Ngritja e çmimeve dhe lufta në Ukrainë e kanë rënduar shëndetin mendor të qytetarëve

17 prill 09:38

Pandemia, lufta në Ukrainë dhe ngritja e çmimeve e kanë rënduar shëndetin mendor të popullatës, i ka thënë Ekonomia Online neuropsikiatri Sami Rexhepi.

Rexhepi që është edhe drejtor në Qendrën e Shëndetit Mendor në Prishtinë, shtoi se qytetarët e vendit nga një traumë po kalojnë në një traumë tjetër, e se pjesa më e madhe e popullatës është në kufi të ekzistencës.

“Është plotësisht normale me prit një ndikim shumë të madh te qytetarët kjo rritje e çmimeve. Në një farë mënyre prej një traume, po shkojmë në traumën tjetër. Një traumë e cila zgjati dy vjet ku ka qenë e rrezikuar vetë ekzistenca jonë biologjike. Te një numër i madh i njerëzve ka qenë e rrezikuar edhe ekzistenca ekonomike për shkak të humbjeve të vendeve të punës”.

“Na erdh një e keqe tjetër, një luftë në Ukrainë e cila drejtpërdrejt nuk na atakon neve për shkak të distancës fizike që është, mirëpo në mënyrë indirekte e ka atakuar shumë mirëqenien ekonomike gati të tërë botës që kanë ndikuar drejtpërdrejtë në ngritjen e çmimeve. Kjo po e rrezikon mirëqenien ekonomike të popullatës e cila edhe ashtu është në kufi të ekzistencës. Pjesa më e madhe e popullatës në Kosovë është në kufi të ekzistencës”.

Ai thotë se ankthin po e rrit edhe ngritja e çmimeve, ngase me shumë e njëjtë të parave qytetarë tani nuk mund të blejnë artikuj ushqimore bazike si më herët.

“Nëse me një shportë, prej 50 eurove tani atë shportë keni me mbush më pak se gjysma. Kjo posaçërisht që po ndikon në artikujt ushqimor, nuk po flasim për artikujt e luksit po për artikujt ushqimorë që janë nevojë bazike e popullatës. Kjo është një faktor shumë i madh, i cili po e rrit ankthin në masë të madhe dhe frikën për nesër, që normalisht i bënë që njerëzit të jenë më pak funksional se që kanë qenë”.

Një qytetare për Ekonomia Online tha se si pasojë e stresit është rritur edhe agresiviteti e mostolerenca dhe kjo ka shtuar nevojën për psikologë e sociologë.

Sipas saj, sikurse shteti të kishte rezerva edhe gjendja emocionale e qytetarëve do të ishte më ndryshe, raporton EO.

“Është pandemia, është lufta e cila na kthen skenat tona, përjetimet tona të cilët çdo kosovar e ka tregimin e vetë të luftës. Stresohemi kur i shohim njerëzit që bartin me grushte vaj prej dyqaneve, është pasqyrë e keqe. Ne jemi një gjeneratë që po ashtu kemi përjetuar inflacion viteve ‘90, e dimë fort mirë çka do të thotë inflacioni. Me qenë një shtet i fortë unë si qytetare nuk ish deshtë me u brengos fare, kishim pas rezerva shtetërore sa duhet”.

“Normalisht që krejt kjo për çdo ditë është një stres, një ankth, kushtimisht kjo prodhon edhe probleme të tjera. E shohim edhe agresivitetin, mostolerancën në jetën e përditshme, mes kolegëve, në dyqane, po e shohim edhe në Facebook gjuha ka denigruar, në qasi mase që është me u brengos. Unë mendoj që psikologët e sociologët kanë shumë punë me bë me ne”.

E një qytetar thotë se në këtë fazë qytetarët kanë stres për ta siguruar ekzistencën.

“Në shëndetin tim mendor nuk është se ka ndikuar diçka, po në përmasa të gjera ka pasur një impakt negativ. Pandemia, izolimi ka qenë një lloj presioni po uroj që të ketë kaluar”.

“Tash fatkeqësia në përmasa botërore lufta në Ukrainë. Çfarë kosto e jetës, ngritja e çmimeve secila njëra pas tjetrës, veç uroj që të kalojnë të gjitha. Njerëzit i ka rrok një far lloj stresi për ekzistencën me siguruar apo jo”.

Se ka të gjitha këto kanë ndikuar në aspektin psikik e thotë edhe një qytetar tjetër.

“Shëndetin e popullatës, sidomos te na ndikojnë shumë sene, se është vend i ndjeshëm. Nuk ka fort zhvillim as industrial as lëmit tjera. Ka ndikuar edhe pandemia edhe lufta atje, ngritja e çmimeve marramendëse. Me hy në shitore befasohesh, 100% është gjithkund. Ka ndikuar, sidomos në aspektin psikik ndikon tek çdo individ”.

Për EO, dikush tjetër tha se stresi veç se është rritur më shumë kohët e fundit.

“Stresi është bile më shumë se stres. Lufta në Ukrainë, çmimet, pensionet, ngritja e çmimeve në tërësi. Unë mendoj, është e vërtetë që është rritur shumë stresi, kemi pas, por na është bërë plus”.

Një qytetare, thotë se stresi është rritur te të gjithë si te të rinjtë ashtu edhe te moshat e shtyra, raporton EO.

“Çmimet i kanë shtrenjtuar, frika pak e luftës, të gjitha janë bë. Vazhdimisht te të gjithë, si te të rinjtë si tek të vjetrit”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Koreja e Veriut ka testuar një sistem të ri armësh,…