarazia e përgjithshme në punësimin publik asnjëherë nuk u përmirësua: më 1980 llogaritej se çdo i pesti serb kishte rrogë shtetërore, kurse çdo i njëmbëdhjeti shqiptar merrte rrogë shtetërore.”

Përndryshe, çdo lloj elementi i komplotit eventual nuk ka mundur të dezorientojë qëllimin e shqiptarëve të Kosovës gjatë demonstratave të vitit 1981, pasi organizimi i grupeve revolucionare klandestine kishte evoluar politikisht dhe arriti ti orientojë demonstratat përmes fjalimeve dhe shkrimeve. Këto të fundit argumentonin, ndër të tjera, se Kosova i përmbushte kushtet për ti njohur statusin e Republikës në kuadër të barazisë së popujve në federatën jugosllave. Në këtë kuadër, një kontribut të rëndësishëm dha simboli i guximit akademik shqiptar, Ukshin Hoti i cili, në një mbledhje në Universitetin e Prishtinës më 19 nëntor 1981, argumentoi nga një këndvështrim shkencor-politologjik për përfitimet që do të sillte “Republika e Kosovës”, duke përfshirë edhe forcimin e stabilitetit politik në rajon. Për Ukshin Hotin, kërkesa për republikë gjatë demonstratave të vitit 1981 përbënte njëkohësisht pikënisjen e një procesi demokratik nga brenda (demokraci autentike) në Kosovë. Në librin e tij “Filozofia politike e çështjes shqiptare” (1995, f. 76), ai konstaton se: “Demokracinë në Kosovë nuk e lindën të tjerët e as nuk u lind për qejfin e tyre. Ishte e ndërlidhur me proceset demokratike të Evropës dhe me synimet e tilla të njerëzimit. Demokracia në Kosovë u vetëlind në vitin 1981, do të rritet vetë, së bashku, e barabartë dhe e ndërlidhur me të tjerat”.

Për dallim nga Lëvizja Solidarnost në Poloni, demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, të cilat, përkundër vështirësive, i dhanë hov Lëvizjes për Republikën e Kosovës, nuk u shndërruan me të njëjtën shpejtësi në çështje ndërkombëtare. Kjo mund të shpjegohet kryesisht përmes tre faktorëve themelorë.  Një faktorë  lidhej me aspektin e fuqishëm organizativ të Lëvizjes Solidarnost, e cila ishte rezultat i një fronti të përbashkët i disa strukturave të mirëorganizuara, si Komiteti për Mbrojtjen e Punëtorëve (KOR) dhe Lëvizja për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut dhe të Drejtave Qytetare (ROPCiO), të cilat çuan gradualisht në krijimin e një aleance midis punëtorëve, intelektualëve dhe kishës, duke kulmuar me themelimin e Lëvizjes Solidarnost në vitin 1980 dhe të Komitetit Polak të Helsinkit në vitin 1982.  Në Kosovë, përkundrazi, nuk u arrit të krijohej një front i përbashkët rreth kërkesës për Republikë ndërmjet revolucionarëve, institucionalistëve dhe akademikëve.  Elita institucionaliste e Kosovës, e identifikuar me institucionet politike të vendit, në krye me Fadil Hoxhën etj., pavarësisht përvojës së saj më të konsoliduar politike, nuk shfaqi interes dhe as guxim të mjaftueshëm për t’u koordinuar me protagonistët e demonstratave të vitit 1981. Së paku, ajo nuk arriti të artikulojë një qëndrim të qartë politiko-diplomatik që, në parim, do ta mbështeste kërkesën për “Republikën e Kosovës” si një kërkesë të drejtë në kuadër të barazisë së popujve brenda Federatës Jugosllave, duke u distancuar njëkohësisht nga mënyra e shtrimit të saj përmes demonstratave. Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e kësaj elite institucionaliste të Kosovës, në krye me Fadil Hoxhën, ka rolin e vet historik, veçanërisht në arritjen e Kushtetutës së Kosovës të vitit 1974, e cila përbënte një hap të rëndësishëm, ndonëse jo të mjaftueshëm, drejt zgjidhjes së çështjes shqiptare në Jugosllavi. Duke vepruar në rrethana të ndërlikuara politike, si establishmenti real politik i Kosovës në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, kjo elitë e kishte si alternativë pothuajse të vetme përdorimin e titizmit si instrument politik. Kjo qasje u shfaq si një përpjekje për të ngritur dhe forcuar institucionet politike të Kosovës deri në një nivel të caktuar, si dhe për të amortizuar presionet dhe synimet neofashiste të Serbisë ndaj Kosovës. Në këtë kuptim, për institucionalistët, titizmi funksiononte më tepër si një mjet politik sesa si një bindje ideologjike, me përjashtim të disa rasteve të izoluara. Ngjashëm, edhe elita akademike, e identifikuar kryesisht me veprimtarinë e zhvilluar në kuadër të institucioneve shkencore dhe kulturore të Kosovës të themeluara pas viteve 1960, nuk u karakterizua nga një nivel i mjaftueshëm guximi dhe kreativiteti politik. Gjatë viteve ’70 dhe ’80, deri në periudhën e shembjes së Murit të Berlinit, kjo elitë, në përgjithësi, nuk ndërmori përpjekje të drejtpërdrejta për transformimin e Krahinës së Kosovës në Republikë të Kosovës, me përjashtim të disa rasteve të izoluara. Një orientim i tillë kontribuoi në mungesën e artikulimit të lëvizjeve intelektuale disidente, të ngjashme me ato të Václav Havel apo Andrei Sakharov, të cilat, në kontekste të tjera të bllokut lindor, luajtën një rol të rëndësishëm në sfidimin e regjimeve ekzistuese dhe, në veçanti, në tërheqjen e vëmendjes ndërkombëtare. Megjithatë, pavarësisht këtyre kufizimeve në planin politik, kontributi i kësaj elite akademike në zhvillimin e veprimtarisë shkencore dhe kulturore ishte thelbësor, duke u reflektuar, ndër të tjera, në arsimimin dhe në forcimin e vetëdijes kombëtare te brezat e rinj të shqiptarëve në Kosovë. Një element i rëndësishëm në këtë kuadër përbënte edhe angazhimi i pedagogëve nga Shqipëria, të cilët gjatë viteve ’70 ligjëruan në Universitetin e Prishtinës, duke kontribuar kështu në forcimin e lidhjeve akademike dhe kulturore në hapësirën shqiptare.

Faktori i dytë,  lidhej me paragjykimin ideologjik ndaj  grupeve klandestine revolucionare shqiptare në Jugosllavi.  Meqenëse këta veprimtarë, si idealistë të angazhuar kryesisht në përpjekjet për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin kombëtar, ruanin një lojalitet të theksuar ndaj Shqipërisë (të quajtur shpesh “Shqipëria londineze”), pasi çlirimi dhe realizimi i Republikës së Kosovës, në perceptimin e tyre, ishte i pamendueshëm pa mbështetjen e shtetit amë, pavarësisht nga sistemi politik që mbretëronte atje. Në këtë drejtim, pushteti në Shqipëri, veçanërisht pas demonstratave të vitit 1981, u pozicionua publikisht në mbështetje të kërkesave të demonstruesve shqiptarë të Kosovës, njëherësh në kuadër të kësaj përkrahjeje përpiqej ta kontrollonte veprimtarinë revolucionare të grupeve klandestine të shqiptarëve në Jugosllavi, me “përgjegjësinë e kalkulimit real-politik” që kishte si pushtet/shtet amë.  Pra në rrethanat që vepronin dhe si idealistë që ishin, veprimtarët e grupeve revolucionare klandestine s’kishin alternativa të shumta veprimi; për rrjedhojë, enverizmi për ta funksiononte më tepër si mjet politik sesa si bindje ideologjike e mirëfilltë, me përjashtim të disa rasteve të izoluara.  Një ndër dëshmitë domethënëse se veprimtaria revolucionare klandestine kishte si qëllim parësor çështjen kombëtare, përtej çdo orientimi ideologjik, është edhe rasti i Jusuf Gërvallës—një ndër intelektualët dhe veprimtarët më me ndikim në kuadër të veprimtarisë revolucionare klandestine. Në një intervistë të realizuar në vitin 1980 (para demonstratave të vitit 1981) dhe të publikuar më 20 janar 1982 në gazetën gjermane Tagische Zeitung, ai u pyet nëse do ta mbështeste bashkimin me Shqipërinë, pavarësisht se atje mund të mbretëronte një sistem radikal komunist, një sistem radikal demokratik ose një sistem i së drejtës. Përgjigjja e tij ishte e qartë dhe lapidare: “Pavarësisht nga çfarëdo sistemi!”.  Një dëshmi tjetër e rëndësishme është ajo e idolit të shumicës së pjesëtarëve të veprimtarisë revolucionare klandestine të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, Adem Demaçit, i cili, pas daljes së tij nga burgu dhe vizitës së parë në Shqipëri, nuk hezitoi fare ta kritikonte hapur Enver Hoxhën.

Faktori i tretë dhe më i rëndësishmi, lidhej me kontekstin ndërkombëtar. Jugosllavia nuk ishte pjesë e Paktit të Varshavës, si dhe ekzistonte një bindje e gabuar në shtetet perëndimore për Jugosllavinë, e cila shpesh perceptohej si “më e mira ndër më të këqijat” në krahasim me shtetet e tjera autoritare dhe totalitare të Evropës Lindore. Gjatë kësaj periudhe, Jugosllavia dispononte një aparat shtetëror të fuqishëm dhe një shërbim sekret të aftë për ta ushqyer dhe përforcuar këtë perceptim në qarqet perëndimore. Njëherësh, regjimi i Beogradit bënte përpjekje të vazhdueshme për ta paraqitur dhe ruajtur imazhin e rremë të Jugosllavisë në arenën ndërkombëtare. Për më tepër, Jugosllavia jo vetëm që kishte nënshkruar Deklaratën e Helsinkit (1975) dhe shtirej se respektonte një nga parimet themelore të saj, përkatësisht të drejtat e njeriut, por gjithashtu paraqitej si një nga shtetet aktive në kuadër të bashkëpunimit për forcimin e sigurisë ndërkombëtare. Ajo ishte një ndër vendet kryesore që organizoi disa nga mbledhjet e para të Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (KSBE) në Beograd gjatë viteve 1976–1977, e cila shërbente si një arenë dialogu ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit mbi bazën e Deklaratës së Helsinkit dhe njihej gjerësisht si Procesi i Helsinkit. Gjithashtu, përmes etiketimit të demonstratave të vitit 1981 si separatiste dhe irredentiste, regjimi serbo-jugosllav ndikoi në zvogëlimin e vëmendjes ndërkombëtare ndaj këtyre demonstratave, të cilat në fakt kishin si kërkesë kryesore lirinë dhe barazinë e shqiptarëve në kuadër të federatës jugosllave, dhe jo separatizmin apo irredentizmin. Njëkohësisht, reagimi i aparatit shtetëror serbo-jugosllav ndaj demonstratave të vitit 1981 ishte shumë më brutal sesa ndaj demonstratave të vitit 1968. Forcat policore plagosën qindra demonstrues, ndërsa dëshmorë ranë: Naser Hajrizi, Asllan Pireva, Xhelal Maliqi, Salih Abazi, Salih Zeka, Ruzhdi Hyseni, Rizah Matoshi, Sherif Frangu, Tahir dhe Nebih Meha, Nesimi Dervishdana, Salih Maloku, Afrim Abazi, Ibrahim Krasniqi etj. Në periudhën e viteve ’80–’90 u dënuan me burgime të rënda mijëra shqiptarë për “veprimtari armiqësore kundër Jugosllavisë”. Konsiderohet se rreth 80% e të burgosurve politikë në ish-Jugosllavi kanë qenë shqiptarë, ndaj të cilëve u ushtruan tortura të rënda, përfshirë edhe raste të vrasjeve gjatë torturave. Gjithashtu, në ushtrinë jugosllave u burgosën qindra dhe u vranë dhjetëra ushtarë shqiptarë për “veprimtari armiqësore kundër Jugosllavisë”. Versioni zyrtar i regjimit të Beogradit për këto vrasje ishte se ushtarët shqiptarë “bënin vetëvrasje”. Edhe para vitit 1981 kishte raste të tilla, por pas këtij viti numri i tyre u rrit ndjeshëm. Me fjalë të tjera, regjimi represiv serbo-jugosllav ndërmori masa represive të gjithanshme për të dekurajuar dhe pamundësuar çdo formë organizimi të Lëvizjes për Republikën e Kosovës, në vazhdimësi të demonstratave të vitit 1981, të cilat shënuan një kthesë të rëndësishme politike.  Rrjedhimisht, një problem i madh për regjimin represiv serbo-jugosllav pas demonstratave të vitit 1981 ishte vështirësia në rritje për ta kontrolluar emigracionin politik shqiptar, i cili filloi të intensifikonte veprimtarinë e tij. Prandaj, jo rastësisht, nismat e veprimtarëve shqiptarë në diasporë, përmes organizimit të demonstratave dhe formave të tjera të veprimit për prishjen e imazhit të rremë të Jugosllavisë, si dhe artikulimi i kërkesës për Republikën e Kosovës si kërkesë për barazi në kuadër të federatës jugosllave, filluan të nxirrnin në pah, edhe jashtë Jugosllavisë, reagimin represiv të shërbimit të sigurisë shtetërore jugosllave (UDB), i cili u përpoq ta përçante, manipulonte, frikësonte dhe dobësonte këtë veprimtari, madje edhe përmes organizimit të atentateve.

Përkundër këtyre faktorëve sfidues, për dallim nga demonstratat e vitit 1968, demonstratat e vitit 1981, nuk mbetën pa vëmendje ndërkombëtare. Reagimet, raportimet dhe interesimi, sado i kufizuar, shënuan një fazë të re në artikulimin e çështjes së Kosovës në plan ndërkombëtar, veçanërisht përmes kërkesës për status republike. Në këtë kuptim, demonstratat e fuqishme dhe masive të vitit 1981 mund të konsiderohen si pikënisje e rëndësishme e procesit të ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës. Njëkohësisht, me masivitetin e tyre ato mund të interpretohen si një lloj referendumi popullor i shqiptarëve të Kosovës, në kuptimin e artikulimit – shpalljes së  Republikës së Kosovës.  Madje, demonstratat e vitit 1981, në ndërveprim me ngjarjet dhe takimet pasuese, patën rol të rëndësishëm në formësimin e nismës organizative të Lëvizjes për Republikën e Kosovës.  Konkretisht, “Teza rreth Frontit Popullor për Republikën e Kosovës”, e lëshuar në qarkullim në qershor 1981 nga disa prej drejtuesve të demonstratave të atij viti, si dhe, në mënyrë të veçantë, ngjarja e 17 janarit 1982 (takimi që përfundoi me atentatin ndaj vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës) dhe takimet që pasuan në shkurt dhe maj të po atij viti, çuan në formësimin e nismës organizative të një organizate që mbijetoi përkundër sfidave të ndryshme.  Kjo organizatë, e njohur fillimisht, nga viti 1982, si Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi (LRShJ), më pas, nga viti 1985, si Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK), dhe më vonë si Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK), pati një rol mobilizues: si në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës përmes demonstratave dhe formave të tjera të veprimit politik në qendrat e shteteve perëndimore, me kërkesën kryesore “Kosova Republikë”, ashtu edhe në organizimin dhe riorganizimin e vazhdimësisë së rezistencës kundër regjimit represiv serbo-jugosllav, proces që më pas kulmoi me themelimin dhe konsolidimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së).

Në vazhdën e zhvillimeve intensive politike në Kosovë, para dhe pas shembjes së Murit të Berlinit, u përfshi edhe shpallja formale e Republikës së Kosovës përmes Deklaratës së 2 korrikut 1990. Me fjalë të tjera, në rrethanat e reja që u krijuan pas shembjes së Murit të Berlinit, shpallja e Deklaratës së 2 korrikut 1990 përbënte rezultat komplementar të veprimtarisë së forcave të ndryshme politike shqiptare në Kosovë.  Më konkretisht, ajo ishte fryt i angazhimit të një pjese të ish-elitës institucionaliste, si trashëgimtare e institucioneve autonomiste të Kosovës të mbështetura në Kushtetutën e vitit 1974, në koordinim me qarqet akademike, të cilat tashmë identifikoheshin kryesisht me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), e cila ndërkohë ishte shndërruar në një lëvizje të gjerë paqësore në Kosovë. Njëherësh, Deklarata përbënte edhe rezultat të ndikimit dhe inkurajimit të veprimtarisë revolucionare, të lidhur kryesisht me Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK). Lidhur me këtë ndikim të LPRK-së, ish-sekretari i saj për shumë vite, Emrush Xhemajli, në shkrimin “Historiku i LPK-së”, botuar në revistën “Zëri i Kosovës” me rastin e 20-vjetorit të themelimit, shkruan, ndër të tjera:  “Prill–Maj 1990: LPRK organizon nënshkrimin e peticionit drejtuar Kuvendit të Kosovës, me kërkesën që ai ta shpallë Republikën e Kosovës. Ndër aktivistët më aktivë për organizimin e tij ishte Xhemajl Fetahaj”.   Njëkohësisht, mund të argumentohet se Deklarata e 2 korrikut 1990 përfaqësonte, në thelb, një rikonfirmim politik të shpalljes së parë të Republikës së Kosovës, të artikuluar gjatë demonstratave të vitit 1981.

Në kuadër të këtyre zhvillimeve të viteve ’80 dhe ’90, ekzistojnë edhe shembuj konkretë të aktivistëve të shquar të Lëvizjes Solidarnost që mbështetën Lëvizjen për Republikën e Kosovës. Një shembull i spikatur është Aleksander Gleichgewicht, një ndër aktivistët dhe disidentët e kësaj lëvizjeje, i njohur si opozitar i vendosur ndaj regjimit, i cili, ndër të tjera, themeloi dhe drejtoi stacionin radiofonik “Radio Solidaritet”. Për shkak të veprimtarisë së tij, ai u përball me represion dhe burgosje, por arriti të arratisej nga Polonia në Norvegji, ku vazhdoi aktivitetin e tij. Përveç të tjerash, së bashku me miqtë e tij, organizoi konvoje humanitare drejt Polonisë dhe kontrabandoi makina shtypi për Lëvizjen Solidarnost. Nga mesi i viteve 1980, Gleichgewicht, së bashku me një aktivist tjetër të kësaj lëvizjeje, tashmë i ndjeri Tomasz Wacko, i cili kishte ndjekur studimet e historisë dhe kishte qenë i burgosur politik në Poloni para se të arratisej në Norvegji, u angazhuan në Komitetin Norvegjez të Helsinkit. Kjo pasqyronte hapjen e kësaj organizate ndaj bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me disident dhe përfaqësues të lëvizjeve që kundërshtonin regjimet represive në Europën Lindore. Në të njëjtën frymë, falë përkushtimit të Berit Backerit, Komiteti Norvegjez i Helsinkit filloi të hapet gjithnjë e më shumë ndaj veprimtarisë disidente të Kosovës, e cila zhvillohej kundër regjimit represiv të Beogradit. Kjo çoi në themelimin e Grupit për Kosovën në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GKKNH). Duke qenë një organizatë pothuajse gjysmështetërore, me rol këshillues pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë (MPJN) dhe me peshë të konsiderueshme brenda Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit si dhe në ndërlidhje  me Konferencën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (KSBE), Komiteti Norvegjez i Helsinkit i dha çështjes së Kosovës një dimension të ri ndërkombëtar. Në fakt, përfshirja e Kosovës në agjendën e Komitetit Norvegjez të Helsinkit, përfaqësonte nismën e parë brenda një organizate perëndimore për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, duke e shndërruar atë në një temë me dimension të plotë ndërkombëtar brenda Procesit të Helsinkit.

Kjo veprimtari për Kosovën nuk ishte vetëm rezultat i angazhimit të drejtuesve të GKKNH-së, por edhe i mbështetjes së gjerë institucionale brenda vetë Komitetit Norvegjez të Helsinkit. Në krye të kësaj veprimtarie qëndronin koordinatorët e GKKNH-së: Berit Backer, antropologe e njohur, idealiste dhe mike e madhe e shqiptarëve, dhe Kristoffer Gjøtterud, profesor i fizikës në Universitetin e Oslos, njëherësh nënkryetar i Bordit të Komitetit Norvegjez të Helsinkit. Përgjegjës i GKKNH-së ishte Nufri Lekaj, ish-i burgosur dhe i përndjekur politik nga regjimi serbo-jugosllav. Para burgosjes, kishte ndjekur studimet për elektroteknikë në Kosovë, ndërsa pas lirimit, pasi shmangu arrestimin e dytë dhe arriti të arratisej, vazhdoi studimet për sociologji dhe gazetari në Norvegji. Lekaj u propozua të merrte përgjegjësinë në cilësinë e përgjegjësit të GKKNH-së pasi, që nga viti 1987, ishte profiluar dhe identifikuar në mediat norvegjeze si një shembull i dëshmuar i viktimës së torturës nga regjimi serbo-jugosllav dhe si një ndër përfaqësuesit e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës. Vlen të theksohet se, në këtë kontekst, Berit Backer e kishte kuptuar herët mënyrën se si perceptohej gabimisht emigracioni politik shqiptar nga Kosova në sytë e diplomacisë perëndimore. Shumë prej këtyre veprimtarëve, të organizuar kryesisht në grupe me orientim të majtë, paraqiteshin nga diplomacia jugosllave si një rrezik serioz, jo vetëm për shtetin jugosllav, por edhe për rendin shoqëror në Jugosllavi. Në këtë kuadër propagandistik, shqiptarët stigmatizoheshin si fanatikë dhe ekstremistë të majtë. Përballë kësaj narrative, Berit Backer nuk qëndroi pasive. Përmes rrjetit të saj të gjerë të kontakteve, ajo u angazhua aktivisht në dekonstruktimin e kësaj propagande, ndonëse shpesh përballej me pengesa të shumta. Sipas saj, veçanërisht pas themelimit të Grupit për Kosovën, një nga mënyrat më efektive për të korrigjuar këtë keqperceptim ishte sigurimi i informacionit të drejtpërdrejtë nga vetë përfaqësuesit shqiptarë lidhur me qëndrimet e tyre politike. Në këtë drejtim, ajo organizoi fillimisht takime ndërmjet përgjegjësit të Grupit për Kosovën dhe strukturave relevante në Skandinavi, si dhe në Mbretërinë e Bashkuar.  Në këtë vazhdë, përgjegjësit të Grupit për Kosovën, në cilësinë e delegatit të Komitetit Norvegjez të Helsinkit, i jepej mundësia të zhvillonte biseda lidhur me Kosovën edhe me personalitete të ndryshme, të hasura gjatë konferencave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Njëkohësisht, veprimtaria e GKKNH-së  u mbështet fuqimisht edhe nga Bordi, Sekretariati dhe, në përgjithësi, stafi i Komitetit Norvegjez të Helsinkit. Për më tepër, Aleksander Gleichgewicht, si përgjegjës për veprimtarinë e lëvizjes polake Solidarnost në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit, pati një rol të rëndësishëm. Duke pasur parasysh përvojën e tij të drejtpërdrejtë si veprimtar dhe disident kundër regjimit represiv në Poloni, si dhe rrjetin e gjerë të kontakteve që kishte ndërtuar brenda Lëvizjes Solidarnost dhe më gjerë, ai ishte i pozicionuar në mënyrë të veçantë për të kontribuar në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Motivimi i tij për të mbështetur Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës, që nga periudha 1987–1988, kur kjo lëvizje u fuqizua edhe më tej në emigracion (pas mbledhjes së saj të parë të përgjithshme), ishte i lidhur ngushtë me përvojën e tij personale të rezistencës ndaj një sistemi represiv. Pikërisht kjo përvojë e bëri atë veçanërisht të ndjeshëm ndaj gjendjes së shqiptarëve në Kosovë nën regjimin represiv të Sllobodan Millosheviqit.

Gjithashtu në kuadër të këtij konteksti të para shembjes së Murit të Berlinit, kur Grupi për Kosovën në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GKKNH) inkurajoi dhe mbështeti organizimin e udhëtimit të delegacionit të parë ndërkombëtar faktmbledhës për gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë, Gleichgewicht iu bashkua pa hezitim këtij misioni. Po ashtu, ai luajti një rol të rëndësishëm në organizimin e vizitës së parë të delegacionit të Kosovës, të udhëhequr nga Ibrahim Rugova, në Perëndim, konkretisht në Oslo, më 14–18 shkurt 1990. Roli i tij ishte po aq i rëndësishëm edhe në përgatitjen e vizitave dhe programeve për delegacionin e Kuvendit të Kosovës në disa shtete perëndimore, menjëherë pas shpalljes së Deklaratës së 2 korrikut 1990. Në të gjitha këto veprimtari, ai ishte një ndër protagonistët kryesorë të Komitetit Norvegjez të Helsinkit në ndërtimin e urave ndërmjet qarqeve politike të shqiptarëve të Kosovës dhe strukturave politike e diplomatike në Perëndim.  Në të njëjtën kohë, Gleichgewicht dha kontributin e tij në bashkëbisedimet me drejtuesit e Grupit për Kosovën në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit, lidhur me përcaktimin e qëndrimit këshillues që duhej të mbante Grupi për Kosovën ndaj qasjes së rezistencës politike të shqiptarëve të Kosovës. Grupi për Kosovën, dhe në veçanti Berit Backer, e cila ushtronte edhe funksionin e koordinatores për veprimtarinë e ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës ndërmjet Grupit për Kosovën në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GKKNH), Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit (dhe strukturave të tjera të përfshira në Procesin e Helsinkit), dha këshilla të rëndësishme për protagonistët kryesorë të spektrit politik të Kosovës, përfshirë Ibrahim Rugovën, Adem Demaçin etj., duke kontribuar në formësimin dhe inkurajimin e një qasjeje strategjike të rezistencës politike të shqiptarëve të Kosovës, të bazuar në largpamësi dhe legjitimitet ndërkombëtar. Njëherësh, Grupi për Kosovën, si pjesë e një organizate pothuajse gjysmë-shtetërore, siç është Komiteti Norvegjez i Helsinkit, me rol këshillues pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë (MPJN-së), ushtroi ndikimin e vet në trajtimin e çështjes së Kosovës, edhe në raport me vetë MPJN-në si institucion kyç i politikës së jashtme të një shteti me kredibilitet të lartë dhe rol të konsoliduar në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në këtë kontekst, Norvegjia gëzonte një pozitë të rëndësishme në raport me NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe struktura të tjera ndërkombëtare, si Konferenca për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (KSBE), e themeluar mbi Deklaratën e Helsinkit (1975) dhe e njohur gjerësisht si Procesi i Helsinkit. Pas institucionalizimit të KSBE-së në vitin 1995 në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Norvegjia vazhdoi të luante një rol të rëndësishëm në kuadër të kësaj organizate, falë kredibilitetit, ekspertizës dhe përkushtimit të saj humanitar. Madje, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, ajo mbante gjithashtu rolin e shtetit kryesues të OSBE-së.

Gleichgewicht ishte gjithashtu një mbështetës i rëndësishëm i përpjekjeve të GKKNH-së për ngritjen dhe konsolidimin e bërthamave të para të shoqërisë civile në Kosovë dhe Shqipëri. Një hap konkret në këtë drejtim ishte inkurajimi dhe mbështetja për themelimin e Komitetit Kosovar të Helsinkit, përmes bashkëpunimit konkret ndërmjet Berit Backerit, Gazmend Pulës, Shkëlzen Maliqit etj., si dhe mbështetja e vazhdueshme për veprimtarinë e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë (KMDLNJ), ku anëtar themelues ishte edhe Gazmend Pula. Ky Këshill u udhëhoq fillimisht nga Bajram Kelmendi, Zekeria Cana, Zenun Qelaj etj., dhe, pas lirimit të Adem Demaçit nga burgu më 21 prill 1990, veprimtaria e tij u fuqizua ndjeshëm nën drejtimin e tij. Bashkëpunimi i Adem Demaçit dhe Gazmend Pulës me GKKNH-në ishte i vazhdueshëm, përmbajtësor dhe i ndërtuar mbi besim të ndërsjellë.  Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë, i cili shërbente si një bazë e rëndësishme për njohjen e realitetit në Kosovë nga ana e diplomacisë perëndimore, kishte një peshë të veçantë për shkak se udhëhiqej nga simboli i rezistencës së shqiptarëve për liri dhe barazi, Adem Demaçi. Në të njëjtën kohë, GKKNH-ja, dhe veçanërisht koordinatorja Berit Backer, përmes rrjetit të strukturave të Procesit të Helsinkit, kontribuoi në shpërndarjen dhe afirmimin e këtij realiteti në qarqet politike dhe diplomatike të Perëndimit.  Ndërkohë, themelimi dhe veprimtaria e Komitetit Kosovar të Helsinkit shënuan një moment kyç në institucionalizimin e rezistencës civile në Kosovë në kuadër të Procesit të Helsinkit, duke mundësuar një artikulim më të strukturuar të çështjes së Kosovës nga konteksti i brendshëm drejt kornizës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Vlen të theksohet se, në vazhdën e kësaj veprimtarie për artikulimin e çështjes së Kosovës, nga konteksti i brendshëm drejt kornizave të Procesit të Helsinkit, kryetari i Komitetit Kosovar të Helsinkit, Gazmend Pula, përveç rolit të tij si pjesë e delegacionit, kishte edhe një funksion të rëndësishëm si shoqërues i Ibrahim Rugovës gjatë vizitës së parë zyrtare të delegacionit të Kosovës, të kryesuar nga Ibrahim Rugova, në Kongresin Amerikan në prill të vitit 1990. Përkatësisht gjatë vizitës në seancën dëgjimore të Grupit të Kongresit Amerikan për të Drejtat e Njeriut, e mbajtur në Uashington, lidhur me çështjen e Kosovës. Kjo vizitë u organizua nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane në krye me Joseph DioGuardin. Në fakt, organizimi i dy vizitave të para,  historike dhe të suksesshme të delegacioneve të Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën (në shkurt 1990 në Oslo, dhe në prill 1990 në Uashington) u hapi rrugë vizitave të tjera gjithandej shteteve perëndimore udhëheqësit karizmatik të lëvizjes paqësore të Kosovës, Ibrahim Rugovës, njëkohësisht ndikuan në ngritjen edhe më të madhe të popullaritetit të tij (dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës në përgjithësi), si në Kosovë ashtu edhe në diasporën shqiptare. Dy kryeorganizatorëve të këtyre dy vizitave, iu ndalua hyrja në Jugosllavi, Berit Backerit iu ndalua hyrja në fillimvitin 1990, ndërsa Joseph DioGuardit iu ndalua hyrja në korrik 1990. Në këtë vazhdë, Grupi për Kosovën i Komitetit Norvegjez të Helsinkit organizoi një konferencë të përbashkët për shtyp në Komitetin Norvegjez të Helsinkit (si pjesë integrale e Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit) për kryetarin e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Joseph DioGuardin, dhe sekretarin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë, Zekeria Canën, me synimin për ta ndërkombëtarizuar më tej çështjen e Kosovës në kuadër të Procesit të Helsinkit. Kjo konferencë është mbajtur konkretisht më 22 gusht 1990 gjatë vizitës evropiane të DioGuardit dhe gjatë kësaj konference është ngritur për diskutim edhe tema në lidhje me ndalesën për hyrje në Jugosllavi për Berit Backerin dhe Joseph DioGuardin.

Aleksander Gleichgewicht dha një kontribut domethënës për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, edhe përmes strukturave të lëvizjes Solidarnost, duke përfshirë mbështetjen për Sindikatat e Pavarura të Kosovës, të udhëhequra nga Hajrullah Gorani.  Në këtë kuadër, Gleichgewicht, së bashku me Tomasz Wacko, përveç të tjerash, organizuan edhe një takim ndërmjet përgjegjësit të Grupit për Kosovën në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GKKNH) dhe një përfaqësuesi të zyrës sindikale të Solidarnost-it, Bogdan Karunda. Kjo ndodhi në vazhdën e vendimeve të LPK-së, siç e thekson edhe ish-sekretari i saj për shumë vite, Emrush Xhemajli, në shkrimin “Historiku i LPK-së”, botuar në revistën “Zëri i Kosovës” me rastin e 20-vjetorit të themelimit. Ai shkruan, ndër të tjera: “1990–1991: LPRK vendos bashkëpunimin me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe kryetarin e saj, z. Hajrullah Gorani.” Me fjalë të tjera, dega jashtë vendit e LPRK-së veproi në këtë drejtim, duke u mobilizuar në Zvicër, Gjermani dhe Norvegji për ta ndërkombëtarizuar gjendjen në Kosovë, edhe përmes Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Konkretisht, u organizua lobim përmes kontakteve me organizatat e mëdha sindikaliste, ku përfaqësuesi i asaj kohe për lobim i Sindikatave nga Kosova, Dukagjin Gorani, me mbështetjen e strukturave të LPK-së në Gjermani dhe Norvegji, takoi sindikatat vendase dhe shpërndau informacione për Sindikatat e Pavarura të Kosovës. Krahas kësaj, aktivistët e LPK-së u angazhuan edhe në grumbullimin e ndihmave, të cilat u dërguan në llogarinë e Sindikatave të Pavarura të Kosovës në Slloveni. Vlen të theksohet se në Norvegji, Dukagjin Gorani, së bashku me përfaqësuesin e LPK-së atje, njëherësh përgjegjës i GKKNH-së, zhvilluan takime informuese dhe siguruan deklarata solidariteti nga organizata kryesore sindikaliste norvegjeze, konkretisht Konfederata e Sindikatave të Norvegjisë (LO), si organizata qendrore kombëtare, më e madhja dhe me ndikim që bashkon sindikatat e punëtorëve në Norvegji.

Në përfundim të kësaj eseje, vlen të theksohet se, edhe pse çështja e Kosovës nuk arriti të imponohej për zgjidhje në kuadër të Konferencës së Dejtonit, përpjekjet e gjithanshme për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës që u zhvilluan qysh para shembjes së Murit të Berlinit nuk ishin të kota. Këto përpjekje u artikuluan dhe u shtrinë përmes degës së LPK-së jashtë vendit, përfshirë Grupin për Kosovën në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit, i ndërlidhur me LPK-në, si dhe përmes angazhimit të rëndësishëm, në kohë dhe hapësirë, të një sërë strukturash të ish-emigracionit politik shqiptar, të themeluara para shembjes së Murit të Berlinit. Ndër to bënin pjesë Organizata “Rinia Shqiptare-Kosovare në Botën e Lirë” në Nju-Jork, Klubi Kombëtar “Jusuf Gërvalla” në Nju-Jork, i cili për një periudhë funksionoi si degë e LPK-së, Besëlidhja Kombëtare Demokratike Shqiptare në Shtutgart, Komiteti i Kosovës për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Bruksel, Komiteti i Kosovës për Informimin e Opinionit Botëror në Gjenevë, që rezultoi nga strukturat e LPK-së, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, si dhe Shoqata “Migjeni” në Lubjanë,  ndër të tjera. Këtyre përpjekjeve iu shtua një dinamikë e re dhe më e intensifikuar pas shembjes së Murit  të Berlinit, e cila u shpreh dhe u zhvillua në mënyrë të përshkallëzuar përmes Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë, Komitetit Kosovar të Helsinkit, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe partive të tjera politike në Kosovë, duke përfshirë Qeverinë e Kosovës në ekzil, degët e LDK-së në diasporë me qendër koordinuese në Shtutgart, si dhe Komitetin e Kosovës në Paris dhe Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, ndër të tjera. Në këtë kontekst, duhet veçuar në mënyrë të posaçme angazhimi me ndikim të madh i presidentit Ibrahim Rugova, i cili, me vizionin e tij politiko-diplomatik dhe përkushtimin ndaj rrugës paqësore, dha një kontribut vendimtar për arritjen e ndërkombëtarizimit të plotë dhe për afirmimin e çështjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Me fjalë të tjera, edhe pse, pavarësisht të gjitha këtyre përpjekjeve të gjithanshme, nuk u arrit që çështja e Kosovës të përfshihej për zgjidhje në kuadër të Konferencës së Dejtonit, ky angazhim i gjithanshëm ishte thelbësor për arritjen e ndërkombëtarizimit të plotë dhe afirmimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, si dhe për krijimin e një baze të fuqishme të legjitimitetit politik dhe moral, e cila shërbeu edhe për legjitimimin e kryengritjes së armatosur në Kosovë.  Në kuadër dhe në vazhdën e këtyre zhvillimeve, Lëvizja për Republikën e Kosovës, e cila mori hov nga demonstratat e vitit 1981 dhe tashmë njihej me akronimin LPK, themeloi dhe konsolidoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-në) si mjetin e fundit për çlirimin dhe realizimin e pavarësisë së Republikës së Kosovës. UÇK-ja, me në krye komandantin emblematik ushtarak Adem Jasharin dhe përfaqësuesin emblematik politik Adem Demaçin, si dhe Lëvizja Paqësore e Kosovës, e udhëhequr nga vizionari dhe  misionari i paqes Ibrahim Rugova, arritën, në kuptim komplementar, që çështjen e Kosovës (e mbetur e pazgjidhur që nga viti 1912), ta vendosin në agjendën ndërkombëtare për zgjidhje dhe, me sakrificën e dëshmorëve dhe viktimave të luftës, shërbyen si katalizator kryesor për çlirimin dhe realizimin e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Duke e përfshirë mbështetjen e shtetit shqiptar (Shqipërisë Londineze) dhe rolin vendimtar të intervenimit ushtarak ajror të NATO-s, në krye me ShBA-në (përfshirë të gjitha shtetet anëtare të NATO-s).

P. s.:

Në vijim, në rreshtin e parë paraqiten katër fotografi simbolike, të mirënjohura publikisht, që ilustrojnë fillet dhe inkurajimin e Lëvizjes Solidarnost në Poloni. Në rreshtin e dytë paraqiten katër fotografi simbolike, të mirënjohura publikisht, që ilustrojnë fillet dhe inkurajimin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, duke përfshirë edhe fotografinë e Ukshin Hotit me bashkëveprimtarë para trupit gjykues, në mbrojtje të kërkesës – shpalljes së artikuluar për Republikën e Kosovës. Në rreshtin e tretë: Fotografia e parë paraqet Ibrahim Rugovën gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Oslo (shkurt 1990), i shoqëruar nga Shkëlzen Maliqi, me Berit Backer dhe Kristoffer Gjøtterud pranë tyre. Fotografia e dytë: Ibrahim Rugova gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Washington, D.C. (prill 1990), i shoqëruar nga Gazmend Pula. E treta: Berit Backer dhe Adem Demaçi gjatë një takimi pune në Komitetin Norvegjez të Helsinkit. E katërta: Gazmend Pula dhe Adem Demaçi gjatë një vizite në Komitetin Norvegjez të Helsinkit. Në rreshtin e katërt: Fotografia e parë paraqet delegacionin e Kuvendit të Kosovës (Skënder Skënderi, Muharrem Shabani, Bujar Gjurgjeala), me Fadil Demirin, pranë Shtëpisë Norvegjeze të Drejtave të Njeriut në Oslo (korrik 1990), gjatë vizitës së parë në Perëndim pas shpalljes së Deklaratës së 2 korrikut. Fotografia e dytë paraqet konferencën e organizuar në Komitetin Norvegjez të Helsinkit; nga e majta: Osman Osmani, Joseph DioGuardi, Zekeria Cana, Mehdi Hajdari dhe Nufri Lekaj. Fotografia e tretë paraqet një takim miqësor ndërmjet Aleksander Gleichgewicht, një ndër përfaqësuesit e lëvizjes polake Solidarnost dhe sekretar për informim në Komitetin Norvegjez të Helsinkit, dhe Nufri Lekaj, i cili ishte një ndër përfaqësuesit e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (LPK) dhe përgjegjës i Grupit për Kosovën në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit. Më pastaj, Lekaj shërbeu si përfaqësues i UÇK-së për Skandinavinë dhe si anëtar i Grupit Diplomatik të saj. Me këtë rast, Nufri Lekaj i dhuron librin e tij, Aleksander Gleichgewicht, të titulluar: “Norwegians and Other Foreigners Who Greatly Helped Make Peace in Kosova”. Ky libër përbën një shprehje mirënjohjeje për rolin e të huajve në proceset që lidhen me Kosovën dhe ka marrë vlerësim pozitiv publik nga kryetari i Asociacionit Norvegjez të Shkrimtarëve të Letërsisë non-fiksionale. Gjithashtu, botimi i këtij libri është përshëndetur edhe nga ish-ministri i Jashtëm i Norvegjisë dhe ish-drejtuesi i OSBE-së gjatë periudhës së luftës në Kosovë (1998–1999).

Gjithashtu në vijim paraqitet faksimili i një komunikate për shtyp, menjëherë pas Deklaratës së 2 korrikut 1990, nga Aleksander Gleichgewicht, një ndër disidentët e lëvizjes polake Solidarnost, sekretar për informim në Komitetin Norvegjez të Helsinkit dhe mbështetës i Lëvizjes për Republikën e Kosovës. Kjo deklaratë, e pa publikuar deri më tani në mediat sociale dhe në shtypin e shkruar, më poshtë është përkthyer nga origjinali në norvegjisht në shqip.

Më tutje në vijim paraqiten gjashtë faksimile, të pa publikuara deri më tash. Faksimilja e parë përmban korrespondencën me faks të datës 29 gusht 1990, ndërmjet përgjegjësit të Grupit për Kosovën, në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GKKNH), dhe Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) në krye me Hajrullah Goranin. Faksimilja e dytë është komunikata e datës 9 shtator 1990, e trupës iniciuese në Zvicër e udhëhequr nga Xhavit Hoxha, në lidhje me bashkimin e sindikatave të pavarura të Kosovës. Faksimilja e tretë përmban një informim të përgjegjësit të GKKNH-së lidhur me takimet e zhvilluara me sindikatat në Norvegji, të realizuara së bashku me Dukagjin Goranin, si dhe për një takim të veçantë të përfaqësuesit të GKKNH-së me një nga përfaqësuesit kryesorë të sindikatave të Lëvizjes Solidarnost. Faksimilja e katërt është letra e Dukagjin Goranit drejtuar Elez Biberajt, në të cilën përfshihet edhe referenca për vendosjen e kontaktit me Grupin për Kosovën në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit. Faksimilja e pestë përbën një njoftim orientues dhe inkurajues të përgjegjësit të GKKNH-së, drejtuar shqiptarëve në Norvegji, me qëllim mobilizimin e tyre për të mbështetur BSPK-në. Ndërkaq, faksimilja e gjashtë paraqet një letër proteste kundër autoriteteve serbo-jugosllave, të hartuar nga njëra prej organizatave sindikaliste të Norvegjisë dhe të dërguar Ambasadës jugosllave në Oslo (Norvegji). Në këtë dokument, ndër të tjera, duke iu referuar OKB-së, KSBE-së dhe Konventës nr. 87 të ONP-së, kërkohet garantimi i të drejtave për organizimin e sindikatave të pavarura në Kosovë dhe dënohen burgosjet me motiv politik. 

Kjo ese është shkruar në kuadër të shënimit të 45-vjetorit të demonstratave të vitit 1981 dhe u kushtohet me nderim të thellë dëshmorëve të këtyre demonstratave, si dhe të gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar. Njëkohësisht, ajo përbën një akt kujtese dhe mirënjohjeje ndaj protagonistëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve të demonstratave të vitit 1981, si dhe ndaj të gjithë atyre që kontribuan, duke përfshirë edhe miqtë ndërkombëtarë, në realizimin e Republikës së Kosovës. Po ashtu, ajo përbën një thirrje për bashkëpunim konstruktiv brenda elitës politike të Kosovës, në funksion të konsolidimit të plotë të shtetësisë së Republikës së Kosovës dhe të avancimit të proceseve integruese drejt NATO-s dhe Unionit Evropian.

Oslo, 4 prill 2026

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Valentin Barco pritet të jetë përforcimi i parë i Chelsea…